Gjashtë persona dyshohet se kanë qenë bashkëpunëtorë në rrëmbimin dhe më pas zhdukjen pa gjurmë të dy personave në qytetin e Sarandës, më konkretisht Leonard Thodhori njohur si “Koçole” dhe miku i tij Fatmir Sulovari. Nga hetimet e kryera deri më tani, ka dyshime të forta se pjesëmarës në këtë ngjarje të rëndë është dhe një i dënuar me burgim të përjetshëm. Personi në fjalë është i identifikuar me inicialet A.T, nga veriu i Shqipërisë, raporton Elton Qyno, për “Ora News”.
Po cili ka qenë roli i të dënuarit?
Dyshohet se i dënuari përjetë ka orientuar njerëzit nga qelitë e burgut ku vuan dënimin, kjo për shkak se ai ka miqësi dhe ka vuajtur një pjesë të dënimit në të njëjtin burg, me të dyshuarin tjetër të kësaj ngjarje, shtetasin Ledjan A. nga Saranda.
Ngjarja lidhet me përplasjen për trafikun e hashashit dhe kokainës nga Shqipëria në drejtim të Greqisë dhe ishullit të Kusturit, biznes ky që gjatë këtyre 6 muajve solli një seri vrasjesh të ndodhura në Sarandë, Tiranë dhe shtetin grek.
Ç’dihet deri më tani për të zhdukurit?
Dyshimet kryesore janë se “Koçolja” dhe Sulovari janë vrarë e groposur në fshatin Vrinë. Thodhori ka shitur një tokë tek persona me precedentë penalë, dhe pas kësaj mes tyre ka lindur mosmarrëveshje lidhur me pronësinë dhe pagesat. Kështu që Thodhori rezulton të jetë thirrur në mirëbesim në qytetin e Sarandës për të kontaktuar me persona me të cilët ka kryer marrëveshjen, por që nuk banojnë në qytet. Konflikti mendohet të ketë agravuar edhe më tej, ç’ka ka futur në funksion planin e rrëmbimit të tij.
Për këtë mund të jenë përdorur si karrem duke shfrytëzuar njohjen dhe mirëbesimin, persona që kanë arritur ta marrin pa forcë Thodhorin dhe shokun e tij Sulovari në automjetin “Mercedes-Benz” në orët e para të 7 prillit. Pasi janë futur në automjet, dy 46-vjeçarët mendohet se kanë rënë pre e planit të rrëmbyesve të cilët me pas i kanë çuar drejt fshatit Vrinë për t’i ekzekutuar e groposur. Tashmë policia është vënë në kërkim të trupave.
Kush janë dy personat e zhdukur?
1. Leonard Theodhori, 46 vjeç i njohur si “Koçole”. I dënuar disa here. I dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo. I arrestuar po atë vit për “moskallezim krimi” lidhur me një ngjarje tjetër të kryer nga Gjini. I arrestuar më pas per “vjedhje” e “mashtrim”. Përdorues i lëndëve narkotike dhe i dyshuar si i perfshirë në trafik lëndësh narkotike.
2. Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, 46 vjeç. I dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. I arrestuar ne prill 2022 në Lushnje, pasi në mjetin e tij “BMW” X5 u gjet një sasi cannabis sativa e ndarë në doza gati për shitje./Ora News