Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, kërkoi arrestimin e katër ish-punonjësve të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT) dhe 2 punonjësve të IKMT (përgjegjës për territorin e Bashkisë Sarandë), të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Kjo prokurori ka regjistruar kryesisht dhe ka kryer veprime hetimore në funksion të procedimit penal nr. 240 të vitit 2023, për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”. Deri në këtë fazë të procedimit, janë administruar prova të mjaftueshme në lidhje me mosveprimet e paligjshme të punonjësve të IVMT bashkia Sarandë dhe të IKMT Tiranë (përgjegjës për bashkinë Sarandë) V.XH., B.K., A.M., E.Z., si dhe E.Ç., dhe D.B., të cilët me mosveprimet e tyre kanë lejuar zhvillimin e ndërtimeve të paligjshme në zonën e Ksamilit por edhe në juridiksionin territorial të Bashkisë Sarandë në pesë muajt e parë të vitit, janar-maj 2023, që përkon me periudhën parazgjedhore.
Përgjatë kësaj periudhe nga ana e personave nën hetim nuk është përcjellë asnjë kallëzim penal në prokurori, kur ndërkohë nga ana e Komisariatit të Policisë janë referuar 49 raste të ndërtimeve të paligjshme në zonën Ksamil-Sarandë. Në funksion të këtij procedimi janë sekuestruar 16 pasuri (objekte) me destinacion banimi dhe biznese.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, garanton opinionin publik se fenomeni i ndërtimeve pa leje do të ndëshkohet ashpër sipas dispozitave ligjore në fuqi.
NJOFTIMI I POLICISE SE SHTETIT
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të zbatimit të planit të masave për goditjen e veprimtarive së paligjshme në fushën e krimeve ekonomike dhe në kuadër të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridisksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Mjegulla”.
Si rezultat, u bë ekzekutimi i masave të sigurisë të caktuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridisksionit të Përgjithshëm Sarandë, më datë 16.10.2023, për 6 shtetas, punonjës të IVMT Sarandë dhe të IKMT Vlorë.
Konkretisht, janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:
– A. M., 55 vjeç, me detyrë kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Sarandë;
– E. Z., 48 vjeç, B. K., 37 vjeç, V. Xh., 62 vjeç, me detyrë inspektorë të këtij Inspektorati.
Janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit E. Ç., 43 vjeç dhe D. B., 33 vjeç, me detyrë inspektorë të IKMT Vlorë (përgjegjës për territorin e bashkisë Sarandë).
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas kanë shpërdoruar detyrën duke favorizuar dhe lejuar shtetas të ndryshëm, për të kryer ndërtime pa leje, në territorin e bashkisë Sarandë, kryesisht në zonën e Ksamilit.
Gjithashtu, bazuar në vendimin e datës 16.10.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, u vendos sekuestro preventive mbi 16 objekte të ndërtuara pa leje, në zonën e Ksamilit.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.









