• Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
Nuk ka rezultate
View All Result

Zgjedhjet në Vlorë, kur qytetarët i kthejnë shpinën politikës

12/11/2025
Zgjedhjet në Vlorë, kur qytetarët i kthejnë shpinën politikës

Nga Tomor Merko

Të dielën, 9 nëntor, për herë të parë në historinë e qytetit një grua, Vlora zgjodhi Bruna Mersinin qytetare të parë, me 78.44% të votave, në pjesëmarrje 12.54%, shifër që askush nuk e parashikoi në këtë nivel. Bruna Mersini ishte zgjedhja më e fortë përballë konkurrentëve. Por në ditën e zgjedhjeve Vlora bërtiti me heshtjen më të rëndë e të qartë që një vend mund të flasë.

Nuk ishte thjesht pjesëmarrje e ulët a mospjesëmarrje masive. Ishte braktisje e plotë për një proces që qytetarët nuk e ndjejnë më si të tyre. As pushteti që fiton prej popullit, nuk i pa qytetarët e vet si bashkëpunëtorët që e kanë besuar e që do t’u kërkonte ta besonin sërish.

Ky raport nuk u krijua as sot, as me një ditë. U bënë shumë muaj e disa vite. Dita e diel nuk ishte apati, por është akt mosbesimi që dhemb, ndaj këtyre sjelljeve politike që kanë humbur çdo lidhje me realitetin e me njerëzit që kërkon të përfaqësojë.

Ku ishin deputetët e Vlorës që vetëm në 11 maj të këtij viti, morën nga qytetarët vlonjatë besim personal me 27.453 vota? (Këtu nuk llogaritet asnjë nga deputetët që patën mundësi të hynin pa garë, por që, si parlamentarë me peshë që mendohet të jenë, duhet të kishin ndikimin e tyre në sfidën vendore. A patën ndikim? Asfare nuk duket).

Vështirë të besosh se qytetarët që u besuan votën në 11 maj, i harruan të votuarit e tyre. Përkundrazi. Mezi presin t’i takojnë. Por jo, ishin ata vetë që i neglizhuan për t’i pasur sërish bashkëpunëtorë e votëbesues për kandidaten e subjektit PS.

Sepse nuk e ndjenë këtë sfidë si të vetën.

Pse? Për disa arsye:

Mbase edhe sepse nuk ishin pro kësaj zgjedhjeje. Zakonisht në Vlorë, po edhe gjithandej ndër shtëpitë e socialistëve në gjithë Shqipërinë, ka reagime të tilla mospranuese, por në këtë masë, askund jo.

Mbase edhe sepse e ndjenë se qytetarët e Vlorës janë të lodhur prej vitesh nga gjendja e drobitur, fizike e shpirtërore. Këtë zgjedhje kandidature, thuajse masivisht, nuk e panë si përfaqësimin më të duhur të vendit të tyre. E menduan vetëm si instrument të politikës së brendshme, të largët nga nevojat reale të njerëzve.

Mbase vlonjatët panë dhe ndjenë shumë këtë herë.

Dhe kush jeton në Vlorë e kupton lehtë këtë ndjesi…

“Strukturat që s’u ndjenë”

Po strukturat e reja ku ishin?

Mos vallë njerëzit, qofshin edhe të strukturave, nuk e duan tronditjen e përhershme e të vazhdueshme? Duan qëndrueshmëri, sepse vetëm kështu lind besueshmëria.

Prej vitesh, brenda shtëpisë socialiste, janë lëvizur strukturat me argumentin e “energjizimit”, por shpesh është harruar se energjia pa drejtim nuk ndërton besim. Ndryshimet e imponuara brenda partisë, në një kohë të pamjaftueshme, strukturat e reja që zëvendësuan të vjetrat krejtësisht, s’kanë krijuar besim. Jo nga paaftësia a mungesa e dëshirës për të qenë pjesë e niveleve të larta drejtuese të PS – Vlorë, por nga koha e maturuar dhe e pamjaftueshme për të qenë aty për një kohë të caktuar, për t’u njohur, për t’u pranuar, për të kuptuar e për të bashkëpunuar me të tjerë, më të vjetër a më të rinj. Është proces besimi, nuk është çast e as buton që dikush e shkel brenda çastit.

Është koha të ndërtojmë qëndrueshmëri dhe të rikthejmë besimin!

“Forunet”

a.

Ku ishte Forumi i Gruas sidomos kur duhej mbështetur një kandidate grua?

Fjalët për fuqizimin e grave dhe dobinë e mbështetjes për to, janë pjesë e çdo fjalimi e takimi politik. Por munguan aty ku duhet të ishin më të dukshme; në terren, në përballje, në veprim, në mbështetje konkrete me prani, me ndihmë.

Një kandidate grua, përballë një qyteti që ka nevojë për frymë të re, duhet të ishte e mbështetur fort nga vajzat e gratë e forumit e nëpërmjet tyre edhe më vertikalisht, në masën e gjerë të grave vlonjate. Por përmbylli ditët e fushatës dhe e quajti të kryer me sukses detyrën. Forumi i gruas socialiste e di sa mundet, nëse do ta dijë!

b.

Rinia mungoi. Zëri i rinisë në këtë garë mungoi. Sepse nuk mjafton të mburremi me të rinjtë tanë. Duhet t’i dëgjojmë e t’i vëmë në ballë kur vjen koha që ata të dëshmohen. Duhet të bëjmë më shumë, shumë më shumë akoma që të mos lejojmë të rriten me ne, e prej nesh të mësojnë mllefet e luftës për pushtet. Kur gara është pa shpirt rinor, qyteti ndihet i heshtur.

U zgjua Vlora nga lodhja dhe mungesa e besimit?

Gjendja e qytetit është bërë pasqyrë e lodhjes së madhe që nuk lidhet vetëm me rrugët e shkatërruara, projektet e pambaruara apo punët e lëna përgjysmë. Lodhje edhe më të madhe është ndjesia hijerëndë e qytetit që nuk dëgjohet, që nuk ndihet. Se për Vlorën vendosin të tjerët, se pushteti i lartë e sheh si dosje që hapet vetëm para zgjedhjeve.

Administrata vendore që afron qytetarin me pushtetin e votës që i ka dhënë, është kthyer në mur mosbesimi. Arroganca, mungesa e shërbimit, mungesa e përgjegjësisë ndaj qytetarëve, kanë gërryer çdo lidhje emocionale mes njerëzve dhe pushtetit vendor.

Mënyra e ikjes njëri pas tjetrit të kryetarëve të Bashkisë – Vlorë, që nga Shpëtim Gjika, te Dritan Leli e deri te Ermal Dredha, mënyra e linçimit përmes përjashtimit apo denigrimit publik, ka krijuar një plagë të thellë politike dhe qytetare në Vlorë. Ka humbur besimi se mund të ketë ndonjë drejtues që ta përfaqësojë me dinjitet qytetin, pa u ndëshkuar më vonë nga të vetët. Vlora është ndjerë e përjashtuar edhe nga zëri i vet politik.

Në të vërtetë është vendi që dinjitetin e ka identitet, s’kërkon më ndere, kërkon dinjitetin që ofron.

Kandidatja u pranua apo u refuzua nga qytetarët?

Bruna Mersini është emër që njihet mes profesionalizmit, si drejtuese dhe menaxhere skrupuloze. Ka fituar respekt dhe besim për gatishmërinë dhe për punën në drejtimin e spitalit. Njihet si grua e vendosur dhe ambicioze, është ngjitur në karrierë duke kërkuar, duke punuar e duke investuar.

Po jo edhe për komunikimin. Profili i saj shoqërohet, dallon për perceptime të ftohta në marrëdhëniet me njerëzit. Dëgjon jo pak herë të thuhet: “është jo e shëndetshme të punosh me të.” E zonja dhe e përgatitur, por e perceptuar si arrogante dhe e largët, Bruna Mersini nuk arriti të fitojë plotësisht besimin, zemrën e qytetit që e kërkon përfaqësimin e vet më shumë mirëkuptim, sesa me autoritet.

Vlora nuk e pranon arrogancën në asnjë formë dhe nga askush, ndaj e shpërfilli me heshtje dhe bojkot, si armë të forta qytetare.

Organizimi i munguar i fushatës: shtabi pa ritëm, axhendë e pastudiuar, ekip pa kohezion

Ishte pikë e dobët e fushatës së kandidates. Grupi-shtab i saj mbeti formë pa përmbajtje diktuese, nuk u ndje ekip që të prodhonte drejtim, ritëm e frymë, nuk ishte strukturë e ndërtuar mbi përvojë politike e aftësi organizative, njohje terreni. U formua kryesisht mbi afërsi personale. Kjo solli mungesë dinamike që u ndje si humbje e energjisë kolektive dhe në publik u perceptua si fushatë e ftohtë, e largët.

Në vend të një fushate që kandidatja të takohej “sy më sy” me qytetarët, të dëgjonte problemet e përditshme, të ndante emocionin dhe shqetësimin e qytetit, aktivitetet u përqendruan kryesisht në takime të mbyllura me grupe interesi, shpesh formale, pa emocione. Në Vlorë, ku marrëdhënia personale ka peshë të madhe, mungesa e afërsisë u ndje si boshllëk i thellë. Mungesa e kontakteve të gjera me njerëzit e zakonshëm e la kandidaturën pa frymë dhe pa emocion publik.

Bruna Mersini fitoi. Ishte bindje, do fitonte edhe nëse do kishte garë, madje edhe më bindshëm. Tani pritet të reflektojë shqetësimin qytetar, të përzgjedhë me përgjegjësi vlera e dinjitet në drejtim të Vlorës, në menaxhimin shoqëror, politik dhe ekonomik të qytetit.

Zgjedhje pa garë, pushtet pa sfidë

Sa i shënjoi këto zgjedhje mungesa e opozitës, duke i bërë ato jokonkurruese?

Padyshim që i shënjoi, i dëmtoi madje. Sepse vendi ka nevojë për opozitë, Vlora ka nevojë për opozitën e besueshme. Por nuk e kishim të duhurën, ishte opozita me gjasme, formale, pa frymë. Nuk u garua seriozisht, nuk u ndje konkurrencë, nuk u zhvillua garë demokratike. Në vitin 2019, edhe pse opozita i bojkotoi zgjedhjet, ajo arriti të prodhonte tension, polarizim dhe mobilizim nga ana e socialistëve.

Kurse në vitin 2025, atmosfera në Vlorë s’kishte asnjë pasion politik, asnjë kërcënim për garën, asnjë motivim për pjesëmarrje. Garën e zbehu më shumë dorëheqja e drejtuesit politik të opozitës, pak ditë para zgjedhjeve, e telendisi edhe më strukturën e tyre të çoroditur, duke e lënë fushatën pa busull dhe pa drejtim.

Rezultati dhe fituesi u bë i parashikueshëm. Kjo solli apati, mungesë pjesëmarrjeje dhe “fitore si të Pirros”, fitore me çmim politik të lartë, fitore që zbuloi më shumë dobësi sesa forcë. Në thelb, këto nuk ishin zgjedhje që matën forcën e qytetarëve për të zgjedhur, por aftësinë e pushtetit për të menaxhuar vetveten.

“Pushteti pa qytetarë”

Vlora ka vite që nuk bën zhurmë, por vret pushtetin me indiferencë. Nuk proteston me slogane të zhurmshme apo grumbullime masive. Heshtja dhe mospjesëmarrja e saj kanë vrarë pushtetin nga brenda. Bojkoti nuk është apati; është refuzim moral dhe politik. Heshtja e qytetarëve është një britmë e qetë, por e fuqishme; politika nuk ka më legjitimitet moral dhe çdo fitore numerike është bosh.

Kjo fitore ishte një krizë legjitimiteti dhe morali!

Zgjedhjet e pjesshme jo vetëm në Vlorë, treguan se qytetarët kërkojnë dinjitet, përgjegjësi dhe figura që ngjallin besim. Heshtja dhe bojkotimi ishin akti i fuqishëm qytetar që kërkon ndryshim të vërtetë. Tani është koha! Dhe duhet ndryshuar!

Partia Socialiste dhe Edi Rama e dinë si!

Related Posts

Mësuesi nga Finiqi që nuk doli kurrë në pension: Në moshën 80-vjeçare, Kristo Murati rikthehet çdo ditë në klasë
Kryesore

Mësuesi nga Finiqi që nuk doli kurrë në pension: Në moshën 80-vjeçare, Kristo Murati rikthehet çdo ditë në klasë

22/02/2026
Opozita njofton datën e protestës tjetër
Kryesore

Opozita njofton datën e protestës tjetër

22/02/2026
“Rrezikohet shembja e urës”, ARRSH bllokon rrugën Librazhd-Prrenjas
Kryesore

“Rrezikohet shembja e urës”, ARRSH bllokon rrugën Librazhd-Prrenjas

21/02/2026
Nën hetim topografi nga Gjirokastra, ja për çfarë akuzohet
Kryesore

Konflikti për pronat, si ndodhi plagosja me armë në Gjirokastër

21/02/2026
Mungesa e librezës nuk iu penalizon, hapat për të përfituar pensionin e pleqërisë
Kryesore

Afro 90 mijë pensionistë pa bonus në janar, qeveria sqaron ç’do bëhet me ta

21/02/2026
Konstitucionalisti Klodian Rado: Paraburgimi po përdoret si normë, koha për reformim që drejtësia t’i shërbejë qytetarëve (VIDEO)
Kryesore

Konstitucionalisti Klodian Rado: Paraburgimi po përdoret si normë, koha për reformim që drejtësia t’i shërbejë qytetarëve (VIDEO)

21/02/2026

Argjiroja.net është një media online e pavarur, që informon me profesionalizëm dhe shpejtësi lexuesit. Në vëmendjen tonë të veçantë janë kryesisht ngjarjet në jug të Shqipërisë, por edhe zhvillime të tjera të rëndësishme brenda e jashtë vendit.
Argjiroja.net është pjesë e NaN Studio Sh.P.K me NIPT M02012001P

Për marketing dhe çdo informacion tjetër na shkruani në adresën [email protected]

Të fundit

Spektakël në BAFTA 2026: Ja kush triumfoi në kategoritë kryesore

Spektakël në BAFTA 2026: Ja kush triumfoi në kategoritë kryesore

23/02/2026
Barça “rrëmben” kreun, triumf i pastër ndaj Levantes, Flick reagon për çështjen “Yamal” (VIDEO)

Barça “rrëmben” kreun, triumf i pastër ndaj Levantes, Flick reagon për çështjen “Yamal” (VIDEO)

23/02/2026
  • Kryesore

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al

Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al