Dritan Demiraj është emri i përfolur nga opozita dhe që duhet të marrë aprovimin e kryeministrit Edi Rama për të qenë ministri i ri i Brendshëm i zgjedhur pas marrëveshjes politike të arritur mes mazhorancës dhe opozitës që i dha fund protestës 3 mujore të demokratëve dhe i futi në zgjedhje.
Emri i tij është diskutuar mbrëmjen e së djelës në takimin që kryeministri Edi Rama pati me liderin demokrat Lulzim Basha tek Pallati i Kongreseve. Të hënën, në orën 18:00 parlamenti i Shqipërisë pritet të miratojë në një seancë të jashtëzakonshme emrat e gjashtë ministrave teknikë që futen në qeveri me propozim të opozitës, si dhe krerët e disa enteve kryesore, sërish të propozuar nga e djathta.
Dritan Demiraj ka 24 medalje në ushtri dhe 27 në sport. Komandant i Forcave Speciale të Ushtrisë, ai njihet si “babai”, udhëheqësi i parë luftarak në terren dhe trajnues i misioneve “Eagle” (nga 1-7), pedagog, autor i shumë librave, manualeve e kumtesave deri në kategorinë akademike të kërkimit shkencor.
Koloneli Dritan Demiraj, është “Nderi i Kombit” me dekoratë presidenciale. Ai është liruar nga detyra në dhjetor të vitit 2014, pas 31 vitesh kontribut në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Motivacioni i lirimit nga detyra kur ministrinë e Mbrojtjes e mori Mimi Kodheli, ishte “largim jashtë shtetit pa leje”, çka publikisht është mohuar nga ish komandanti Demiraj.