Nga Flamur Golemi
̈
Zakonisht në përfundim të eventeve të ndryshme thuren zinxhirë lëvdatash e falenderimesh për një armatë me njerëz. Ndodh të biesh edhe në kurthin e teprimeve. Në këtë rast unë s’kam lëvdata dhe as dua ta teproj, thjesht po ndaj me ju disa fjalë zemre.
Për 8 ditë e netë feste në Gjirokastër me emocione të jashtëzakonshme përulemi me mirënjohje para të gjithë grupeve artistike pjesëmarrëse në festival nga jugu në veri, para grupeve nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, arbëreshët e Italisë e Diaspora Shqiptare.
Çfarë u pa në skenën magjike të Kalasë së Festivalit apo përmes ekranit e mediave sociale, ishte kurorëzimi i një pune të gjatë e të përbashkët nën drejtimin e Ministrisë së Kulturës e posaçërisht të ministres Elva Margariti të cilën e falënderoj për të gjithë përkushtimin e ditëpërditshëm.
Punë e shkëlqyer nga regjisori Bledi Laço e artistja spanjolle Ines Esnal për skenografinë impresionuese. Shumë respekt për drejtorin artistik Thoma Gaqi, drejtorin organizativ Genc Bejleri dhe bashkëpunëtorët e tyre në të gjitha nivelet.
Faleminderit artistëve të tjerë që mbushën sheshin e “Çerçizit” çdo mbrëmje me interpretimet e tyre dhe mbajtën festën gjallë deri pas mesnate.
Shumë mirënjohës çdo punonjësi të Bashkisë Gjirokastër dhe institucioneve të tjera vendore nga Këshilli i Qarkut te Drejtoria e Policisë, nga Shërbimi Zjarrfikës te mjekët e infermierët për gatishmërinë që gjithçka të shkonte siç duhej.
Veçanërisht falënderoj punonjësit e pastrimit që kanë gdhirë çdo natë për të bërë llams e feks, siç themi ne nga Gjirokastra, rrugët dhe sheshet e qytetit.
Në fund, por jo për nga rëndësia, i shpreh mirënjohjen çdo biznesi e familje gjirokastrite që priti e përcolli festivalistë e turistë. Kanë qenë ditë intensive edhe për ju, por unë e them me bindje se ne kapërcyem me sukses kësaj radhe një sprovë të madhe teksa vijojmë përpjekjen e përbashkët për të rritur standardet e për t’u përmirësuar në çdo drejtim.
Shumë shumë shumë faleminderit grupeve të Gjirokastrës për emocionet e papërsëritshme që na dhuruat mbrëmjen e 30 qershorit. Ajo natë do të mbahet mend gjatë e do të shënohet me gërma të arta në faqet e historisë së këtij qyteti.
Na priftë e mbara në punët tona e Zoti të na japë shëndet për t’u mbledhur sërish bashkë në festivalin e ardhshëm në Gjirokastrën tonë të magjishme. E ku tjetër?!
Faleminderit








