Lëvizja Socialiste për Integrim kremton sot 15 vjetorin e themelimit. Në ceremoninë festive në Pallatin e Kongreseve, kryetarja e kësaj force politike, Monika Kryemadhi iu referua situatës që po kalon vendi. Sipas saj, Shqipëria sot është varfëruar për shkak të “Rilindjes”. Sot nuk kemi qeveri dhe as parlament, tha ajo, por një sistem kriminal dhe oligarkik.
“Si socialistë demokratë ne jemi munduar ta bëjmë këtë dhe më parë, kryesisht me iniciativa parlametare, por të jemi të sinqertë nuk ja kemi dalë. Ndryshe nga Rilindja edhe kur kemi qeverisur me ta, kemi insistuar për arsim falas, sepse arsimimi i të rinjve në kushte sa më optimale është baza për një shoqëri të shëndetshme.
Si opozitë e bashkuar kemi kundërshtuar çdo koncesion në kurriz të pasurisë së shqiptarëve. Sepse këto janë parimet tona bazë. Ne kemi mbështetur çdo iniciativë në ndihmë të personave në nevojë, sepse kjo është busulla jonë e orientimit.
Po ku jemi sot? Sot ne nuk jemi në parlament. Sistemi kriminal dhe oligarkik i Edi Ramës nuk e mundëson një debat vlerash siç ndodh në çdo vend demokratik. Ne kemi bërë sa kemi mundur që ta çmontojmë këtë klikë në pushtet, ndaj sot s’mund të pranojmë të jemi fasadë e një qeverisje ku mbizotërojnë dëshirat dhe epshet paranojake të një kryeministri të lidhur kokë e këmbë me krimin.
Ne kemi protestuar fuqishëm dhe kemi mundur t’i bindim dhe ata shqiptarë skeptikë se çdo formë proteste është një mënyrë për t’i hequr një gurë themelit mafioz të qeverisë Rama”, u shpreh kryetarja e LSI.
Gjithashtu, kryetarja e LSI-së iu drejtua me një thirrje të fortë qytetarëve shqiptarë, ndërsa kërkoi prej tyre të braktisin menjëherë qendrat tregtare të oligarkëve dhe pazaret t’i kryejnë në dyqanet e lagjeve.
“Sot unë i bëj thirrje së pari të gjithë anëtarëve të LSI por edhe gjithë shqiptareve të thjeshtë e të ndershëm që ushqimet e tyre të përditshme mos t’i blejnë në qendrat e mëdha tregtare të oligarkëve, por në dyqanet e lagjeve, te komshinjtë e tyre: Unë i bëj thirrje anëtarëve të LSI së pari por dhe gjithë shqiptarëve që veshjet e tyre mos ti blejnë në qendrat tregtare, po te dyqanet e bizneset e vogla.
Të mos përdorin taksitë e korporatave te lidhura me qeveritaret por taksitë që me punojnë me sakrificë e duke paguar taksa të larta për të siguruar bukën për familjen. Të bojkotojmë e të refuzojmë të gjitha mekanizmat që i shërbejnë dhe që ushqejnë pushtetin, e të mbështesim e inkurajojmë të gjithë ata që ju shërbejnë qytetarëve dhe që interesin e tyre e kanë të shenjtë”, tha ajo.








