Vllaznia zhvilloi fazën përgatitore verore në Maribor të Sllovenisë, ku shkodranët qëndruan nga data 22 qershor deri në datën 2 korrik. Duke zhvilluar kështu përgatitjet e duhura para ndeshjeve europiane të Conference League.
Gjatë qëndrimit në shtetin ballkanik, kuqeblutë zhvilluan edhe 4 takime miqësore, rezultatet e të cilave ishin me të vërtetë “katastrofike” për skuadrën shkodrane. Kështu, nga 4 ndeshjet e zhvilluara, 9 herë kampionët e vendit tonë arritën vetëm 1 fitore dhe 3 humbje. Duke pësuar kështu 11 gola e duke shënuar vetëm 4 të tillë. Vllaznia u mposht në miqësoren e parë nga skuadra e Koper me rezultatin 5-3.
Teksa më pas shkodranët arritën një fitore 1- 0 ndaj UTA Arad të Rumanisë falë një goli të Balajt. Por, disfatat e shkodranëve do të vijonin në dy duelet miqësore pasardhëse. Fillimisht duke u mposhtur në shifrat 4-0 ndaj Olimpia Ljubjana dhe më pas po ashtu duke pësuar një humbje 2-0 ndaj Petrolul të Rumanisë.
Një bilanc “lufte” ky për 9 herë kampionët e vendit tonë, që pavarësisht se ndeshjet ishin vetëm miqësore dhe pa dedikimin apo seriozitetin e dueleve zyrtare, tregojnë se te Vllaznia ka ende shumë punë për t’u bërë para nisjes së sezonit të ri. Kjo, pasi edhe loja, përveç rezultatit që kalon në plan të dytë në ndeshjet miqësore, nuk ka qenë aty ku duhet.
Me futbollistë që bënë shumë gabime individuale, duke mos shfaqur nivelin që pritet prej tyre, ku tashmë nga porta e deri në sulm, për Edi Martinin dhe stafin e tij ka një detyrë të vështirë. Që të arrijë të “kolaudojë” skuadrën sa më shpejt, në mënyrë që minimalisht Vllaznia të kalojë me sukses turin e parë të “Conference League”, që do të luhet në datat 10 dhe 17 korrik.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb