Nga Roland Qafoku
Edi Rama e ka për zemër kryeministrin britanik Harold Macmillan që qeverisi ishullin nga viti 1957 deri në 1963. Më shumë se një herë ka treguar historinë e tij kur e pyetën se çfarë e mbante më shumë nën presion në detyrën e Prime Minister-it. Përgjigja e Macmillan mbetet epike edhe sot: “Events boy, events” (Ngjarjet çun, ngjarjet). Pikërisht mënyra se si ministrat e tij kanë menaxhuar ngjarjet e paparashikueshme, Edi Rama u bën vlerësimet e punës. I mban në detyrë, i shkarkon, i detyron të japin dorëheqjen, apo edhe më keq akoma, i nxjerr fare nga politika. Kryeministri i 33-të në historinë e shtetit shqiptar pritet që këto dy ditë të shpallë qeverinë e re të mandatit të tretë.
Askush nuk di të thotë më shumë se sa të përdorë shprehjen “e di ai”. Askush në kabinet nuk është i sigurtë që do jetë përsëri ministër dhe askush nga ata që Rama i ka në mendje për ti emëruar, nuk e ka idenë nëse do jenë apo jo. Vetëm një gjë është e sigurtë: Punën e tyre do ta vlerësojë vetëm nga mënyra se si kanë menaxhuar ngjarjet. Dhe kjo duket tek ata që kanë qenë ministrat e preferuar të tij, me të cilët ka punuar më shumë, i ka emëruar më shpesh në krye të dikastereve dhe u kë bërë më shumë vlerësime. Ose, siç Milena Harito, një nga ministret e mandatit të parë të PS-së më tha në emisionin “Dekalog” në RTSH 24 kur e kisha të ftuar: “Të punosh me Edi Ramën është shumë e vështirë, në kuptimin pozitiv. Ta merr shpirtin në të gjitha format. Ishte një punë me shumë tension. Dy herë më ka bërë të qaj”.
NJË KRYEMINISTËR ME 46 MINISTRA NË 8 VJET
Në 8 vite gjatë dy mandateve qeverisës, kryeministri Edi Rama ka punuar me 46 persona që u ka besuar drejtimin e ministrieve të ndryshme dhe 4 të tjerë si zëvendësa të tij. Nga këta, 32 ministra kanë qenë të Partisë Socialiste, 8 ministra kanë qenë të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe 6 ministra të Partisë Demokratike, Si ministra e LSI-së dhe ata të PD-së kanë qenë pjesë e qeverisë vetëm në mandatin e dytë. Ndërkohë, nga këta 45 ministra, rezulton që 21 kanë qenë gra dhe 24 burra. Mes katër zëvendëskryeministrave, dy janë gra dhe dy burra, përkatësisht Niko Peleshi, Ledina Mandia, Senida Mesi dhe Erion Braçe. Këta 45 ministra kanë drejtuar 19 ministri gjatë mandatit të parë dhe 15 ministri gjatë mandatit të dytë.
ASNJË MINISTËR 8 VJET. MINISTRI MË JETËGJATË ÇUÇI, MË JETË SHKURTËR VASILI
Ajo që bien ë sy në këto 8 vite të qeverisjes si kryeministër të Edi Ramës asnjë ministër nuk ka qendruar 8 vite në detyrë. Rekordmeni i jetëgjatësisë është Bledi Çuçi që ka qendruar në detyrën e ministrit 6 vjet e 3 muaj, duke drejtuar tre dikastere. Çuçi ka qenë ministër Shteti i Çështjeve Vendore nga shtator i vitit 2013 deri në mars të vitit 2017. Më pas ka qenë Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural nga dhjetori i vitit 2018 deri në dhjetor 2020. Dhe së fundi Çuçi ka qenë ministër i Brendshëm nga dhjetori 2020 e në vijim. Pas Bledi Çucit ministri i dytë më jetëgjatë rezulton Arben Ahmetaj me 6 vite e 1 muaj. Ahmetaj ka qenë katër herë ministër si askush tjetër që të ketë marrë kaq shumë emërime dhe dekretime. Ai ka mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë nga shtatori i vitit 2013 deri në shkurt 2016. Më pas ka qenë ministër i Financave nga shkurti i vitit 2016 deri në shtator 2017. Ahmetaj ka qenë ministër i Financave edhe në mandatin e dytë nga shtatori 2017 deri në dhjetor 2018. Më pas ai u emërua ministër Shteti për Rindërtimin në dhjetor 2019, post që e mban ende.
Pas Çuçit dhe Ahmetajt, ministrat me kohën më të gjatë në detyrë vijnë Ditmir Bushati dhe Damian Gjiknuri me 5 vjet e 3 muaj. Bushati ka qendruar në postin e ministrit të Jashtëm dhe Gjiknuri në detyrën e ministrit të Energjisë nga shtatori i vitit 2013 deri në dhjetor 2018. Të dy e kanë mbajtur këto detyra gjatë mandatit të parë për 4 vjet dhe gjatë mandatit të dytë nga shtator 2017 deri në dhjetor 2018.Ministrat më jetëshkurtër në detyrë kanë qenë jo socialistë. Rekordmeni është Petrit Vasili, i cili qendroi në detyrën e ministrit të Drejtësisë vetëm 3 muaj e 19 ditë. Pas tij vijnë gjashtë ministrat e Partisë Demokratike që u emëruan në detyrat përkatëse nga maji i vitit 2017 dhe qendruan në detyrë deri në shtator 2017 pas marrëveshjes mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Ministrat e PD ishin: Dritan Demiraj, Gazmend Bardhi, Mirela Karabina, Helga Vukaj, Arben Beqiri dhe Xhuljeta Kërtusha.
TË QENDRUESHMIT DHE PROBLEMATIKËT E QEVERIVE TË RAMËS
Janë disa ministra që kanë konsumuar një mandat të plotë dhe disa prej tyre edhe pak më shumë. Mimi Kodheli si ministre e Mbrojtjes ka qenë gjatë gjithë mandatit të parë në këtë detyrë. Milena Harito gjithashtu ka qendruar 4 vjet në detyrën e ministres së Inovacionit dhe Administratës Publike. Eglantina Gjermeni ka konsumuar një mandat të plotë si ministre duke qenë 4 vjet në detyrën e ministres së Zhvillimit Urban. Të tjerë socialistë që kanë konsumuar një mandat të plotë, por edhe më shumë se kaq janë: Ditmir Bushati, Damian Gjiknuri dhe Mirela Kumbaro. Ndërkohë që mandat të plotë kanë konsumuar edhe tre përfaqësues të LSI-së: Klajda Gjosha si ministre e Integrimit, Lefter Koka si ministër i Mjedisit dhe Edmond Panariti si ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Urban. Të tri këto ministri quhen “vende pëllumbash” për nga telashet. Ministria e Brendshme, ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave, vërtetë janë më të lakmuarat, janë edhe mina me sahat për drejtuesit.
Të tre dikastet në tetë vjet janë drejtuar nga 5 ministra. Ministrat e Brendshëm nga shtatori 2013 e deri më sot kanë qenë: Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj, Dritan Demiraj, Fatmir Xhafaj, Sandër Lleshaj, Bledi Çuçi (Xhafaj herën e parë vetëm dy muaj). Ministrat e Drejtësisë në këto tetë vjet kanë qenë: Nasip Naço, Ylli Manjani, Petrit Vasili, Gazmend Bardhi dhe Etilda Gjonaj. Ministrat e Financave kanë qenë: Shkëlqim Cani, Arben Ahmetaj, Helga Vukaj, Arben Ahmetaj, Anila Denaj, Nuk mbetet aq shumë pas Ministria e Jashtme me 4 drejtues. Drejtues të ministrisë së Jashtme kanë qenë: Ditmir Bushati, Edi Rama, Gent Caka në detyrë, Olta Xhacka. Katër drejtues ka patur edhe Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, një dikaster që nuk ekziton më, por është pjesë e ministrisë së Shëndetësisë; Ministra të saj kanë qenë: Erion Veliaj, Blendi Klosi, Olta Xhaçka, dhe Xhuljeta Kërtusha.
TË DORËHEQURIT DHE TË SHKARKUARIT
Ka edhe një element tjetër me ata që cilësohen “të paqendrueshëm”. Në këto 8 vjet, janë 8 ministra që kanë dhënë dorëheqjen. Ata janë: Ilirjan Celibashi si ministër Shtetit për Marrëdhënieve me Parlamentin, Nasip Naço si ministër i Drejtësisë, Saimir Tahiri si ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj si ministër i Brendshëm, Sandër Lleshaj si ministër i Brendshëm, Lindita Nikolla si ministre e Arsimit, Besa Shahini si ministre e Arsimit dhe Gent Cakaj si ministër në detyrë për Evropën dhe i Punëve të Jashtme. Pra, rezulton se posti i Ministrit të Brendshëm, i Arsimit dhe i Drejtësisë janë patatet e nxehta të qeverisë Rama dhe jo vetëm. Ndërkohë, nga 8 ministrat e dorëhequr 7 prej tyre janë përfaqësues të Partisë Socialiste dhe vetëm 1 ka qenë i LSI, Nasip Naço. Madje duke qenë se edhe Naço është zgjedhur deputet i PS-së mund të jemi të saktë të themi se të gjithë dorëheqjet i kanë dhenë përfaqësues të PS-së. Por, ka edhe ministra që janë shkarkuar nga kryeministri Rama, një formë që tregon se ata nuk kanë pranuar të japin dorëheqjen. Shkëlqim Cani si ministër i Financave dhe Ylli Manjani si ministër i Drejtësisë, Ditmir Bushati ministër i Jashtëm janë tre shkarkimet më të bujshme të ndodhur gjatë mandatit të parë të qeverrisjes socialiste.
TË PËRJASHTUARIT E PËRHERSHËM
Në shtator të vitit 2015 kryeministri Edi Rama u dërgoi një e-mail të gjithë ministrave të kabientit të vet. Ishte një lloj manifesti i padëgjuar më parë që kryeministri u hiqte veshin vartësve të vet duke i cilësuar me disa epitete: “Arrogante me njëri–tjetrin në të gjitha format e shprehjes së këtij tipari gërryes për pushtetin. Arrogantë me deputetët që janë kush janë dhe si janë, janë baza e pazëvendësueshme për të ngritur punën tonë të përditshme dhe për të realizuar objektivat afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata! Arrogantë me miletin, përmbledhur në këtë koncept të gjithë pa përjashtim e pa ndryshim kategorish. A ju ka munduar ndonjëherë pyetja ç’bëhet në godinat jashtë barkut të pallatit të pushtetit tuaj, ku horrllëku në sjellje dhe gërryerja e gjithandejme e pushtetit tonë vijon përditë, çdo orë, në çdo raport pune dhe mbi çdo punë për t’u bërë e për t’u raportuar”? Nuk dimë të themi nëse ata që ka shkarkuar apo ata që nuk i ka përfshirë në kabinetet e riformatuara Edi Rama janë ministrat që kanë patur turkun në mendje. Por, fakt është se një pjesë e tyre janë përjashtuar nga të gjithë funksionet dhe jeta politike. Lista në dukje është e shkurtër, por pushteti i emrave dikur ka qenë i madh.
Ministrat e larguar janë: Shkëlqim Cani, Saimir Tahiri, Ditmir Bushati, Milena Harito, Eglantina Gjermeni dhe zëvendëskryeministrja Senida Mesi. Mund të themi se Cani u emërua si një nga ekonomistët më të mirë të PS, por largua nga Rama me një përjashtim nga e gjithë karriera. Saimir Tahiri ka qenë një nga politikanët më të pushtetshëm në PS, por u largua dhe më pas iu ndërpre karriera politike pas një çështje penale që u hap ndaj tij. Edhe më e fortë ka qenë largimi i Ditmir Bushatit që ndodhi për përplasjet që ka patur me Edi Ramën. Por kjo i solli largimin nga detyra. Ndryshe qendron puna me Milena Hariton. E kthyer nga Franca pas një eksperience në kompaninë e njohur “Orange”, ajo vërtetë qendroi katër vjet ministre, por në mandantin e dytë jo vetëm që nuk u përfshi në cabinet, por nuk ishte as kandidate për deputete. Po kështu ndodhi edhe me ministren Eglantina Gjermeni por edhe me zëvendëskryeministren Senida Mesi.
MANDATI I PARË ME 34 MINISTRA
Kryeministri Rama ka patur 34 ministra gjatë mandatit të parë në kabinetin e tij. Nga këta, ka patur 12 gra dhe 22 burra. Ndërkohë këtyre shifrave duhet shtuar që kryeministri Rama kishte gjatë këtij mandati një burrë dhe një grua zëvendëskryesministër Niko Peleshi dhe Ledina Mandia. Kabineti i tij në këtë mandat është përbërë nga 18 ministri, dy prej të cilave kanë qenë pa portofol, por në rangun ministri shteti. Nga këta 34 anëtarë kabienti, 19 ministra kanë qenë të PS, 8 ishin të LSI, 7 ishin të PD. Edi Rama e nisi mandatin e parë me 20 pjestarë në kabinetin qeveritare duke përfshirë edhe zëvendëskryeministrin Niko Peleshi. Kishte 19 ministri, nga këto dy pa portofol. Por pasi bëri koalicion me LSI dhe me PD numri shkoi në 34.
Qeveria Rama 1 (Shtator 2013-Shtator 2017)
Kryeministër, Edi Rama
Zëvendëskryeministër, Niko Peleshi (PS, Shtator 2013-Maj 2017), Ledina Mandia (PD, Maj 2017-Shtator 2017)
Ministër i Mbrojtjes, Mimi Kodheli (PS, Shtator 2013-Shtator 2017).
Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj (PS, Shtator 2013-Shkurt 2016), Milva Ekonomi (PS, Shkurt 2016-Shtator 2017.
Ministër i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri (PS, Shtator 2013-Mars 2017 dorëheqje, Fatmir Xhafa (PS, Mars 2017-Maj 2017), Dritan Demiraj (PD, Maj 2017-Shtator 2017).
Ministër i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati (PS, Shtator 2013-Shtator 2017).
Ministër i Integrimit Evropian, Klajda Gjosha (LSI, Shtator 2013-Shtator 2017).
Ministër i Financave, Shkëqlim Cani (PS Shtator 2013-Shkurt 2016), Arben Ahmetaj (PS, Shkurt 2016-Maj 2017), Helga Vukaj (PD, Maj 2017-Shtator 2017).
Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto (LSI, Shtator 2013-Shtator 2016), Sokol Dervishaj (Shtator 2016-Shtator 2017).
Ministër i Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni (PS, Shtator 2013-Shtator 2017).
Ministër i Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla (PS, Shtator 2013-Maj 2017, Mirela Karabina (PD, Maj 2017-Shtator 2017).
Ministër i Drejtësisë, Nasip Naço (LSI, Shtator 2013-Nëntor 2015 dorëheqje), Ylli Manjani (LSI, Nëntor 2015-Janar 2017 Shkarkim), Petrit Vasili (LSI, Shkurt 2017-Maj 2017), Gazmend Bardhi (PD, Maj 2017-Shtator 2017).
Ministër i Kulturës, Mirela Kumbaro (PS, Shtator 2013-Shtator 2017).
Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj (PS, Shtator 2013-Prill 2015), Blendi Klosi (PS, Maj 2015-Mars 2017), Olta Xhaçka (PS, Mars 2017-Maj 2017), Xhuljeta Kërtusha (PD, Maj 2017-Shtator 2017)
Ministër Shteti për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito (PS, Shtator 2013-Shtator 2017).
Ministër i Shëndetësisë, Ilir Beqja (PS, Shtator 2013-Maj 2017, Arben Beqiri (PD, Maj 2017-Shtator 2017).
Ministër i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri (PS, Shtator 2013-Shtator 2017).
Ministër i Mjedisit, Lefter Koka (LSI, Shtator 2013-Shtator 2017).
Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujrave, Edmond Panariti, (LSI, Shtator 2013-Shtator 2017).
Ministër Shteti për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi (PS, Shtator 2013-Gusht 2014 dorëheqje), Ermonela Felaj (PS, Gusht 2014 -Shtator 2017).
Ministër Shteti për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi, (PS, Shtator 2013- Mars 2017), Eduard Shalsi (PS, Mars 2017-Shtator 2017).
MANDATI I DYTË ME 21 MINISTRA
Mandati i dytë i cilësuar si mandati i qeverisjes me “forcat e veta”, ka qenë i gjithë socialist. Nga shtatori 2017 e deri në këto momente, pra gjatë gjithë mandatit të dytë, kabineti i Edi Ramës ka patur 21 ministra dhe dy zëvendëskryeministra, të gjithë përfaqësues të Partisë Socialiste. Edhe pse deklaroi se do ishte një qeveri e voël për nga numri, ajo ia kalon qeverisë 1 për nga numri i ministrave që kanë drejtuar një kabinet. Mes tyre, 13 janë gra dhe 15 janë burra. Ndërkohë për nga gjinia, gruaja në këtë kabinet ka shënuar rekord në historinë e shtetit 109-vjeçar shqiptar. Aktualisht kabineti ka 9 ministre gra dhe 6 ministra burra.
Kabineti Rama 2 (Shtator 2017-Shtator 2021)
Kryeministër, Edi Rama
Zëvendëskryeministër, Senida Mesi (PS, 13 shtator 2017-28 dhjetor 2018), Erion Braçe (PS, Dhjetor 2018-Shtator 2021).
Ministër i Jashtëm, Ditmir Bushati (Shtator 2013-Dhjetor 2018), (Edi Rama, në detyrë Gent Cakaj (Janar 2019-Dhjetor 2020 dorëheqje), Olta Xhaçka (Dhjetor 2020-Shtator 2021).
Ministër i Brendshëm, Fatmir Xhafaj (Shtator 2017-Tetor 2018 Dorëheqje), Sandër Lleshaj (Nëntor 2018-Dhjetor 2020 Dorëheqje), Bledi Çuçi (Dhjetor 2020-Shtator 2021).
Ministre e Mbrojtjes, Olta Xhaçka (Shtator 2017-Janar 2021), Niko Peleshi (Janar 2021-Shtator 2021).
Ministre e Drejtësisë, Etilda Gjoni (Shtator 2017-Shtator 2021)
Ministre e Kulturës, Mirela Kumbaro, Elva Margariti (Shtator 2017-Shtator 2021).
Ministër i Financave, Ekonomisë dhe Punës Arben Ahmetaj (Shtator 2017-Dhjetor 2018), Anila Denaj (2017-2021).
Ministre e Arsimit, Sporteve dhe Rinisë, Lindita Nikolla (Shtator 2013-Dhjetor 2018), Besa Shahini (Shtator 2018-Shtator 2020 Dorëheqje), Evis Kushi (Shtator 2020-Shtator 2021).
Ministre e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu (Shtator 2017-Shtator 2021).
Ministër i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri (Shtator 2013-Dhjetor 2018), Belinda Balluku (Dhjetor 2018-Shtator 2021).
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Niko Peleshi (2017-Dhjetor 2018), Bledi Çuçi (Dhjetor 2018-Dhjetor 2020), Milva Ekonomi (Dhjetor 2020-Shtator 2021).
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi (Maj 2017-Shtator 2021).
Ministër i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko (Shtator 2017-Shtator 2021).
Ministër i Shtetit për mbrojtjen e sipërmarrjes Sonila Qato (Shtator 2017-Dhjetor 2018), Eduard Shalsi (Dhjetor 2018-Shtator 2021).
Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali (Dhjetor 2018-Shtator 2021).
Ministër i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj (Dhjetor 2019-Shtator 2021).
TË SIGURTËT DHE TË PASIGURTËT E MANDATIT TË TRETË
Përsëri Edi Rama me rrëfimet e tij: “Më kujtohet njëherë një socialist i vjetër që i ankohej një socialisti tjetër pak më i ri, që i thoshte: Po si më la mua ky Nanua, i mori të gjithë dhe unë mbeta. Po s’të la Nanua,-i tha-le veten, se nuk e kuptove që kjo punë është si autobus urban, ikën autobusi dhe vjen prapë. Boll të rrish të presësh në stacion. Ti ike dhe humbe autobusin. Ndërkohë me shumë këtu u bëmë gjatë në këtë karusel, rrotullohemi duke u ngjitur e duke zbritur, besoj që nuk na falet të plakemi pa e kuptuar se jo vetëm sa të përkohshëm jemi në këtë botë”. Morali i fabulës të treguar nga Edi Rama është se kryeministri i tre mandative pritet të bëjë ndryshime radikale në qeveri. Madje, atë që ai e ka thënë disa herë se nuk mund të rri një ministër më shumë se 5 vjet do ta bëjë realitet. Së pari, në një formë apo tjetër, Rama ka dhënë mbështetje për disa ministra. Elisa Spiropali, Ogerta Manastirliu, Olta Xhaçka dhe Belinda Balluku janë pothuajse emrat e sigurtë që do jenë edhe në kabinetin Rama 3. Të vetmen që e ka nominuar është Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.
“Është dita për të falënderuar Ministren për Marrëdhënien me Parlamentin. Elisa ka qenë e përkushtuar në punën e saj duke lehtësuar punën e qeverisë për Parlamentin”, theksoi Rama të premten. Pritet të konfirmohet gjithashtu në detyrë ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Ishte e mjaftueshme ajo që tha disa ditë më parë për sektorin që menaxhoi dhe vazhdon ta bëjë pandeminë e Covid 19. Një tjetër konfirmim pritet të jetë ministrja e Punëve të Jashtme Olta Xhaçka. Rama foli me superlativa për dikasterin e saj, rrjedhimisht duke vlerësuar ministren: “Reputacioni ndërkombëtar i vendit dhe besueshmërisë nga aleatët dhe përfshirja e diasporës si asnjëherë më parë në marrëdhëniet me qeverinë dhe seriozitetin që e marrin Shqipërinë në çdo instancë ndërkombëtare nuk kanë asnjë krahasim me vitin 2013, ku sot janë shumë më lartë edhe se 2017. Edhe Belinda Balluku pritet të konfirmohet si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Nga fjalët që adresoi ndaj dikasterit që ajo drejton Rama ka lënë të kuptohet se Balluku do jetë sërish pjesë e kabientit: “Falë punës së kësaj qeverie në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë kemi krijuar kushte më të qëndrueshme për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik dhe social të vendit në dekadën ku sapo kemi hyrë, ku Shqipëria do të kthehet në eksportuese neto të energjisë”. Por çështja është se cilët janë ata që nuk do jenë më ministra. Emri i parë e bëri vetë publike pak ditë më parë largimin ishte ai i zëvendëskryeministrit Erion Braçe, që në këto 8 vjet ka qenë i vetmi zëvendës real mes katër atyre që kanë mbajtur këtë detyrë. Ndërkohë nga ministrat që nuk do jenë më pjesë e qeverisë të parët ndoshta ata që kanë shumë në qeverisjen e tij. Të paktën nëse Rama i mbetet fjalës së vet se kabineti i ri do të ketë emra të rinj, por paralajmëroi se karriget nuk do të jenë të përhershme pasi do të ketë stola rezervë që do të energjizojnë ekipin në vijimësi.
Ky për Ramën është edhe avantazhi që do i jap kabinetit të tyre përballën rivalëve. Disa të rinj dhe të reja të diplomuar jashtë dhe që u bënë pjesë e fushatës elektorale, por edhe thirrjeve nëpërmjet një platforme elektronike për tu kthyer në Shqipëri, pritet të jenë surpriza e kabinetit të ri. Në pikëpyetje janë disa ministra që Rama u bëri kritika si Blendi Klosi i Turizmit kur Rama tha: Duke e mbajtur mirë shënim dhe çka nuk arritëm të bënin sa dhe si duhet për mangësitë tona, ende të konsiderueshme, në aspektin cilësor të sezonit turistik si përshembull, plagën ende të hapur, në disa raste edhe kutërbuese, të plehrave dhe të papastërtisë në zonat turistike ku duhet ndërruar qasja dhe përqendruar energji e forca shumë më të mëdha. Pa harruar administrimin e plazheve që në këtë sezon la jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar. Por edhe të tjera mangësi akoma që duhen administruar me qartësi, me shpejtësi, me këmbëngulje dhe me shumë vendosmëri më tej.
Në shenjestër të Ramës është edhe arsimi për të cilin bëri shumë kritika, veçanërisht për universitetet. Ra jo pak në sy fakti që gjatë vizitës në kompleksin ku afganët janë strehuar në Durrës ishte zëvendëministrja Bora Muzhaqi dhe jo Evis Kushi. Sërish i kthehemi asaj letrës që Rama u drejtoi ministrave në shtator 2015: “E pra, mësojeni përpara se sa të bëhet vonë, sepse së shpejti do jetë vonë, që unë nuk bashkëjetoj dot me këtë situatë dhe nuk i honeps dot me reflekset e sjelljeve tuaja mbi njerëzit, që nga shqiptarët e deri tek ndërkombëtarët që kanë nisur të bëjnë humor me arrogancën tuaj! Dhe nuk honeps dot më as që porositë e mia në këtë drejtim të merren si pjesë e mërzitshme e të qenit në një klasë ku fjalët e zyshës i merr era. Kjo qeveri ka vetëm një armik dhe ky armik është turku që jeton brenda secilit prej jush. O mbyteni, o përgatituni për të lënë anijen!!!”. Të presim të mërkurën kush do jetë dhe kush nuk do jetë në anije.