Drini Bardhi ka reaguar për vendimin e qeverisë për studentët e mjekësisë që janë të detyruar të punojnë në Shqipëri për 5 vite pas përfundimit të ciklit universitar. Doktori i njohur kavajas, shprehet se një politikë e tillë nuk ndodh as në Gjermani.
Madje tregoi se i biri i tij Naimi, është student mjekësie në shtetin gjerman. Ai zbulon se nuk ka asnjë kontratë apo detyrim për ata që mbarojnë fakultetin e mjekësisë në Gjermani dhe mund të punojnë ku të duan. Në një postim të bërë në rrjetet sociale, Bardhi shkruante:
“Dy fjalë për çështjen e studentëve të mjekësisë, meqenëse jam vetë mjek dhe pretendoj që i njoh “rrënjë dhe dhëmballë” sistemit aktual, por edhe si prind i një studenti të mjekësisë në Gjermani. Paguaj shumë më pak taksë shkolle për Naimin në Gjermani se sa një student në Tiranë.
Kushtet e shkollës nuk kanë asnjë krahasim fare, librat pa pagesë, me kartë studenti, për sa kohë të duhen, biblioteka e hapur deri të dielave në orën 24:00 dhe asnjë kontratë me shtetin gjerman që kur të mbarojë është i detyruar të punojë atje. Shqipëria që nuk duam!”
Kujtojmë që Drini Bardhi u bë “VIP” për shkak të historisë së veçantë në Kavajë. Katër shokë gjimnazi nuk e humbën kurrë shoqërinë mes tyre, madje edhe jetën profesionale e vazhduan njësoj duke u bërë të gjithë mjekë në vendin tonë.