Sot në orën 20:00, Partia Socialiste do të miratojë listën përfundimtare të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 18 qershorit. Në krye të listave qëndrojnë drejtuesit e qarqeve të përcaktuar nga Rama si 12 njerëzit më të besuar të tij.
Janë pikërisht njerëzit e besuar të tij të cilët do të japin llogari para shefit të qeverisë dhe do mbajnë përgjegjësi për çdo kandidature.
Rama u ka kërkuar drejtuesve të qarqeve jo vetëm rezultate maksimale por të mbajnë edhe përgjegjësi morale për çdo emër kandidati në listë pasi drejtuesve, siç mësohet u është dhënë hapësirë për të përfshirë emrat e zgjedhur prej tyre në listën përfundimtare.
Bien në sy zhvendosjet e drejtuesve të qarqeve. Një lëvizje e bujshme është ajo e ministres Mimi Kodheli që siç mëson newsbomb.al pasi u caktua fillimisht në Lezhë e më pas Elbasan, do të drejtojë Kukësin bashkë me Safet Gjiçin.
Ilir Beqaj ndërkohë kalon nga Kukësi në Dibër ndërsa ministri Eduard Shalsi ka lënë Beratin dhe është zhvendosur në Pogradec, si pjesë e qarkut të Korçës ku i pari është Niko Peleshi.
Ministrja Olta Xhaçka nga Korça zhvendoset në Tiranë, sikurse Bashkim Fino që zhvendoset nga Korça dhe shkon në Fier.
Elisa Spiropali i bashkohet Gramoz Ruçit në Fier ndërsa Anastas Angjeli nga Gjirokastra shkon në Fier.
Një qark i nxehtë është ai i Vlorës që udhëhiqet nga vetë kryeministri Edi Rama. Vlorës i ikën deputeti Fatmir Toçi dhe futet Vullnet Sina. Gjithashtu Valentina Leskaj ka deklaruar se s’do jetë pjesë e listës së Vlorës duke i dhënë fund karrierës politike pas 15 vitesh në Parlament.