Institucionet e sigurimit të depozitave të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Shqipëri, në një takim për të diskutuar rreth sfidave dhe çështjeve me interes të përbashkët.
Takimi ndjek një traditë të vazhdueshme të mbledhjeve mes këtyre institucioneve dhe këtë herë u zhvillua në Gjirokastër, mes datave 11 dhe 13 qershor. Drejtuesit ekzekutivë që përfaqësonin fondet e sigurimit të depozitave diskutuan gjatë takimit rreth zhvillimeve të fundit në secilin juridiksion, rasteve të kompensimit, si edhe rreth dialogut mbi stabilitetin financiar brenda rrjeteve të tyre përkatëse të sigurisë.
Gjithashtu, pjesë e diskutimeve ishte edhe roli i siguruesve të depozitave në kuadrin e iniciativave të ndërhyrjes së jashtëzakonshme dhe marrëdhëniet me autoritetet mbikëqyrëse.
Në takim morën pjesë drejtuesit ekzekutivë të Fondit të Sigurimit të Depozitave në Shqipëri, Bosnje, Kroaci, Mal të Zi, Maqedoni dhe Serbi. Vendet e Ballkanit Perëndimor janë pjesë e Forumit Europian të Siguruesve të Depozitave (EFDI), organizatë që ka si qëllim të ndihmojë në stabilitetin e sistemeve financiare, nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e sigurimit të depozitave.
Me ftesë të Agjencisë së Sigurimit të Depozitave, në takim mori pjesë edhe zëvendëskryetari i EFDI-t dhe njëkohësisht drejtor i përgjithshëm i skemës së sigurimit të depozitave të depozitave të Zvicrës, Patrick Loeb.
Ai iu paraqiti pjesëmarrësve ndryshimet e fundit të Statutit dhe strukturës organizative të EFDI, si edhe projektet e ardhshme të cilat synojnë të forcojnë organizatën dhe anëtarët e saj. Gjithashtu, në këtë takim morën pjesë si të ftuar drejtuesit e fondeve të sigurimit të Greqisë, Bullgarisë dhe Kosovës.