Kryeministri Edi Rama ka folur për mediat pas takimit që pati me ambasadorët. Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve për takimin me kreun e opozitës, Rama tha se kishte rënë dakord që të mos flitej për këtë takim, por meqë informacioni ka rrjedhur ai vendosi të tregonte çfarë i propozoi Bashës.
“Unë kam propozuar një monitorim si asnjëherë më parë të gjithë strukutrave të shtetit të policisë së shtetit të drejtorive rajonale të arsimit, të sistemit të burgjeve, ku janë dhe pikat që kanë qenë të adresuara si problematike në raportet e ODIHR. Dhe një rregullore si duhet të shmaget përdorimi i aseteve shtetërore në fushatë, qoftë edhe një kategori e caktuar aktivitetesh qeveritare që nuk duhen bërë për fushatë”, u shpreh Rama.
Më tej kryeministri u shpreh i gatshëm për t’u takuar sërish me kreun e opozitës nëse do të duhej, por la si afat për diskutime momentin kur nis shtypja e fletëve të votimit. Rama tha se nuk e kishte shtruar fare për diskutim datën e zgjedhjeve.
Sipas tij mekanizmi që i ka ofruar sot opozitës për monitorim të zgjedhjeve është një mekanizëm që ai do e kishte parë vetëm në endërr kur ishte në opozitë, ndërsa Berisha ishte në pushtet.