Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj ka folur lidhur me deklaratën e deputetes socialiste, Elisa Spiropali në një intervistë televizive. Binaj u shpreh se intervista e saj ishte me të pavërteta, për emërimin e tij në detyrën si dhe kontrollet ndaj biznesit të bashkëshortit të saj.
Binaj deklaroi se bashkëshorti i Spiropali operon në sektorin e ndërtimit dhe se përzgjedhja ishte bërë bazuar në risk, pra nuk ka arsye politike.
Sipas drejtorit Binaj, evazioni fiskal kishte shifra të larta.
“Në rastin e një biznesi që ka vendosur të mos paguajë taksa do donte një zgjidhje me sa më pak kosto me tatimorët. Nëse të gjithë inspektorët do gjenin zgjidhje të thjeshta, nuk do ishim në gjendje të rrisnim të ardhurat. Kërcënimet ndodhin, në rastin e deklaratës. U kërcënuan disa inspektorë. Në lidhje me atë intervistë, problemi që pata, e para, pjesa që kishte të bënte me mënyrën e emërimit tim. E dyta, ishte karakterizimi i gjithë aksioneve për kontroll sikur janë kontrolle selektive, dhe iu vunë në kuptimin politik të gjësë. Ne si administratë tatimore kontrollojmë shumë biznese, ne selektojmë biznese për t’i kontrolluar. Filloi përzgjedhja e subjekteve, nuk kemi database për të kuptuar se kush janë pas këtyre subjekteve. Ajo që unë them është kjo që pretendimet e bizneseve kur ushtrohen kontroll, edhe qasja jonë është më e thelluar dhe e kujdesshme, përzgjedhja është bazuar në kriteret e riskut.
Nuk ka mënyrë që ne zgjedhim biznese specifike. Për sektorin e ndërtimit, u përzgjodhën 100 biznese. Bizneset janë kryesisht në ndërtim. Ishin biznese të lidhura vetëm me bashkëshortin. Evazioni i konstatuar në këto subjekte, ishte goxha i lartë. Shifrën nuk e them dot, ishin goxha të larta. Kontrolli filloi në muajin prill të këtij viti, këto marrin kohën e vet. Aktet e kontrollit kanë mbaruar në muajin shtator. Kontrolli ka pasur edhe vështirësi. Është ushtruar kontroll, i është dërguar njoftim subjektit. Subjekti është përgatitur për kontroll. Ka pasur vështirësi në komunikim, nuk ka qenë e thjeshtë marrëdhënia me tatimpaguesin”, theksoi ai.









