Monika Kryemadhi është zgjedhur zyrtarisht në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ajo është zgjedhur në krye të kësaj partie me votim të hapur, duke qenë se nuk ka pasur asnjë rival për kreun e partisë.
Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi ka pasur edhe një mesazh për Ramën.
“Ju falënderoj nga zemra për mbështetjen dhe përkrahjen tuaj.
Edhe pse do të jetë një rrugë e gjatë dhe me vështirësi, por jam e sigurt se do të jetë një rrugë që nuk ka kthim mbrapa.
Tashmë kemi një punë të madhe përpara, rezistencen pasive të shqiptareve ta kthejmë në një zë që proteston dhe denoncon nëpër rrugët dhe sheshet e Shqipërisë.
Sheshet janë për popullin dhe jo për mitingjet e partive.
Ne do të jemi një forcë udhëheqëse opozitare.
Ne do të jemi ata që do ta çojmë për skrap qeverinë e krimit të organizuar dhe shitblerjes së votave.
Rama mund të blejë me paratë e drogës opozitën e deritanishme, edhe një opozitë ndërkombëtare, por LSI kurrë nuk ka për ta blerë” tha Kryemadhi.
Kryemadhi gjatë fjalës së saj në Konventë, ka kërkuar falje për qëndrimin që ka mbajt kjo forcë politike gjatë qeverisje me Ramën.
“Sot para jush unë iu kërkoj një falje për vite që kemi qeverisur me rilindjen.
Ne nuk folëm hapur dhe qarte sepse e bëmë këtë në emër të fjalës së dhënë.
Ky ishte gabimi ynë, qe nuk folëm që Shqipëria po kthehej në një plantacion droge.
Ne nuk e ngritëm zërin kur Shqipëria u kthye në koncesion.
Ne nuk reaguam mjaftueshëm për ligjin e arsimit, duhet të kishim bojkotuar dhe parlamentin.
Për të gjitha këto ne mbajmë përgjegjësi.
Nuk është turp që të pranosh gabimet.
Turpi është i atyre që me planet e tyre po shkatërrojnë Shqipërinë dhe shqiptarët” tha Kryemadhi.
Ajo ka shtuar se beteja e LSI në Parlament do të jetë kundër asaj që e ka quajtur “kasta që ka marrë timonin e krimit”.
“Ne do të bëjmë një opozitë të fortë, pa bërë kompromis me pushtetin”, ka vijuar Kryemadhi.
Vasili: Ne do të jemi opozita e vërtetë
Në fjalën e tij në këtë event, kryetari i deritanishëm Petrit Vasili ka falenderuar ata qytetarë shqiptarë që votuan LSI-në dhe i thanë jo asaj që e ka quajtur “Shqipëria e drogës”.
“25 mijë shqiptarë votuan për Shqipërinë demokratike, jo Shqipërinë e drogës, jo për oligarkët, jo për një opozitë që flirton me pushtetin prapa perdes”, ka thënë Vasili.
Sipas tij, “vendin e ka pushtuar pseudodemokracia që çon në zero çdo shans për të ardhmen dhe që me paratë e krimit tenton të blejë lirinë”.
“Këto vota janë themeli i një betoni të një opozite të vërtetë. LSI do të jetë muri ku do të thyejë kokën pushteti i krimit”, ka thënë Vasili, i cili ka kritikuar ashpër zgjedhjet e 25 qershorit.
“Ato ishin zgjedhjet më të shëmtuara që pluralizmi ka provuar, ishin një ripërsëritje e zgjedhjeve të vitit ‘96, ishin një krim elektoral i strukturuar”, ka vijuar Vasili.
Në këto kushte, ai ka paralajmëruar se LSI ndodhet përballë një misioni historik, ai i bërjes së opozitës së vërtetë.
Në të njëjtat linja, nënkryetari Luan Rama ka nënvizuar se “Shqipëria ka nevojë për opozitë dhe për alternativë të re, ndryshe nga ajo e arrogancës”.









