Drejtorët teknikë të vendosur pas marrëveshjes Rama-Basha pritet të shkarkohen.
Burime pranë ministrave teknikë pohojnë se atyre u është kërkuar nga kryeministri Rama që të shkarkojnë drejtorët e përgjithshëm të emëruar nga Partia Demokratike për efekte elektorale, shkruan “Panorama”.
Rama u ka kërkuar ministrave që të vijojnë punën e tyre deri në muajin shtator, kur do të miratohet në Kuvend qeveria e re.
Kryeministri Rama e ka argumentuar shkarkimin e tyre me përfundimin e objektit të emërimit të tyre dhe emërimin e drejtorëve të PS-së, të cilët duhet të kenë kompetenca të plota për t’u ofruar shërbime qytetarëve në zyrat e ALUIZNIt, Drejtorisë së Burgjeve, të Hipotekave dhe të Agjencisë së Zhvillimit Bujqësor e Rural.
Por, sipas të njëjtave burime, ministrat teknikë nuk kanë pranuar që të propozojnë shkarkimin e tyre.
Në këto kushte, pritet që kryeministri Rama të firmosë vetë largimin e tyre, por si efekt i këtij veprimi mund të ketë akte dorëheqjeje nga vetë ministrat teknikë të PD.
Pas emërimit të gjashtë ministrave teknikë dhe zv.kryeministres Mandija, në fillim të muajit qershor nisi dhe emërimi i drejtorëve teknikë, qëllimi i të cilëve ishte ruajtja e administratës publike nga përfshirja e saj në fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.









