Policia greke ka bërë të mundur sekuestrimin e rreth 121 kg marijuanë në kufirin greko-shqiptar. Operacioni u zhvillua në fshatin Parapotamo të Igumenicës. Policia greke kishte siguruar informacion në rrugë operative për trafikimin e një sasie të madhe droge. Për këtë bëri një kontroll të imtësishëm të zonës dhe zbuloi 5 çanta me 108 pako që përmbanin 121 kg e 492 gramë marijuanë. Pranë drogës u kap dhe një 37 vjeçar shqiptar, i cili kishte kryer transportin në kufi. Mësohet se ai ka qenë bashkë me një tjetër shtetas shqiptar, për kapjen e të cilit po vijon kërkimi. Policia ka pikasur një automjet që ka ardhur për të marrë drogën dhe ka vënë në pranga drejtuesin e saj, një 50-vjeçar grek.