Një prezantuese e BBC-së ka humbur jetën disa ditë pasi kishte marrë dozën e saj të parë të vaksinës së AstraZenecës. Sipas familjarëve të saj, Lisa Shaw, e cila punonte për BBC Newcastle, zhvilloi dhimbje koke ‘të forta’ një javë pasi kishte marrë vaksinën dhe u sëmur rëndë disa ditë më vonë.
“Ajo u trajtua nga ekipi i kujdesit intensiv të RVI për mpiksjen e gjakut dhe gjakderdhjen në kokë.
Tragjikisht ajo ndërroi jetë, e rrethuar nga familja e saj, të premten pasdite. Ne jemi shkatërruar dhe Lisa ka krijuar një boshllëk në jetën tonë që nuk mund të mbushet kurrë. Ne do ta duam dhe do të na mungojë gjithmonë”- thanë familjarët në një deklaratë.
Një certifikatë e përkohshme e vdekjes e përmend vaksinën si një nga faktorët e mundshëm që po merren parasysh për vdekjen e prezantueses. Megjithatë vlerësimi përfundimtar do të dalë më vonë.
Më shumë se 330 raste të një çrregullimi të rrallë të mpiksjes janë vërejtur midis 24.2 milionë personave që kanë marrë vaksinën e AstraZenecës. Ose thënë ndryshe rreth një në çdo 75 mijë njerëz. Deri më tani Pesëdhjetë e tetë pacientë kanë vdekur. Lisa Shaw u bashkua me “BBC Radio Newcastle” në vitin 2016 si prezantuese e përditshme.
Zëri i saj ishte i njohur në veri-lindje të Anglisë, ku ajo gjithashtu kishte pasur një karrierë të suksesshme në radio komerciale. BBC e përshkroi atë si një “prezantuese të shkëlqyer” e cila ishte “e dashur nga audienca jonë”.










