Helena Kace, studentja 19-vjeçare e cila shkëlqeu në Kongresin e Partisë Socialiste, ka rrëfyer së fundmi emocionet që e kishin kapluar atë ditë kur mbajti fjalën e hapjes para socialistëve.
Teksa është shprehur se në ato momente “po i dridheshin” gjunjët, 19-vjeçarja zbuloi se me kryeministrin Rama, pas asaj dite, ka pasur dhe një tjetër takim ku dhe kanë folur lidhur me detyrat që secili prej anëtarëve do të ketë.
“E ndjej për mënyrën se si më flasin njerëzit, ka një dallim të madh mes asaj që më flisnin më parë dhe pas fjalës së mbajta në Kongres. Me kryeministrin pata një tjetër takim, kur zhvilluam një takim me Akademinë Politike, ku na u ndanë detyrat. Në skenën politike kjo ishte zgjedhja më e mirë, PS mbetet alternativa më e mirë, opozita ka një gjuhë urrejtjeje shumë të madhe”, tha Kace në emisionin “Kjo Javë” në News24.
E pyetur nëse beson se një ditë mund të marrë drejtimin e Partisë Socialiste, sikundër u shpreh edhe kryeministri Rama në Kongres pas fjalës së 19-vjeçares, Elena tha se nuk ka shumë kohë që është angazhuar në politikë dhe për të shkuar deri në atë karrige do i duhet shumë punë.
“Nuk kam shumë kohë që angazhohem, ndoshta vërtet mund të shkoj deri atje, por është një rrugë shumë e gjatë. Dua të mbaroj njëherë shkollën, jam një studente me rezultate shumë të larta dhe më pas do të shikoj si do të vijojë angazhimi politik”, tha Kace./BW