Kur flet për një qytet me histori, me bukuri madhështore dhe legjendare mbi mal, padyshim që je duke folur për Gjirokastrën, “qytetin e gurtë”. Ky vend të jep mundësinë e artë që të kesh para syve rrugët e shtruara një më një me gur të bardh e të zi, shtëpitë dykatëshe të ngjitura me njëra-tjetrën, çatitë e gurit të latuar mirë dhe aty lartë sipër kokës tënde një “objekt” madhështor që thjesht të bën ta shikosh e ta adhurosh, ky “objekti” është Kalaja e Argjiros e cilësuar si më e gjata në Ballkan. Sigurisht që nga ky vend do të presësh akoma në shumë, në ato sokaqe të ngushtë do të rriteshin e do të shëtisnin njerëz nga më të mëdhenjtë, që do linin kontributin e tyre edhe për qytetin ku u rritën.
Gjirokastra të edukon me ndjenjën e të rregulltës, sepse ashtu është edhe vetë, saqë një moment duket se shtëpitë e kanë ditur vetë se si duhet të vendoseshin që qyteti të dukej më i pastër dhe i sistemuar. Gjirokastra të edukon me ndjenjën e atdhedashurisë që nga guri i parë që shënon qytetin e deri në gurin e fundit të çatisë në lagjen e Dunavatit, se aty janë rritur atdhetarë si Bajo Topulli, Çerçiz Topulli e shumë të tjerë. Gjirokastra të edukon me ndjenjën e arsimdashjes me profesorë që rrallë nuk mund të bëhen dy, siç mund të përmendim Profesorin e madh Eqerem Çabejn. Por cilat qenë ato figura që përveç edukatës, morën pjesë nga shpirti i “zonjës së rëndë”?
Le ta nisim me ato figura që kanë pasur mundësinë të kalojnë, por edhe të sundojnë këtë qytet të lashtë.Si fillim na del që ka qenë Gjin Zenebishi ai që e ka pasur nën pushtet dhe që atëherë Gjirokastra ka qenë një vend shumë i zhvilluar dhe me një ekonomi të lartë, jo sepse gjirokastritët shquhen për kursim, por sepse mundësitë që të ofrojnë fushat afër lumit Drino, mali i Çajupit e gjithë mali i Nemçkës ishin të shumta, duke marrë parasysh që të ofronin mundësinë e zhvillimit të bujqësisë e blektorisë dhe jo vetëm, edhe të zejtarisë e shumë profesioneve të tjera.
Ai që e ka vlerësuar përsëri Gjirokastrën ka qenë edhe Evlia Çelebi, i cili ishte udhëtar dhe kronist shumë i njohur në Peranorinë Osmane. Ai u bë i njohur për të dhënat e vëzhgimet që botoi rreth vendeve ku kishte udhëtuar. Bir i një argjendari të oborrit perandorak, ai u edukua në Stamboll. Njihej edhe me emrin Dervish Mehmet Zılli. Shkrimet e para të tij ishin në formë shënimesh të marra gjatë udhëtimeve nëpër Stamboll, në të cilat përshkruheshin ndërtesat, tregjet, zakonet dhe kultura. Udhëtimin e parë jashtë vendit e bëri më 1640.
Shënimet e udhëtimit përfshijnë një periudhë 40 vjeçare dhe përmblidhen në një vepër prej 10 vëllimesh, të quajtur Sejahatname (Libri i udhëtimeve). Megjithëse shumë nga përshkrimet e tij janë dukshëm të tepruara, shënimet pranohen gjerësisht si udhërrëfyes i dobishëm i aspekteve kulturore dhe mënyrës së jetesës në Perandorinë Osmane të shekullit XVII.
Mes rajoneve që Çelebi vizitoi dhe përshkroi ishin Kaukazi, Lindja e Mesme, Bullgaria, Vllahia, Moldavia, Transilvania, Hungaria, Vjena, Serbia, Kroacia, Bosnja, Dalmacia, Shqipëria, Greqia, Rusia, Meka, Egjipti dhe Sudani. Evlia Çelebi vizitoi Shqipërinë tri herë. Shumica e shënimeve të tij i përkasin udhëtimit të vitit 1670. Duke ardhur përmes Korfuzit, ai udhëtoi në Gjirokastër përmes Delvinës, e më pas në Tepelenë, Skrapar, Përmet, Berat, Kaninë, Vlorë, Bashtovë, Durrës, Kavajë, Peqin, Elbasan, Strugë, Ohër dhe Pogradec për të vazhduar më tej në Maqedoni.
Nuk mund të rrinim pa përmndur as George Gordon Byron, përfaqsuesin e romantizmi, i cili e ka vizituar Shqipërinë në 1809, kur erdhi në Janinë dhe Ali Pasha e ftoi në Tepelenë në qytetin ku ka lindur në pallatin e preferuar, vetëm një ditë larg Beratit. Po megjithëse ishte pajisur me të gjitha lehtësirat e duhura dhe të përcjellë nga një prej sekretarëve të vezirit, mezi e mbaroi udhëtimin e tij (për shkak të shirave) brenda nëntë ditëve, një udhëtim që në të kthyer e bëri në më pak se katër ditë.
Ruges kaloi afër dy qyteteve, Gjirokastrës dhe Libohovës, të cilat me sa dukej, nuk qenë shumë më të vegjël nga Janina. Bajron shkroi se Shqiptarët i kishin lene pershtypje në sy përmes shëmbëllimit që kanë me malësorët e Skocise në veshje, në fytyrë dhe në mënyrën e jetesës. Dhe vetë malet e tyre më duken si të Kaledonisë, veçse me klimë të butë. Vizita në Shqipëri i la mbresa të thella Bajronit. Te shqiptarët ai pa një shpirt të veçantë, i cili ndezi imagjinatën e tij poetike për tema ekzotike.
Në shënimet e mbajtura, kur ishte në Shqipëri, për poemën Shtegtimi i Çajld Haroldit, ai shkruante për shqiptarët: Më tërheqin shumë me atë ngjashmërinë e tyre me Hajlanderët e Skocisë, në veshje, në pamje dhe në mënyrën e jetesës. Si kujtim ai mori një kostum tradicional shqiptar, me të cilin piktori Tomas Filips i ka bërë një portret. Ky kostum ka një histori më të gjatë. Ai aktualisht është i ekspozuar në Boëood Estates, Angli. Në përshkrimin e udhëtimeve të tij Bajroni thotë: Në udhëtimet e mia kam mësuar të mendoj si filozof, dhe po të mos bëja ashtu, ankimi sdo të kish dobi.
Një tjetër figurë shumë e rëndësishme që ka vizituar qytetin e gurtë ka qenë e piktori i famshëm Edëard Lear, i cili ka realizuar edhe një pikturë shumë të vlerësuar të kështjellës me ujësjellësisn, për të cilën duhet të themi që është i vetmi fakt real që tregon sesi ka qenë më parë kalaja.
Eduardi krijoj vepra madhore ndër të cilat edhe mbi 100 peisazhe mbi Shqipërinë. Shumica e këtyre peisazheve janë akuarele dhe litografi. Këto punime janë botuar në shekullin e kaluar nën titullin Edëard Lear in Greece (Eduard Lir në Greqi). Ndërsa nga fundi i shekullit përshkrimet e bëra nga Eduardi nëpër Shqipëri janë botuar në një përmbledhje nën titullin Edëard Lear in Allbania: Journalls off a Landscape Painter in Albania and Illyria (Eduard Lir në Shqipëri: ditari i një piktori pejzazhist në Shqipëri dhe Iliri). Po kjo vepër është përkthyer në gjuhen shqipe nga Majlinda Nishku. Fragmenti që vijon është një përshkrim i Shqipërisë nga Lear në “Ditarët e një peizazhisti në Greqi dhe Shqipëri”, 1848:
“Për turistin e pamësuar Shqipëria është një rebus nga më të ngatërruarit. Çfarëdo që ai ka mësuar për emërtimet e vjetra Epir, Molosët, Tesprotët etj. kalaqafet dhe ngatërrohet nga emrat e njësive administrative turke dhe pashallëqet; për më tepër, si kërcu përmbi samar, turistin e shkretë e hutojnë edhe më keq një takëm emrash autoktonë si Çamëria, Dibra etj. Dhe sapo ai nis të kuptojë potpurinë laramane që banon këto provinca – grekë, sllavë, shqiptarë, bullgarë ose vllahë, përsëri pëson një trullosje nga një listë tjetër nënndarjesh, lebër, mirditorë, himarjotë dhe toskë. Raca, fe dhe emërtime kombëtare duken të përcaktuara kaq keq ose kaq të kokolepsura, sa në fund turisti do të dorëzohej i dëshpëruar nga ky studim shastisës, nëse nuk do i vinin në ndihmë shumë libra të shkëlqyer që janë botuar lidhur me këtë temë.”
Por pavarësisht gjithë figurave që e kanë vizituar Gjirkastrën ka dhe nga ata që kanë dalë nga gjiri i saj dhe i kanë ngritur kohën lartë jo vetëm qytetit, po gjithë vendit, një ndër ta është edhe luftëtari, atdhetari Çerçiz Topulli. Mjedisi familjar në të cilin u rrit e sidomos vëllai më i madh Bajo Topulli, ndikuan në formimin e tij si atdhetar i vendosur. Mori pjesë në veprimtarinë e Komitetit të Fshehtë «Për lirinë e Shqipërisë» në Gjirokastër.
Në prill të 1907 komandoi çetën e armatosur që vepronte në Shqipërinë e Jugut, e sidomos në krahinat e Gjirokastrës dhe të Korçës. Me vendim të Komitetit të Gjirokastrës, anëtarë të çetës së tij vranë në fillim të marsit 1908 në Gjirokastër komandantin turk të xhandarmërisë. Drejtoi Luftën e Mashkullorës më 18 mars 1908.
Në thirrjen “Nga malet e Shqipërisë” drejtuar bashkatdhetarëve të tij dhe botuar në janar 1907 në gazetën “Shpresa e Shqipërisë” Çerçiz Topulli pasi dënonte grabitjet e administratës osmane kërkonte që Shqipëria të shkëputej nga Perandoria Osmane dhe të bëhej e lirë dhe e pavarur. Ai shprehte bindjen se e vetmja rrugë për çlirimin e Shqipërisë ishte ajo e kryengritjes së përgjithshme të armatosur, dhe ftonte gjithë shqiptarët të ngriheshin me armë në dorë në luftën për lirinë e Shqipërisë.
Pas fitores së revolucionit xhonturk të 1908, Çerçiz Topulli punoi për formimin e klubeve shqiptare dhe për çeljen e shkollave shqipe në viset e ndryshme të vendit. Në shoqëritë dhe klubet patriotike mbrojti interesat e kombit dhe të vegjëlisë. Pas Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912 u vu në shërbim të qeverisë së I. Qemalitdhe luftoi për mbrojtjen e tërësisë territoriale të atdheut, në disa kryengritje të armatosura, për sprapsjen e grekëve nga tokat e pushtuara në jug (pas konferencës së Londrës), por edhe kundër rebelimit të Haxhi Qamilit në Shqipërinë e Mesme.
Në shtator të vitit 1914 Çerçiz Topullin e Muço Qullin i gjejmë në Shkodër, ku mendohet të kenë shkuar për t’ju bashkuar mbrojtjes së trojeve nga pushtimi serbo-malazez. Arrestohen për të parën herë në 28 qershor dhe lirohen shumë shpejt. Por arrestohen sërish në 7 korrik 1915 në Fushën e Shtoit (Shkodër) nga një togë malazeze rrugës për në Çetinë. Për 20 vjet eshtrat e dy heronjve mbetën pa varr, në Shtoj të Shkodrës, deri sa u zbuluan në vitin 1936 nga Javer Hrushidi, mik fëminie me Çerçizin dhe prefekt i Shkodrës aso kohe.
Një tjetër njeri i madh që e ka nderuar dhe po vazhdon që ta nderojë Gjirokastrën dhe gjithë Shqipërinë kudo që shkon është edhe legjendari Ismail Kadare (lindur më 1936). Kadare është njëri nga shkrimtarët më të shquar bashkëkohorë, i nominuar disa herë për çmimin “Nobel” në letërsi. Ai shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe sprova. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë. Deri më sot veprat e tij janë përkthyer në mbi dyzetepesë gjuhë të botës.Në vitin 1996 Kadare u bë anëtar për jetë i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike në Francë.
Në vitin 1992 u vlerësua me Prix Mondial Cino Del Duca; më 2005 fitoi Man Booker International Prize, më 2009 çmimin Princi Asturias për Artet, kurse në vitin 2015 Çmimin Jeruzalem , e më 2016 presidenti francez ia ndau titullin “Komandant i Legjionit të Nderit”. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë. Me pëlqimin e tij, duke filluar nga viti 2015, fondacioni Mapo filloi të ndajë çmimin “Kadare” për letërsi. Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga Realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit.
Si mund të mos të dilet edhe një gjuhëtar që do as koha nuk do të mund të zhbënte të thënat e tij, Profesori i Madh, gjuhëtari, etnografi, albanologu, Eqrem Çabej, gjuhëtar.
Çabej lindi në Eskishehir, i biri i Hysenit dhe Lisheshit. I ati ishte gjykatës i diplomuar në “Dar-ul-Hukuk” të Stambollit. Shkollimin fillor e kreu në shkollën qytetëse të vitin 1921 në Gjirokastër, nga ishte edhe prejardhja e familjes. Për të vazhduar studimet u dërgua në Austri. Para se të hynte në ndonjë shkollë, iu desh të qëndronte një vit pranë familjes Reinmyler, në St. Pölten afër Vjenës, për të mësuar gjermanishten.Kreu gjimnazin në Klagenfurt (1923-1926), për shkollimin e lartë pati një fërkim me synimin që i ati i kishte vënë që të bëhej mjek.
Por pas këmbënguljes për gjuhësinë, regjistrohet në Grac për vitin akademik 1927-1928 dhe mbasandej kaloi në Vjenë (1930-1933), ku ndoqi mësimet e Paul Kretschmer, Karl Patsch, Nikolai Trubetzkoy dhe Norbert Jokl. Nën drejtimin e Joklit, Çabeji filloi të kishte interes të madh në zhvillimin historik të Gjuhës Shqipe. Në 1933, ai dorëzoi disertacionin e doktoraturës mbi Italoalbanische Studien (Studime Italo-Shqiptare). Çabej u kthye në Shqipëri ku edhe punoi si mësues gjimnazi dhe nëndrejtor i konviktit “Malet Tona” në Shkodër (1934) ku dha letërsi shqipe. Në vitin shkollor 1935-’36 Çabej u transferua në shkollën Normale të Elbasanit, ku edhe atje ndenjti një vit.
Që andej u transferua në Ministrinë e Arsimit për t´u marrë me drejtimin e arsimit të mesëm. Me sa kuptohet nga qëndrimi i tij, ai nuk e kishte mirëpritur një emërim të tillë. Me një lutje më datë 17. 12. 1936, drejtuar Ministrisë së Arsimit, ai kërkon që për arsye shëndetësore të transferohet nga ai dikaster e të riemërohet si profesor i letërsisë në liceun e Tiranës. Kërkesë që nuk i plotësohet, duke e emëruar në Shkollën e Plotësimit Ushtarak.
Me “çështjen Çabej“ u mor më në fund edhe Këshilli i Ministrave të asaj kohe, i cili vendosi që Çabej, pas mbarimit të Shkollës së Plotësimit Ushtarak, të transferohej si profesor në Gjirokastër. Më 1938-’39 e gjejmë përsëri arsimtar, kësaj radhe në Gjirokastër, ku vazhdoi të jepte mësimin e letërsisë të bashkërenduar me elemente të gjuhës shqipe.
Një nga rastet e femrave burrnesha që nuk iu trembet syri para asaj që është ideali i tyre është edhe Musine Kokalari, desidententja e shkrimtarja që pati një fat tragjik pikërisht për idealin. Musine (Muhsine) Kokalari lindi më 10 shkurt të vitit 1917, në Adanë, të Turqisë. Në vitin 1921, familja e saj kthehet në Shqipëri dhe vendoset në Gjirokastër, ku Musineja kreu shkollën fillore. Nëntë vjet më vonë, familja Kokalari vendoset në Tiranë. Në vitin 1937, Musineja mbaroi shkollën e mesme “Nëna Mbretëreshë” dhe më pas shkoi për studime në Universitetin e Romës, në Itali, të cilin e mbaroi shkëlqyeshëm në vitin 1941.
Ajo botoi librin e saj të parë “Seç më thotë nëna plakë” në vitin 1939. Ishte viti 1943, kur Musine Kokalari së bashku dhe me disa shokë të tjerë formuan Partinë Socialdemokrate. Një vit më vonë, me përpjekjen e saj, doli numri i parë i gazetës “Zëri i Lirisë”. Në vitin 1944, botoi librin e saj të dytë “Rreth vatrës”, ndërsa më 12 nëntor të po këtij viti u pushkatuan vëllezërit e saj, Muntaz e Vesim Kokalari. Katër ditë më vonë e arrestuan dhe Musinenë, të cilën e mbajtën 17 ditë në burg. Në janar të vitit 1945, u botua libri i tretë i Musine Kokalarit “Sa u tund jeta”.
Më 23 janar të vitit 1946, ajo u arrestua për së dyti nga forcat e Mbrojtjes së Popullit e gjyqi e dënoi me 20 vjet heqje lirie. Në vitin 1961, e nxjerrin nga burgu dhe e internuan në Rrëshen, ku dhe doli në pension me gjysmë page. Në vitin 1981, sëmuret nga sëmundja e kancerit, që dy vjet më pas do ta largonte përgjithmonë nga jeta.
“Për shëndetin tim nuk i drejtohem kujt, aq më pak atij që kishte në dorë të më lehtësonte dënimin”. Kështu shkruante Musineja vetëm pak kohë para se të vdiste, duke lënë të kuptohej se “ai” nuk ishte veçse Enver Hoxha, i cili u kujdes deri në fund për dënimin e saj. E konsideruar si kundërshtare e regjimit komunist, ajo u dënua me 20 vjet burg dhe më pas u internua për 22 të tjerë në Rrëshen, ku vdiq në vitin 1983, nga kanceri. Bashkëkohësit tregojnë se nuk iu dha mundësia as të kurohej në spitalin onkologjik. Vdiq e vetme dhe u varros nga varrmihësit. Kur e zhvarrosën vite më vonë, u pa se duart e saj ishin të lidhura me tela me gjemba./konica.al