Në Parlamentin e Greqisë janë gdhendur në mermer emrat e disa prej qyteteve shqiptare, të cilat cilësohen si pjesë e territoreve helene. Mbishkrimet e shkruara me gërma kapitale greke dhe mjaft dukshëm në fasadën e mermertë të Parlamentit të Greqisë, sipas fqinjëve, janë në fakt toponime të vendosura prej tyre për qytetet, fshatrat e malet shqiptare.
Gazetari Aleksandër Çipa është irrituar me këtë fakt dhe e ka ngritur si shqetësim në rrjetet sociale duke shtruar pyetjen: Pse janë gdhendur emrat e qyteteve shqiptare në fasadën e Parlamentit grek?! A duhet një reagim?!” Gazetari ka thënë më tej se në foto janë shkruajtur: Borova, Korça, Tomori, Trebeshina, Himara dhe Gjirokastra, të cilat prej dhjetëra vitesh qëndrojnë aty, nën ruajtjen e gardës së Greqisë. Mesa duket ky fakt nuk u ka bërë përshtypje as zyrtarëve shqiptarë, të cilët kanë kaluar aty shumë shpesh dhe nuk e kanë ngritur zërin.










