Ky takim i dytë i Nivelit të Lartë, organizuar nga Kuvendi i Shqipërisë, synon të adresojë zhvillimet në stacionin e ri ku ka mbërritur procesi “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit” i drejtuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar që kam nderin të kryesoj.
I. Me takimin e mëparshëm më 11 dhjetor 2024, në këtë sallë, ne përmbyllëm fazën e parë të këtij procesi dhe prezantuam Dokumentin Analitik. Sot në këtë takim përmbyllim fazën e dytë të tij duke prezantuar draft Planin Kombëtar të Veprimit të hartuar nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë (GENL), vendas e ndërkombëtar dhe Sekretariati teknik pranë tij.
Dokumenti analitik një dokument prej rreth 700 faqesh dhe 18 kapitujsh është i pari dokument i këtij lloji, i hartuar tërësisht nga ekspertiza shqiptare, që ka synuar të analizojë situatën aktuale lidhur me 3 shtyllat, i) mirëqeverisjen, ii) antikorrupsionin e iii) sundimin e ligjit, të identifikojë gjetjet, progresin e bërë dhe problematikat që ndeshen në këto fusha.
Një analizë që tregon përgjegjshmëri, kurajo dhe vullnet për të parë me sy vetëkritik situatën dhe për të rekomanduar zgjidhjet që synojnë një ritëm të ri përshpejtues drejt qëllimit tonë ambicioz Shqipëria2030 në BE, përmes një cikli të ri reformash shtetndërtuese për të qenë me meritë pjesë e familjes së madhe evropiane.
Draft Plani Kombëtar i Veprimit për të 3 shtyllat së bashku përfshin 55 fusha tematike, me 253 masa specifike nga të cilat propozohen 75 nisma ligjore dhe 178 masa institucionale, që do të prezantohen gjerësisht në 3 panelet e dedikuara për secilën shtyllë, Mirëqeverisja, Antikorrupsioni e Sundimi i Ligjit, që do të zhvillohen më pas në këto mjedise. Drafti i mbështetur fort në gjetjet e dokumentit analitik ka si kornizë udhërrëfyese rekomandimet dhe masat e dakordësuara me BE-në në kuadrin e angazhimeve të shtetit shqiptar në procesin e negociatave. Është një dokument i punuar nga Grupi i Ekspertëve të Komisionit dhe i konsultuar gjerësisht këto muaj me ekipin e negociatorëve shqiptarë, me ekspertë të fushave respektive të institucioneve të pavarura, administratës publike, shoqërinë civile dhe grupet e interesit, si dhe i është nënshtruar ekspertizës së 38 konsulentëve të huaj përfshi dhe disa nga institucionet e rëndësishme ndërkombëtare që do të jenë pjesë e debatit në 3 tryezat e sotme.
Ka qenë një punë intensive, shumë e debatuar dhe me tryeza të shumta konsultimi në nivel qendror dhe lokal. Ndaj dëshiroj të adresoj një falenderim të veçantë për kolegët e mi deputetë, anëtarë të Komisionit të Posaçëm dhe veçanërisht për 3 relatorët e 3 shtyllave, përkatësisht znj.Ekonomi, znj.Gjonaj dhe z.Gogu.
Padyshim falenderimi kryesor ju shkon ekspertëve të GENL, të angazhuar si përfaqësues të Institucioneve dhe Agjencive të Pavarura, Fakulteteve të drejtësisë e ekonomisë të Universiteteve publike e jo poblike, Organizatave të Shoqërisë civile dhe atyre të Komunitetit të Biznesit, të cilët kanë ende pronësinë e këtij drafti në proces pune.
Gjithashtu dëshiroj të adresoj një falenderim të veçantë edhe për Kryenegociatoren e qeverisë shqiptare dhe ekipin e negociatorëve për qasjen konstruktive në këtë proces, për bashkëpunimin shumë të mirë me ekspertët dhe sidomos për kontributin e tyre për të mbajtur gjithë procesin e sidomos ato që lidhen me rekomandimet dhe zgjidhjet e propozuara, në shinat e angazhimeve tona në kuadrin e procesit të integrimit në BE.
Çështjet që lidhen me Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e ligjit nuk mund të jenë ekskluzivitet i një institucioni apo funksioni të vetëm. Ato janë çështje komplekse që kërkojnë përfshirje të gjerë, janë çështje që kanë nevojë për koordinim e bashkëveprim dhe Kuvendi, Komisionet e tij dhe vetë deputetët kanë një rol thelbësor për të vepruar përmes funksioneve të ligjbërjes dhe kompetencave për monitorimin, mbikqyrjen dhe koordinimin.
Është pjesë e detyrës sonë si deputetë, e përgjegjshmërisë sonë si përfaqësues të zgjedhësve tanë të kujdesemi që qytetarët të kenë një qeverisje edhe më të mirë në të gjithë nivelet, qendrore e vendore, që shteti, zhvillimi social e ekonomik dhe vetë qytetarët të preken sa më pak të jetë e mundur nga dukuritë dhe sjelljet korruptive të administratës shtetërore, që shoqëria e institucionet të jenë shumë më reaguese ndaj dukurive të korrupsionit dhe që sundimi i ligjit, barazia para ligjit, të drejtat dhe liritë e njeriut të jenë themeli i funksionimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
II. Mbi këto qëllime të larta 10 muaj më parë, NE iniciuam një reformë që synon të konsolidojë arritjet në këto fusha, të adresojë problematikat që ndeshen, dhe kryesorja të ofrojë zgjidhje për të ecur përpara në këtë udhë. Synuam të mos qëndrojmë në vetëkënaqësinë e arritjeve të realizuara, por me kurajo e përgjegjshmëri të vetëreflektojmë për të ecur edhe më përpara, për të përmbushur detyrat që lidhen me procesin e integrimit të vendit, për t’a afruar sa më shpejt shansin e madh të anëtarësimit dhe kryesorja për t’a shfrytëzuar këtë moment historik për të vazhduar ciklin e reformave, shpirtin reformator për të thelluar edhe më tej reformat shtetndërtuese në tre shtylla kyçe të anëtarësimit që përbëjnë njëherësh edhe 3 sfidat kyçe të zhvillimit dhe pritshmërisë së qytetarëve ndaj nesh siç janë Mirëqeverisja, Antikorrupsioni dhe Sundimi i ligjit.
Ky është procesi i dytë reformator i përmasave të tilla, pas reformës në drejtësi dhe mbështetur në përvojë e arritjet e saj, që iniciohet e zhvillohet në parlamentin shqiptar. Një proces i mbështetur në 4 parime bazë: Gjithëpërfshirjen, Transparencën, Profesionalizmin dhe Standardet ndërkombëtare.
I gjithë procesi i hartimit të akteve të miratuara nga ky komision është realizuar nga GENL, i përbërë me përfaqësues të propozuar nga vetë Institucionet e pavarura, Bota akademike, Shoqëria civile, grupet e interesit dhe biznesit. Rreth 69 ekspertë vendas, 18 ekspertë ndërkombëtarë si dhe 38 konsulentë të jashtëm, të huaj dhe nga diaspora shqiptare janë përfshirë në këtë proces. Dokumenti analitik dhe Plani Kombëtar i Veprimit janë produkt i kësaj ekspertize si dhe një procesi konsultimi të gjerë publik me rreth 11 Tryeza publike tematike, 8 forume qytetare në qytete të ndryshme të vendit si dhe një numër të shumtë tryezash konsultimi me profesionistë të fushës dhe institucionet publike. Dokumentet janë produkt edhe i rreth 369 dokumentave të konsultuara, vendase e ndërkombëtare si dhe reflektim mbi 191 komente të ardhura nga procesi i konsultimit publik dhe konsulenca ndërkombëtare. Përmes publikimit të një buletini mujor dhe një faqe web të posaçme dedikuar veprimtarisë dhe produkteve të Komisionit e GENL është synuar transparenca dhe informimi në kohë i publikut dhe grupeve të interesit. Një proces që do të vazhdojë me të njëjtin përkushtim e të njëjtat standarde edhe në muajt në vijim me përmbylljen e plotë të këtij procesi në përputhje me rezolutën e Kuvendit të Shqipërisë.
Ne jemi duke dëshmuar edhe përmes këtij procesi disa të vërteta të thjeshta, por gjykoj tejet të rëndësishme e mjaft domethënëse.
Së pari: Anëtarësimi në BE për ne mbetet një ambicie e fortë, një objektiv strategjik kombëtar që gëzon mbështetje të lartë qytetare. Ashtu siç shprehet dhe Kryeministri Rama, anëtarësimi ynë në BE, bashkimi me atë familje të madhe është një çështje ekzistenciale. E me këtë ambicie ekzistenciale jemi duke punuar fort, shumë fort për të mundësuar Shqipërinë2030 në BE. Edhe kjo reformë si edhe reforma në drejtësi dhe shumë reforma të tjera të ndërmarra në këto vite janë prova më e mirë e ambicies sonë, për përmbushjen plotësisht e në një kohë sa më të afërt të kushteve për anëtarësim për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane, vlerat e së cilës po bëhen edhe më të rëndësishme me zhvillimet e fundit, që bota po ndeshet.
Së dyti: Ne duam anëtarësimin në BE, por duke dëshiruar e luftuar fort për hyrjen me meritë në të, përmes reformimit të shtetit, të institucioneve të tij. Ne duam anëtarësimin në BE, sepse duam Shqipërinë e shqiptarët, mishërimin në kulturën dhe qasjen e tyre të vlerave e standardeve më të mira evropiane. Ndaj edhe kjo reformë, ashtu sikundër vepruam edhe me reformën në drejtësi, plotësisht me nismën e vullnetin tonë, synon pikërisht ta shndërrojë këtë mundësi në një reformim të mëtejshëm, të të 3 pushteteve, të shtetit e institucioneve të tij, fokusuar në 3 sfida kyçe Mirëqeverisja, Antikorrupsioni dhe Sundimi i ligjit.
Së treti: Ky proces reformimi, dëshmon gjithashtu se, NE kemi vizionin dhe aftësinë të ecim vetë përpara duke respektuar e konsoliduar progresin e bërë, duke reflektuar mbi gabimet dhe me ambicie të fortë të synojmë për më shumë dhe më mirë.
Një ndër tre shtyllat ku ne jemi fokusuar në këtë reformë lidhet me çështjet Antikorrupsion. Të vetëdijshëm se megjithë hapat pozitive të hedhura në këto vite në shumë aspekte, korrupsioni mbetet ende një problem shqetësues, një fenomen që pengon progresin ekonomik e social, frenon rritjen e investimeve të huaja, gërryen demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Hapa të mëdha janë bërë nga kufizimi i mundësive për korrupsion në shërbimet administrative dhe deri të ndëshkimi i korrupsionit të madh përmes institucioneve të reja të posaçme që ne parashikuam e ndërtuam me reformën në drejtësi. Në fokus të këtij dokumenti analitik dhe Planit të Veprimit është “PARANDALIMI”, përmes forcimit të institucioneve përkatëse përgjegjëse në këtë fushë, se si ti bëjmë strukturat e tyre shumë më efiçente se deri më sot, se si ato të bashkërendojnë e koordinojnë më mirë midis tyre dhe më kryesorja, se si të përsosim mekanizmat e mbikëqyrjes dhe kontrollit ndaj tyre për t’i mbajtur ato të përgjegjshme, efiçente dhe llogaridhënëse në funksion të ndëshkimit, por para së gjithash të parandalimit. Një shoqëri e shëndetshme nuk matet se sa individë shkojnë në dyert e burgut, por me aftësinë reaguese për të parandaluar ndëshkimin penal, për të pasur më pak korrupsion dhe individë të korruptuar.
Së katërti: Në qendër të këtij procesi reformues ishte dhe mbetet Kuvendi, roli dhe funksioni i tij kushtetues edhe si një reflektim i drejtpërdrejtë ndaj rekomandimeve të BE-së.
Ky draft plan veprimi synon të nxisë një rol shumë më proaktiv të Kuvendit, të rrisë përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë e tij në përmbushjen e sfidave të mëdha të integrimit dhe reformimit të mëtejshëm të vendit.
Kam bindjen se me këtë dokument merr përgjigjen e duhur edhe ai skepticizëm apo hezitim i ndeshur në debatet e zhvilluara që në gjykimin tim e kanë bazën te kuptimi i gabuar që kanë për ndarjen e pushteteve dhe rëndësinë e ndërveprimit midis tyre dhe sidomos për rolin thelbësor kushtetues që ka Kuvendi në këtë proces.
Shqipëria është republikë parlamentare dhe Kuvendi është mbajtës i vullnetit të popullit, shprehës e përfaqësues i interesave të të gjithë qytetarëve. Fakt është që shumë nuk e shohin kështu Kuvendin. Sondazhet këtë dëshmojnë. Kuvendi nuk është dhe nuk duhet të jetë ajo që qytetarët shohin shpesh në seancat plenare, kur mbizotëron konflikti politik dhe sherrnaja politike. Krahas një sërë përpjekjesh që po bëhen, kjo është një tjetër përpjekje serioze që përmes rezolutës dhe punës së këtij Komisioni synohet për t’a fokusuar debatin politik e parlamentar dhe atë publik, në çështjet e mëdha të shoqërisë, në çështjet e integrimit dhe transformimit të vendit.
Së pesti: Ky proces është gjithashtu një dëshmi e rritjes së vendit e institucioneve të tij edhe në një këndvështrim tjetër. Mbas reformës në drejtësi ne ndërmarrim një tjetër reformë të këtyre përmasave e cila në vizion, në konceptim e realizim është tërësisht produkt i vizionit, vullnetit, punës dhe kapaciteteve tona të brendshme. Ne duhet të jemi krenarë që kemi përgjegjshmërinë dhe aftësinë për të ndërmarrë me inisiativën tonë reforma të tilla parlamentare si reforma në drejtësi, dhe kjo reformë e thellë në këto 3 fusha. Fati më ka qëlluar të kryesoj të dy Komisionet e Posaçme që kanë drejtuar këto procese parlamentare, dhe nga kjo përvojë e krijuar e them me bindjen e plotë se tashmë ne kemi kapacitetet për të ndërmarrë hapa të tilla, që vende të ngjashme me ne nuk kanë pasur kurajon ti ndërmarrin.
Është një tregues shumë pozitiv që ne kemi kapacitete të tilla ekspertize këtu brenda vendit dhe në diasporë, një pjesë e të cilëve janë pjesë edhe e ekspertizës ndërkombëtare, përfshi dhe strukturat e BE-së. Ne duhet të kujdesemi ti rrisim dhe forcojmë ato më tej duke respektuar pavarësinë e tyre intelektuale e profesionale. Është kjo arsyeja që ky Plan veprimi parasheh si një alternativë të mundshme përdorimin më mirë në të ardhmen të këtyre kapaciteteve në funksion të ekspertizës për procesin ligjvënës, dhe sidomos për procesin e monitorimit, mbikëqyrjes e kontrollit që ushtrohet nga Kuvendi në përputhje me kompetencat e tij kushtetuese e ligjore, në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare.
Ndërkohë, ne vlerësojmë rëndësinë e ekspertizës ndërkombëtare që na asistoi në këtë proces me kontribute konkrete. Dëshiroj të theksoj ekspertizën shumë profesionale të ekspertëve të Këshillit të Evropës, projekteve të BE-së, Ambasadës franceze e asaj zvicerane, OSBE, USAID, NDI, OGP etj, si dhe një sërë institucioneve të tjera që na kanë monitoruar e asistuar këto 10 muaj në këtë proces. Faleminderit, se ka qenë vërtet një ekspertizë e dobishme dhe e mirëpritur!
Një falenderim të veçantë dua të bëj për znj.Valentina Superti, Drejtore për Ballkanin Perëndimor, në Drejtorinë e Përgjithshme për zgjerimin dhe fqinjësinë lindore në Komisionin Evropian, për prezencën e sotme në këtë event, por edhe për takimin që ajo si dhe znj.Moozova, Drejtorja e Përgjithshme për Drejtësinë, i rezervuan relatores dhe ekspertëve tanë të shtyllës antikorrupsion gjatë vizitës në muajin shkurt në Bruksel, për bashkëbisedimin e frytshëm me ta, dhe sidomos për këshillat e vlefshme adresuar prej tyre për të cilat dua t’i siguroj që janë mbajtur fort në konsideratë nga ana jonë.
III. E shoh me vend, që në fjalën time të bëj një sqarim lidhur me disa pyetje që janë adresuar për faktin se, pse zgjatëm afatin e Komisionit deri në fund të legjislaturës, dhe pse Dokumentin analitik dhe Planin e Veprimit i kemi miratuar vetëm në parim në Komision. Kjo sepse ende nuk është përmbyllur kapitulli i III-të i shtyllës Sundimi i ligjit – Konsolidimi i reformës në drejtësi! Në këndvështrimin tonë nuk mund të kuptohet sundimi i ligjit pa drejtësinë dhe institucionet e saj.
Gjykuam të arsyeshme që prezantimin e draft dokumentit analitik dhe planin përkatës të veprimit për këtë fushë që po hartohen nga grupi i ekspertëve të GENL, dhe sidomos procesin e konsultimit rreth tyre, t’a zhvillojmë pas zgjedhjeve, duke shpresuar për një periudhë më të qetë të klimës politike e sociale në vend.
Siç e kam theksuar edhe më parë në qëndrimet publike, dhe siç Kryeministri Rama në emër edhe të maxhorancës qeverisëse, ka deklaruar në vijimësi këto kohë, NE që kishim vizionin, vullnetin, kurajon dhe përgjegjshmërinë të inicionim dhe realizonim hartimin e reformës në drejtësi, reformën historike më të madhe të ndërmarrë në historinë e shtetit shqiptar, i konsiderojmë të shenjta dhe të pandryshueshme shtyllat kushtetuese të reformimit të drejtësisë shqiptare të miratuara me projektin kushtetues të vitit 2016.
Natyrisht, ne kemi edhe detyrimin e përgjegjësinë të reflektojmë se si ka ecur zbatimi i kësaj reforme në këtë periudhë gati 10 vjeçare, të reflektojmë e reagojmë mbi kërkesat për ndryshime të mundshme përmirësuese të bëra nga vetë institucionet e drejtësisë, (rreth 150 amendamente të sjella vetëm prej tyre në Kuvend), me synimin jo vetëm për të vlerësuar progresin e jashtëzakonshëm të bërë, por edhe për të reflektuar në problematikat e mundshme të vërejtura gjatë zbatimit në praktikë, apo që vetë zhvillimi i procesit dikton për ndryshime për përmirësime të mëtejshme, përfshi dhe reflektimin mbi gjetjet, masat dhe rekomandimet e adresuara në progres raportin e BE-së të vitit 2024, si dhe në raportin e BE-së për shtetin e së drejtës, kapitulli për Shqipërinë etj.
Qytetarët shqiptarë vlerësojnë pozitivisht atë çfarë po dëshmon drejtësia e re, sidomos me luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, pastrimin e vetë sistemit nga individë të papërshtatshëm për ushtrimin e këtij misioni si dhe një sërë hapash të tjerë pozitiv që vërehen në këtë proces.
Ndërkohë, qytetarët shqiptarë që kanë investuar një besim të lartë te reforma në drejtësi, meritojnë dhe presin zgjidhje konkrete prej nesh për afate më të shpejta të trajtimit e zgjdhjes së çështjeve të tyre, akses më të mirë në shërbimet e drejtësisë, menaxhim e efiçensë më të mirë të sistemit, cilësi e profesionalizëm në hetime e gjykime, pavarësi dhe përgjegjshmëri në dhënien e drejtësisë në përputhje me parashikimet kushtetuese dhe standardet më të mira evropiane.
Ne jemi krenarë për çfarë kemi bërë me reformimin e drejtësisë, dhe jemi të vendosur t’a mbështesim edhe më fort dhe t’a konsolidojmë atë më tej.
Ne jemi shumë të vetëdijshëm për përgjegjësinë tonë me këtë reformë të re, që synon thellimin e reformave për Mirëqeverisjen, Antikorrupsionin dhe Sundimin e Ligjit, dhe besojmë fort se gjithçka që do të dalë prej saj, do t’i shërbejë përshpejtimit të ritmeve për përmbushjen e angazhimeve tona në kuadër të procesit të integrimit, dhe veçanërisht fuqizimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës për një të ardhme më të mirë për vendin tonë, për gjeneratën e re, të rinjtë e të rejat, për fëmijët, mbesat dhe nipërit tanë!