Nga Mentor Kikia
PD paraqiti një projektligj për ndryshimin e ligjit Antimafia, duke parashikuar sekuestrimin e pasurive të kompanive që kanë marrë në mënyrë abuzive, koncensione dhe PPP. PD thotë se situata është e jashtëzakonshme. Oligarkët e Ramës po shtijnë në dorë ekonominë kombëtare. Por që kjo “Antimafia” dhe “Vettingu” i politikës të bëhen, duhet mbështetja e mazhorancës, e cila nuk e jep votën. PS tha sot se vetingu i politikës do të diskutohet vetëm pasi të jetë realizuar reforma e plotë e drejtësisë.
Mazhoranca ishte në parlamernt. Ajo tha se Basha të tregojë më parë oligarkët e lidhur me vëllanë e vet. PS solli sërish projektin për ndryshimin e ligjit për Magjistraturën, për të emëruar gjykatës dhe prokurorë të rinj, për të plotësuar vendet që lanë bosh të shkarkuarit e vettingut. PS thotë se situata është e jashtëzakonshme, sepse sistemi i drejtësisë po mbetet pa gjykatës e prokurorë. Por PD nuk i jep votat. Ajo thotë se nuk ofrojmë asnjë lloj bashkëpunimi, pa realizuar më parë vettingun e politikës.
Ndërkohë…..
Para Ambasadës Gjermane, sot, qindra infermierë e mjekë, prisnin marrjen e vizave të punës. Presidenti i urdhërit të infermierit tha se deri tani kanë ikur 4000 infermiere në Gjermani.
Televizionet holandeze, tregojnë përmes imazheve, sesi të rinjtë shqiptarë, pasi fshihen në fushat përrreth portit të Roterdamit në Holandë, u sulen kamionëve para se të hipin në tragete, çajnë me thika mushamatë dhe futen brenda, apo futen poshtë shasive, për të shkuar në Britani.