Ngjarja ndodhi rreth orës 09:50. Sipas të dhënave të deritanishme, dy persona që lëviznin me motor dhe mbanin skafandra dyshohet se kanë ardhur nga drejtimi i rrugës “Lefter Talo” dhe janë afruar pranë lokalit ku ndodhej Myrtaj. Në momentin kur 44-vjeçari ka pikasur rrezikun, ka tentuar të largohet me vrap drejt kryqëzimit dhe rrugës “Vangjel Pandi”. Autorët dyshohet se kanë qëlluar mbi 15 herë, duke e ndjekur viktimën derisa ai është rrëzuar në rrugë.
Dshmitarët kanë rrefyer se të dy personat kanë përdorur armët pistoleta që mbanin me vete. Intensiteti i të shtënave dëshmohet edhe nga dëmtimet në lokalin ku Myrtaj kishte pirë kafe. Xhamat e derës janë goditur nga predhat, ndërsa gëzhoja janë gjetur në zonën përreth. Atentati ndodhi në një orar kur në qendër kishte lëvizje qytetarësh, duke vënë në rrezik edhe persona që nuk kishin lidhje me ngjarjen.
Një prej tyre ishte Xhevdet Skëndaj, 73 vjeç, i cili po kalonte rastësisht në zonë. Ai u godit nga një plumb në shpinë dhe, pas ndihmës së parë, u transportua me helikopter drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Një dëshmitar në vendngjarje ka treguar se Myrtaj kishte pirë kafe me një person tjetër dhe po largohej nga lokali kur nisi sulmi. Sipas dëshmisë, 44-vjeçari ka reaguar duke u larguar me vrap pas të shtënave të para, por sulmi ka vijuar.
Momente të rënda janë regjistruar pak më vonë, kur në vendngjarje mbërriti nëna e viktimës. Ajo shpërtheu në lot pasi pa të birin të pajetë, ndërsa persona të pranishëm dhe një efektiv policie u përpoqën ta largonin nga vendi.
Pavarësisht se Komisariati i Policisë Sarandë ndodhet vetëm pak dhjetëra metra nga zona ku ndodhi vrasja, efektivëve iu deshën rreth 10 minuta për të mbërritur në vendngjarje.
Pas atentatit, autorët u larguan me motor. Policia ngriti pika kontrolli në akset që lidhin Sarandën me Vlorën dhe Gjirokastrën, ndërsa grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre. Kamerat e sigurisë të bizneseve dhe objekteve përgjatë itinerarit të dyshuar të autorëve pritet të jenë një prej elementeve kryesore të hetimit.
Artan Myrtaj rezulton se ishte arrestuar në korrik të vitit 2025 për veprën penale “përkrahje e autorit të krimit”, në kuadër të hetimeve për plagosjen e Gëzim Hajdarajt dhe Ernest Lames pas një konflikti.
Policia vijon kërkimet për dy personat e dyshuar, ndërsa hetimet duhet të përcaktojnë itinerarin e tyre, armët e përdorura, motivin dhe nëse pas atentatit qëndrojnë persona të tjerë.









