Mero Baze e konsideron kryeministrin Edi Rama, si agjentin më të mirë të marketingut që ka patur Shqipëria në 100 vite.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Baze tha se Rama e ka reklamuar Shqipërinë në arenën ndërkombëtare si askush më parë, duke ndihmuër edhe në rritjen e turizmit në vend. Po kështu ai deklaroi se Rama ka lidhje të forta ndërkombëtare, duke arritur të bëjë miqësi dhe aleanca edhe me persona që janë kundërshtarë apo jo dashamirës.
Baze konsideron si të metë të Ramës, faktin që ai nuk e duron dot burokracinë e shtetit, ingranazhet e të cilit janë të ngadalta dhe kërkesat e tij për të mbaruar punë shpejt, shpesh fusin në telashe bashkëpunëtorë dhe nëpunës të shtetit, të cilët u duhet të firmosin edhe gjëra që nuk bëhen apo të përshpejtojnë procedura duke përfunduar në burg.
Sipas gazetarit, kjo është arsyeja pse kryeministri i pëlqen shumë liderët autoritarë si Erdogan dhe Orban, të cilët bëjnë gjithçka shumë kollaj, me një urdhër.
Pjesë nga biseda në studio:
Ylli Rakipi: Edi Rama, personazhi që i ka brenda, sipas meje, të gjithë të mirat dhe të këqijat e të gjithëve. Duket sikur pas 20 vjetësh erdhi një njeri që duhej, sepse Berisha ndërtoi një mënyrë të tillë, siç dinte ai, me idenë që do ta trashëgonte vet të gjithën dhe befas të gjithë atë që ndërtoi për vete, ia la Edi Ramës.
Mero Baze: Edi Rama është një politikan i bërë vetë, është bërë me duart e veta. Ka dalë si njeri i rrugës, si publicist, si intelektual, është përballur me Berishën, është rrahur nga Berisha, ka mbijetuar, ka hyrë te socialistët si jo konfirmist, ka qenë ministri më problematik i të gjithë qeverive, ministër që e kanë patur frikë kryeministrat, në mënyra gati gati të pacipë ka luftuar edhe që të rrëzohet qeveria e tij, Fatos Nano, për të vënë në vend ambicien e tij për të marrë Partinë Socialiste. Në këtë aspekt, është një luftëtar i madh edhe brenda të majtës, për ta marrë të majtën. Nuk ia ka dhuruar askush, e ka marrë me betejën dhe meritat e veta.
Nga pikëpamja kulturore, është ndoshta një nga kryeministrat më të kulturuar që ka patur Shqipëria, kryeministër që vazhdon të lexojë, që vazhdon të apdejtohet (përditësohet) me të rejat më të fundit, që ende shikon të arriturat e fundit të teknologjisë, letërsisë, kinematografisë, është i pangjashëm me të tjerët. Berisha është një lloj lexuesi, por lexues i vjetër i librave. Të tjerët i “zë” libri, nuk kemi politikanë që lexojnë.
Është njeri që të nderon në raportet ndërkombëtare, agjenti më i rëndësishëm i marketingut të Shqipërisë në 100 vite. Nuk kemi patur asnjë kryeministër që ti bëjë kaq shumë marketing Shqipërisë me ato ekzibicionizmat e tij, marrëzitë e veta ndonjëherë, karagjozllëqet e veta. Lidhjet e tij ndërkombëtare janë të jashtëzakonshme, përtej këtyre miteve, Soros, marrëzive që thonë shqiptarët, është njeri që arrin të krijojë raport edhe me armikun më të madh. Dhe me Turmp-in, për pak u bë mik. Ka sensin e aleancave tepër të zhvilluar dhe i ka bërë nder të madh Shqipërisë në këtë aspekt.
Në qeverisjen e brendshme, Edi Rama nuk ka ideologji, as i thua dot i majtë, as i djathtë. E urren partinë që udhëheq, e bezdis partia që udhëheq dhe po ta vini re, e ka kthyer në një parti teknokrate, në një organizatë. PS është organizata më e tmerrshme që është krijuar në Shqipëri në aspektin e funksionimit, funksionon si një makinë, si një sahat, bëjnë punën që u takon, nuk kanë shumë të drejtë për të mënduar. Këtë punë bën. Ke këtë kutinë e votimit, kanë qenë 27 vota, dua 29, kaq e ke punën…
Në këtë aspekt e ka kapilarizuar, e ka bërë partinë moderne, nuk është më një parti e organizatave të partisë bazë, nuk është një parti që mbahet me fjalime, por një parti që thonë cilën kuti votimi ke ti, sa vota kemi patur dhe sa na duhen, kaq e ka punën.
Me këto objektiva të kapilarizuara, nga parti e ka kthyer në një organizatë të frikshme dhe të pamundshme, e cila mund të mundë vetëveten, mund të shpërthejnë luftrat e brendshme mes tyre.
Në aspektin e qeverisjes së vendit, që është shumë më i rëndësishëm, Edi Rama ka vetëm një problem, që nuk e korrigjon dot si kryeministër. Nuk e duron dot viskozitetin ligjor të shtetit. Pra, që të zbatojë procedurat. Rama e vizaton një gjë, i thotë ma bëj pak. Ai që është poshtë duhet të bëjë tender, procedurë, duhet të ketë… Shteti është i ngadaltë dhe ai nuk e duron dot. Problemet që shkaktohen me bashkëpunëtorët e tij, kam frikë se vjen nga presioni që ky ka që nuk e duron dot, që do të bëjë një gjë, e ka objektivin jo të keq por shteti funksionon si shtet dhe jo si ndërmarrje private.
Ndaj ai ka edhe adhurimin për figurat autoritare. Të gjithë të huajt çuditen, se si Edi Rama është mik me Erdoganin, mik me Mitsotaqisin, me Sorosin dhe me Orbanin, të cilët janë të gjithë armiq të njëri tjetrit. Të gjithë këta janë autoritarë dhe kur marrin vendimet u bëhen menjëherë. Kjo është në fakt ëndrra e tij e jetës, të thotë ma bëj këtë punë dhe për gjysmë ore ti ta kesh mbaruar këtë punë.
Ai i ka të gjitha, por nuk ka shtetin, që është mekanizëm që vepron, sepse shkon në burg ministri, kryetari i bashkisë, tejkalojnë procedura, mendojnë që meqenëse ky na tha bëhet, kjo bëhet…/TemA









