Të tjera detaje kanë dalë në dritë në lidhje me ngjarjen e rëndë që ndodhi një ditë më parë, ku pas një aksidenti tragjik humbi jetën Ervin Dervina, oficer i kontaktit i Shqipërisë pranë Qendrës për Forcimin e Ligjit në Evropën Juglindore (SELEC), si dhe bashkëshortja e tij, shtetase rumune.
Dervina me origjinë nga Elbasani, ishte duke udhëtuar me një makinë me targa diplomatike të ambasadës shqiptare, kur u përplas me një kamion mallrash në Rumani. Sipas asaj që tregojnë familjarët e Dervinës në Elbasan, ai ka qenë duke udhëtuar si pasagjer me bashkëshorten e tij e cila kishte ditëlindjen një ditë më parë dhe sapo po ktheheshin nga një drekë me ambasadorin shqiptar në Bukuresht dhe disa kolegë në një fshat turistik.
Kanë qenë tre makina me targa diplomate, por vetëm ajo ku ndodhej Dervina me bashkëshorten rumune u përfshi në aksident.
Ervin Dervina ishte me origjinë nga qyteti i Elbasanit, djali i dy mësuesve. Ai punonte si oficer kontakti në Rumani prej 10 vitesh.











