Gazetari i Report Tv Artan Hoxha i ftuar në studio për të komentuar zhvillimet e fundit në lidhje me operacionin që përfundoi me goditjen e katër grupeve kriminale u shpreh se destinacioni i heroinës në Has ishte Italia dhe Gjermania. Ndërsa përsa i përket grupit të Shijakut, Hoxha u shpreh se ka mbështetje të forta politike, por nuk dihet lidhja me laboratorin në Has. Hoxha shprehet se arrestimi i të afërmit të Balilit në Sarandë, Abedin Kuci lidhet me grupin e Shijakut, pasi dyshohet se ishte një degëzim për trafikun e heroinës.
“Përfshirja e emrit të Lul Berishës dhe Balilit i dha konotacion tjetër aksionit. Nuk e di çfarë provash ka prokuroria që lidh grupin e Shijakut me Lul Berishën. Dje u tha se pati edhe dekonspirim, por mesa di unë, ai është jashtë vendit. Nëse aksioni është bërë për të gjetur prova kjo është tjetër gjë, por nuk besoj se ka pasur dekonspirim, pasi ai nuk ka qenë në Shqipëri. Përsa i përket Abedin Kuçit që u arrestua. Dyshohet se ishte në një nga degëzimet e grupit të Shijakut, ky ka qenë objektivi primar. Aksioni në Stjar ka nisur në 16:30 minuta. Ai ka një lidhje të largët me familjen Balili, por urdhër-arresti është lëshuar për grupin e Shijakut për heroinën”.
Gazetari Hoxha zbuloi edhe kushtin e Balilit për t’u dorëzuar.
“Klement Balili nuk pranon të dorëzohet deri sa prokuroria të dorëzojë dosjen në gjykatë, pasi pretendon se nuk ka prova. Ai ka thënë se në momentin që dosja do të shkojë për gjykim, do të dorëzohet. Policia nuk ka arritur ta thyejë këtë sistem mbrojtës që ka krijuar Balili për ta arrestuar. Ne dimë çfarë provash ka sjellë Greqia, por nuk dimë çfarë ka bërë prokuroria shqiptare me hetimet”.