Portieri Klevi Totoshi dhe mesfushori Don art Ibraimi u shndërruan në protagonistë absolutë të një kualifikimi të vuajtur, por tepër domethënës, që e çon skuadrën verdheblu në çerekfinalet e Kupës. Një sukses që konfirmon jo vetëm forcën e grupit, por edhe thellësinë e skuadrës, ku edhe lojtarët me më pak minuta dinë të bëjnë diferencën kur thirren në apel.
Në një ndeshje të fortë nervash, ku çdo episod kishte peshë të madhe, Elbasani tregoi pjekuri, durim dhe mentalitet fitues. Penalltia e pritur nga Totoshi dhe goli i Ibraimit në minutat e fundit ishin kulmi i një performance kolektive, ku sakrifica dhe besimi te njëri-tjetri bënë diferencën. Ky kualifikim vjen në një moment të rëndësishëm të sezonit dhe i jep Elbasanit jo vetëm një objektiv më shumë për të luftuar, por edhe moral të lartë për vazhdimësinë. Pas ndeshjes, dy heronjtë rrëfyen emocionet për “Panorama Sport”, duke theksuar se suksesi është fryt i punës së përditshme dhe i unitetit brenda grupit. Të dy nënvizuan se, pavarësisht minutave të pakta, janë gjithmonë gati të japin maksimumin sa herë u jepet mundësia.
KLEVI TOTOSHI – Portieri Klevi Totoshi, një nga emrat më të spikatur të mbrëmjes, nuk e fshehu kënaqësinë për kualifikimin: “Normalisht që jam shumë i kënaqur me këtë kualifikim, edhe për mënyrën sesi erdhi, sepse ishte i vuajtur. Mendoj se e merituam të kalonim më tej. Kjo fitore shkon fillimisht për familjen time dhe më pas për djemtë, që dhanë gjithçka në fushë”. Ai u ndal edhe te penalltia e pritur, një episod që ndryshoi rrjedhën e ndeshjes dhe i dha besim skuadrës:
“Ishte një moment instinktiv. Në ato çaste nuk ke shumë kohë për të menduar, por i besova ndjesisë dhe fatmirësisht ia dola ta pres. Shokët ishin të parët që më uruan dhe kjo tregon shumë për frymën që kemi në ekip”. Totoshi foli edhe për rolin e tij brenda grupit, duke treguar maturi dhe profesionalizëm: “Nuk është detyra ime të flas për minutat. Vendimet i merr trajneri dhe stafi. Unë jam gjithmonë gati të jap kontributin tim sa herë që skuadra ka nevojë”. Në fund, portieri theksoi se Elbasani ka potencial për të shkuar larg: “Besoj se kemi një grup shumë të mirë. Edhe në ndeshje të vështira si kjo, tregojmë karakter. Nëse vazhdojmë kështu, mund të bëjmë gjëra të bukura këtë sezon”.
DONART IBRAIMI – Edhe Donart Ibraimi, autori i golit të kualifikimit, e përjetoi me shumë emocion këtë sukses: “Jam shumë i kënaqur me këtë kualifikim, duke marrë parasysh se ishte një ndeshje shumë e vështirë, edhe për shkak të rrethanave sesi shkoi loja. Kundërshtari kishte cilësi, por gjithsesi arritëm të kalonim në raundin tjetër. Normalisht jam shumë i lumtur për golin e realizuar”. Mesfushori zbuloi se goli erdhi në një moment kur skuadra po përgatitej për një tjetër skenar:
“Nuk e kisha menduar golin. Sapo isha futur në lojë dhe mendja më shkonte te penalltitë, sepse po vinte fundi. Mentaliteti i ekipit, qetësia dhe ndoshta edhe pak fat na ndihmuan ta mbyllnim në mënyrën më të mirë”. Për minutat e kufizuara, Ibraimi tregoi respekt për vendimet teknike: “Kam pasur pak minuta, por ky është mendimi i trajnerit dhe unë gjithmonë do ta respektoj. Detyra ime është të jem gati dhe të jap maksimumin sa herë të futem në fushë”. Në fund, ai foli edhe për objektivat: “Mund të shkojmë larg, por duhet të jemi të përqendruar. Të mendojmë ndeshje pas ndeshjeje, të hyjmë në fushë me këmbë në tokë dhe të japim 100% çdo herë”.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb







