Në muajin maj të këtij viti do të zhvillohen zgjedhjet në universitete për zgjedhjen e drejtuesve të rinj, rektorë, dekanë e shefa departamentesh. Përsa i përket Universitetit “Eqrem Çabej” në Gjirokastër, deri më tani nuk ka ende kandidatura të zyrtarizuara. Natyrisht që kjo është e kuptueshme sepse jemi ende herët dhe për më tepër që jetojmë në Shqipëri. S’e themi kot këtë të fundit.
Këtu kandidaturat zakonisht zyrtarizohen në momentet e fundit sepse janë produkt i pazareve, kulisave dhe trafikut të influencës, jo produkt i ndonjë vizioni, vokacioni apo platforme të shpallur më herët për të ndryshuar diçka. Shihni çfarë ndodh me kandidatët për deputetë, kryetarë bashkie apo këshillat bashkiakë. Kështu ka për të ndodhur edhe me zgjedhjet në universitet. Kandidaturat do t’i marrim vesh ditët e fundit. Kjo është njëra anë e problemit.
Çështja më themelore është se kush do të jetë rektori i ardhshëm i Universitetit “Eqrem Çabej”, jo thjesht si emër, por çfarë vizioni ka për ta shpëtuar këtë institucion. Gurët kanë nisur të luajnë dhe kjo është normale. Me interes për Gjirokastrën dhe për vetë universitetin, është që ekipi i ri drejtues të garantojë ndryshimin në funksion të mbijetesës dhe zhvillimit të mëtejshëm të institucionit arsimor më të rëndësishëm në jug të vendit.
Çdo lloj rektori që vjen për të ruajtur ‘status quo’-në, për të bërë qokat e radhës, për të mbyllur sytë përballë nepotizimit dhe korrupsionit, nuk i duhet universitetit, nuk i duhet Gjirokastrës. Gjasat janë që rektori aktual Bektash Mema të rikandidojë. Sigurisht që është në të drejtën e vet të pretendojë një mandat të dytë, por nuk ka shpresë se mund të ofrojë diçka të re nga ajo që kemi parë deri më sot. Nuk ka shpresë edhe nëse në krye të universitetit shkon dikush tjetër që është ‘nën sqetullat’ e ish-rektorit Gëzim Sala.
Rektori i ardhshëm i Universitetit “Eqrem Çabej” duhet të jetë dikush që ka një vizion për ta shpëtuar atë universitet, për ta rithemeluar dhe për të goditur nepotizmin e korrupsionin që e gërryen ndër vite si qelizat malinje në trupin e një të sëmuri me kancer. Ai që ka integritetin ta bëjë këtë gjë, të dalë publikisht që tani, të prezantojë platformën e tij, ta konsultojë me trupën akademike, me studentët dhe me publikun në tërësi.
Është më e ndershme t’i humbasësh zgjedhjet duke kaluar përmes kësaj rruge sesa duke u zgjedhur rektor përmes pazareve dhe lidhjeve okulte brenda e jashtë universitetit. Ne do të mbështesim në këto zgjedhje këdo kandidat që ofron platformë të hapur, që e konsulton me publikun dhe që ka vendosmërinë për të goditur korrupsionin e nepotizmin e ngritur në sistem. Mbështetje për këdo që do të ketë guximin të godasë kastën e të korruptuarve që mbajnë peng universitetin.
Humbje për universitetin nuk do të ishte vetëm zgjedhja e një rektori që s’e do ndryshimin, por edhe rizgjedhja në dekanate e departamente e të njëjtëve persona që i mbajnë ‘mbërthyer’ këto poste prej vitesh. Gëzim Sala ishte dekan për disa vite. Shkoi rektor për 8 vite, pastaj shkoi sërish dekan… Pse, kështu do vazhdojë kjo histori për vite me radhë duke krijuar kasta dhe bajraktarë edhe në aulat universitare? S’ka këtu asgjë personale as me Gëzim Salën, as me Bektash Memën dhe me askënd tjetër. Merita e tyre e vetme dhe e cdo drejtuesi tjetër në të kaluarën është që kanë ditur të ruajnë ‘status quo’-në në dëm të universitetit.
Por universiteti është i të gjithëve, është universalisht i hapur dhe s’mund të vazhdojë më kjo histori duke qenë ne dëshmitarë të degradimit. Ka ende pedagogë me integritet në radhën e trupës akademike që duan t’i japin jetë ndryshimit. Mjafton që ata të kenë guximin të vihen në krye të kësaj lëvizje për ndryshim dhe rithemelim të universitetit. Heshtja dhe mënjanimi i tyre i bën po aq përgjegjës sa kasta që e degradoi universitetin ndër vite.
©argjiroja.net