Tre persona janë arrestuar dhe një tjetër është shpallur në kërkim nga Policia, pas dy operacioneve të zhvilluara brenda 24 orëve në qarkun e Gjirokastrës, kundër transportimit të emigrantëve që synonin të kalonin ilegalisht drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Operacionet, të koduara “Zona 01” dhe “Zona 02”, u zhvilluan nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Sektorin Operacional dhe Komisariatin e Policisë Tepelenë.
Gjatë operacionit të parë, në pranga ranë tre shtetas, përkatësisht 43, 38 dhe 45 vjeç, banues në Durrës dhe Tiranë. Dy prej tyre u kapën në afërsi të fshatit Shtëpëz, duke transportuar me automjet katër emigrantë nga vendet e treta. Ndërsa personi i tretë dyshohet se kishte rolin e vëzhguesit, duke lëvizur me një automjet tjetër për të kontrolluar rrugën dhe për të sinjalizuar bashkëpunëtorët në rast të pranisë së Policisë.
Ndërkohë, gjatë operacionit të dytë, Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim një 29-vjeçar, banues në fshatin Cakran të Fierit. Ai nuk iu bind urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar në aksin rrugor “Tepelenë-Memaliaj”, ku po transportonte katër emigrantë. Pas ndjekjes, 29-vjeçari braktisi automjetin në kthesën e Memaliajt dhe u largua, ndërsa Policia vijon punën për kapjen e tij.
Në total, në kuadër të këtyre dy operacioneve janë sekuestruar tre automjete dhe pesë telefona celularë, në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.









