Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, ka ndjekur nga afër procesin e vaksinimit në qendrën e re shëndetësore në Sarandë, e rikonstruktuar nga Programi Kombëtar i 300 Qendrave Shëndetësore.
“Qendra shëndetësore në Sarandë, tashmë e rehabilituar me kushtet më të mira, falë programit të qeverisë shqiptare për rehabilimitimin dhe ndërtimin e 300 qendrave shëndetësore, ka ndryshuar tërësisht falë investimeve që ne kemi bërë, për infrastrukturën dhe për mbështetjen me të gjithë pajisjen e nevojshme. Kjo qendër ofron shërbime për më shumë se 44.000 qytetarë të Sarandës”, tha Manastirliu.
Duke ndjekur procesin e vaksinimit, Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se ditën e sotme do të mbërrijë në vendin tonë një tjetër sasi e konsiderueshme e vaksinave Pfizer, duke e çuar në mbi 1.700.000 doza totalin e vaksinave të ardhura në vend.
“Do të kemi mbi 50 mijë vaksina Pfizer që vinë sot dhe menjëherë do të shpërndahen në qendrat shëndetësore, në pikat tona të vaksinimit të përqëndruar por gjithashtu ne po vijojmë punën me njësitë lëvizëse për të vaksinuar derë më derë dhe për të vaksinuar në famije, për të vaksinuar qytetarët të cilët e kanë të pamundur që të lëvizin”, tha Manastirliu.