Numri i gjyqeve për çështjet e pronësisë po regjistron rritje në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe atë të Apelit në Gjirokastër.
Përgjatë këtij viti ka ardhur në rritje numri i gjyqeve të çelura nga palët e përfshira në konflikte pronësie që i drejtohen gjykatës për të zgjidhur mosmarëveshjet e tyre.
Sipas burimeve zyrtare, në Gjykatën e Faktit, çështjet e pronësisë zënë një numër të kosiderueshëm mes çështjeve juridike që shqyrtohen në tërësi nga kjo gjykatë. “Prej fillimit të vitit, janë 60 çështje pronësie të cilat janë regjistruar pranë gjykatës sonë në rreth 400 çështje civile të paraqitura për të marrë zgjidhje juridike.
Gjatë shqyrtimit të tyre, gjykata ka synuar shmangien e zvarritjeve në zhvillimin e gjyqeve”, pohon kancelarja e Gjykatës së Faktit, Donalda Feruni. Mes ketyre gjyqeve përfshihen konflikte mes palëve për sipërfaqe bujqësore, troje ndërtimi apo çështje pronësie brenda familjes. “Gjatë zhvillimit të këtyre gjyqeve, ne respektojmë të gjitha standardet ligjore në lidhje me ecurinë e tyre, duke përfshirë edhe transprencën në dhënien e vendimeve. Ndërkohë, një pjesë e vendimeve të dhëna prej Gjykatës së Shkallës së Parë në lidhje me pronat janë ankimuar nga palët në shkallët e tjera të gjyqësorit”, pohon kancelarja e Gjykatës së Faktit.
“Çështjet e pronësisë janë ato të cilat vazhdojnë të jenë objekti kryesor i kërkesave të drejtuara gjykatës së Apelit. Në gjykatën tonë, gjatë këtij viti janë regjistruar mbi 200 çështje administrative, ndërkohë që gjyqet për pronat zënë rreth 20% të tyre. Ne kemi synuar shmangien e zvarritjes së gjyqeve dhe dhënien brenda afateve ligjore të vendimeve përkatëse”, shprehet Alma Anxhara, kancelare e Gjykatës së Apelit në Gjirokastër. Me ndryshimet e bëra në legjislacion, tashmë çështjet e pronësisë do të shqyrtohen nga Gjykata e Apelit./konica.al