Mbrëmjen e shkuar policia e Gjirokastrës goditi një grup prostitucioni, duke arrestuar tre persona; dy femra dhe një burrë. ArgjiroLajm.net mëson se hetimet nga seksioni trafiqeve në polici dhe Prokuroria e Gjirokastrës kishin nisur prej disa muajsh. Agjentët mbanin nën vëzhgim lokalin në lagjen ’18 Shtatori’, pranë gjimnazit ‘Siri Shapllo’, derisa mbrëmjen e djeshme kryen arrestimet. Policia kishte infiltruar një agjent që hiqej si klient, i cili dokumentoi aktivitetin kriminal të grupit. Në cilësinë e oganizatores ishte Vasilika Laro, 46 vjeç. Ajo përdorte lokalin e saj si pikë takimi mes femrave që prostituonin dhe klientëve. Vasilika Laro ndërmjetësonte me klientët që frekuentonin lokalin e saj duke siguruar lidhjet e tyre me shtetasen E.A. kundrejt shumave të ndryshme.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3000 lekë dhe 5 telefona celularë. Policia thotë se ushtronte prostitucion kundrejt pagesës edhe vetë Vasilika. Ajo u arrestua bashkë me 34-vjeçaren E.A, banuese në Gjirokastër, e cila punonte si kameriere në lokal. Po kështu në pranga ra edhe 50 vjeçari Vladimir Koleta, për veprën penale ‘moskallëzim krimi’. Pagesat për shërbime seksuale varionin nga 2 mijë deri në 3 mijë lekë të reja për person. Klientët ishin të moshava të ndryshme, që nga studentë e deri të moshuar. Ky është rasti i parë i këtyre viteve të fundit që policia zbulon në Gjirokastër një grup prostitucioni. Hetimet po vijojnë nga Prokuroria e Gjirokastrës, për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
©ArgjiroLajm.net