Gjykata për Krimet e Rënda dëgjoi dëshminë e një prej kolegëve të Ibrahim Bashës, efektivit të RENEA-s, të vrarë në Lazarat në qershor 2015. Dëshmia e oficerit Jetmir Isai, dëshmitar okular që mbeti i plagosur në ngjarje, u administrua në gjykimin ndaj 11 lazaratasve të akuzuar për sulmin e armatosur ndaj policisë.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura Isai ka rrëfyer çastet kur ai dhe kolegët u gjendën nën breshërinë e plumbave. Sipas tij, grupi i RENEA-s i ishte afruar fshatit pas sinjalizimit për tension dhe të shtëna armësh. “Pashë Ibrahim Bashën të binte në sediljen përpara meje”, mësohet të ketë rrëfyer dëshmitari.
Oficeri ka pohuar se sulmi ka qenë i befasishëm dhe se e kanë pasur të pamundur të identifikonin grupin e zjarrit. Sipas prokurorisë për Krimet e Rënda, furgoni i policisë u qëllua nga të pandehurit e organizuar nga vëllezërit Arbion e Alban Aliko.