Një mister që kishte mbetur i pazgjidhur për rreth 1700 vjet është zbardhur nga shkencëtarët në Angli. Bëhet fjalë për ngordhjen e rreth 8 mijë bretkosave, mbetjet e të cilave u zbuluan në një hendek në Cambridgeshire, duke ngritur pikëpyetje mbi shkakun e kësaj ngjarjeje masive.
Zbulimi u bë rastësisht gjatë viteve 2016-2018, në kuadër të punimeve për përmirësimin e autostradës që lidh Kembrixhin me Huntingdonin. Gjatë gërmimeve, punëtorët zbuluan një hendek të mbushur me mijëra kocka amfibësh. Studiues nga Universiteti i Bournemouth dhe Muzeu i Arkeologjisë së Londrës (MOLA) u angazhuan për të zbardhur misterin. Analizat e kryera, përfshirë datimin me radiokarbon nga shkencëtarët e Universitetit të Vjenës, treguan se bretkosat i përkisnin periudhës romake dhe se shumica kishin ngordhur në moshë të re.
Pas studimeve të mëtejshme, shkencëtarët arritën në përfundimin se përgjegjës për ngordhjen masive ishin bufët, të cilët kishin gjuajtur bretkosat e grumbulluara në këtë zonë. Sipas raportit të publikuar në revistën Environmental Archaeology, kockat e rreth 8 mijë bretkosave ishin grumbulluar në hendek brenda vetëm një viti. Studiuesit zbuluan se zona kishte ofruar kushte ideale për shumimin e tyre, pasi ujërat e kënetave dhe kanaleve po tërhiqeshin gjatë periudhës romake.
Kjo i kishte bërë bretkosat më të përqendruara në një hapësirë të kufizuar dhe, rrjedhimisht, më të ekspozuara ndaj grabitqarëve. Një tjetër faktor që mund të ketë ndikuar ishte ndryshimi i peizazhit. Zona, e cila gjatë Epokës së Hekurit ishte e mbuluar me pyje të dendura, pësoi transformime të mëdha në periudhën romake, kur sipërfaqe të gjera pyjore u pastruan për krijimin e kullotave për bagëtinë.
Studiuesit mendojnë se largimi i njerëzve dhe kafshëve të tyre gjatë dimrit mund t’u ketë krijuar bufëve kushte edhe më të favorshme për gjueti. “Misteri i këtyre bretkosave është zgjidhur — një festë me bretkosa të përpira dhe kockat e tyre të lëna pas nga një grup bufash”, deklaroi zooarkeologu Paul Clarkson. Kështu, ajo që për shekuj dukej si një ngjarje misterioze e ngordhjes masive, rezultoi të ishte një fenomen natyror, i lidhur me praninë e një numri të madh bretkosash dhe aktivitetin e grabitqarëve në zonë.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








