Një zjarr ka rënë mbrëmjen e kësaj të shtune në fshatin Lazarat, duke përfshirë dy vatra që rrezikonin të përhapeshin me shpejtësi. Sipas njoftimit, rreth orës 19:50 shërbimi zjarrfikës mori sinjalizimin dhe u nis menjëherë drejt vendngjarjes.
Me mbërritjen e forcave zjarrfikëse u konstatua se flakët kishin përfshirë dy vatra aktive. Pas ndërhyrjes së menjëhershme, zjarri u izolua dhe u vu plotësisht nën kontroll.
Si pasojë e flakëve u dogj vetëm një sipërfaqe e vogël me barishte dhe shkurre, pa shkaktuar dëme të tjera materiale. Ndërkohë, organet ligjzbatuese kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e zjarrit.









