Pasditen e së enjtes, një drejtues i rëndësishëm i strukturave të Partisë Socialiste, u ka dërguar një SMS-Tip, të gjithë koordinatorëve të kësaj partie në rrethe.
SMS-ja e siguruar nga Hashtag.al, është dërguar tek numrat telefonikë të koordinatorëve në rrethe vetëm disa minuta pasi u bë publike marrëveshja PS-PD.
Teksti i mesazhit është i shkurtër, por i mjaftueshëm për të dhënë esencën:
“Marrëveshja e sotme është fitore e madhe për Partinë Socialiste. Shpëtuam nga laku në fyt që kishim nga LSI dhe PDIU.
Fituam legjitimitetin e zgjedhjeve duke fituar dhe një javë pune intensive.
PD në 30 ditë nuk ka asnjë kohë për t’u organizuar”, – shkruhet në SMS.
Më tepër se sa një motivim për koordinatorët e fushatës, duket se SMS-ja përfaqëson një koncentrat shpjegues mbi avantazhet e PS-së nga kjo marrëveshje.
Legjitimiteti i zgjedhjeve, relativizimi i forcës së LSI dhe PDIU dhe pamundësia e PD-së për t’u organizuar në 30 ditë, janë realisht fryte të kësaj marrëveshje. / Hashtag.al