Detaje të reja janë zbarudhur për vdekjen e vogëlushit Nikolas i cili u mbyt në Kretë. Nikolas u mbyt teksa po notonte dhe u gjet i vdekur, në zonën e Arvit. Bëhet me dije se 6-vjeçari duke iu shmangur vëmendjes së nënës së tij ka shkuar për të notuar me një shok. Siç raportohet i vogli është marrë nga dallgët dhe më pas është gjetur në portin e vendbanimit nga kalimtarët. Sapo trupi i fëmijës u gjet duke lundruar në det, banorët u mobilizuan dhe tentuan ta shpëtojnë por ishte tepër vonë.
Nikolas i vogël jetonte me prindërit e tij vitet e fundit në Arvi. Gjithashtu prindërit e tij janë punëtorë kryesisht në serra, njerëz të shkëlqyer siç përshkruajnë bashkëfshatarët e tyre, ku të gjithë flasin për një fëmijë të mrekullueshëm plot energji, gëzim dhe mirësi. Nëna e tij pak muaj më parë solli në jetë fëmijën e dytë të familjes dhe në momentin që ndodhi tragjedia ishte në shtëpi me foshnjën, ndërsa babai në punë.
“Çfarëdo që të themi është pak. Jemi të gjithë të shokuar. Në një tragjedi të tillë duhet të heshtim. Përballë zisë, të mos gjykojmë,” tha presidenti i Shoqatës Kulturore të Arvit, Yannis Karpathakis.
Ndërsa Kryebashkiaku i Viannos, Pavlos Baritakis, tha se fëmija e donte shumë detin dhe i shpëtoi vëmendjes së prindërve, si pasojë e të cilit humbi jetën. Sipas informacioneve të fundit, prindërit kanë qenë në komisariat dhe kanë dhënë deklaratë se si ka ndodhur ngjarja.
Familja e fëmijës me origjinë nga Shqipëria është thellësisht e pikëlluar dhe përballet me vështirësi të tjera financiare për ta transportuar dhe varrosur fëmijën në vendin e tyre.
Në një gjest prekës solidariteti, komuniteti në Arvi po organizon një mbledhje fondesh për të mbledhur fondet e nevojshme për varrimin e vogëlushit Nikos në Shqipëri. Banorët e zonës tashmë kanë filluar të kontribuojnë, duke treguar mbështetjen e tyre për familjen e të ndjerit. Në një postim të shoqatës kulturore po bëhet përpjekje për të gjetur shumën për të kryer varrimin e fëmijës në Shqipëri.