Teuta e nis fazën e dytë të Kategorisë Superiore në transfertë përballë Luftëtarit në Gjirokastër. Rezultatet e fundit regjistruar në përballjet direkte nuk favorizojnë asnjë prej skuadrave, megjithatë durrsakët kërkojnë të vazhdojnë serinë e fitoreve pas asaj të fazës së parë.
Në 10 ndeshjet e fundit zhvilluar mes tyre në elitën e futbollit shqiptar, Teuta ka fituar 4 ndeshje, po kaq ka fituar edhe Luftëtari ndërsa dy takime janë mbyllur në barazim. Nëse bazohemi te 4 ndeshjet e kampionatit të kaluar, gjirokastritët janë pak më të avantazhuar pasi kanë një fitore më tepër.
Pas 9 ndeshjeve të para të dyja skuadrat kanë grumbulluar nga 8 pikë, duke u pozicionuar në vend të shtatë dhe të tetë, por me Teutën që qëndron një pozicion më sipër për shkak të golavarazhit. Të besuarit e Maganit kanë një mesatare të shkëlqyer golash për ndeshje, praktikisht shënojnë çdo takim (1.22 gola për ndeshje). Ekipi i tretë që ka shënuar më shumë në Superiore pas Skënderbeut (21) dhe Kukësit (17).
Aty ku “djemtë e detit” çalojnë është mbrojtja me 17 gola të pësuar së bashku me Lushnjën janë ekipi që ka pësuar më shumë. Ish-trajneri i Teutës, Hasan Lika, që tani drejton Luftëtarin, kërkon të shfrytëzojë këtë dobësi të durrsakëve për të kthyer të tijtë te fitorja, edhe pse nuk do të jetë aspak e lehtë, pasi Luftëtari deri tani ka treguar se nuk di të shënojë.
Nga një ekip brilant që ishte vjet, këtë edicion kanë shfaqur shumë probleme përpara portës duke shënuar vetëm 5 gola. Gjithsesi, me ardhjen e trajnerit të ri, gjërat duket se kanë ndryshuar. Për këtë përballje, trajneri Guash Magani nuk do të ketë në dispozicion mesfushorin Ardit Hila, i cili ka plotësuar numrin katër të kartonëve të verdhë./panorama