Një prej dëshmitarëve të vdekjes së 16-vjeçares ruse në Ksamil ditën e sotme deklaroi se ajo nuk ra nga shkëmbi, por u godit nga një motor uji që ishte brenda zonës së ndaluar për këto mjete.
Sipas të pranishmit, pasi ka çarë vajzën dhe ka parë që në ujë kanë nisur shenjat e gjakut, drejtuesi i motorit të ujit është larguar me shpejtësi, ndërsa një person me një varkë të thjeshtë ka nxjerrë në breg trupin e viktimës. Dëshmitari rrëfen se 16-vjeçarja kishte 20 minuta që nga momenti që e pa ruajtësi i varkave dhe policia është vonuar gati gjysëm ore për të ardhur në vendin e ngjarjes.
“Në tragjedinë që ndodhi në Tre ishujt e Ksamilit vajza është goditur me jetsky brenda kufirit të ishullit dhe personi me motorin e ujit është larguar sapo ka parë njollat e gjakut. Policia po e fsheh faktin që ka qenë një jetsky në ujë. Një person që rri tek varkat që marrim çdo ditë e nxori viktimën nga uji. Ajo ishte e goditur dhe kishte mbi 20 minuta nga momenti që e kishte parë ky. Ai mori në moment policinë dhe ata vonuan gati gjysmë ore, ndërkohë që jetsky u fut brenda kufirit që nuk lejohet dhe që është vetëm për pushuesit që notojnë. Ai që e ka vrarë është zhdukur dhe policia asgjë s’po bën për ta kapur. Theksoj që nga deti vajzën e ka nxjerrë ky që transportonte njerëz për në ishull me një barkë të vogël. Ajo kishte çatje në trup dhe goditje në kokë.” – tregon pushuesi për Joq, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje.
Ai shton më tej se situata në Ksamil është me të vërtetë e frikshme, duke qenë se as 200 metra larg bregut të detit lundrojnë me shpejtësi motorë uji, të cilët rrezikojnë seriozisht jetën e të gjithëve dhe askush nuk bën as një gjë për të ndalur këtë rrëmujë të madhe.









