Takimi i kryeministrit Edi Rama me një grup studentësh që mbështesin protestat shkaktuan një lumë sulmesh në rrjetet sociale. Të rinjtë që zgjodhën të përballen me kreun e qeverisë në një diskutim të drejtpërdrejtë janë bërë shënjestër linçimi.
Vetë ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, i ka marrë në mbrojtje studentët e sulmuar, duke e quajtur të papranueshme atë që ndodh online.
“Si mundet që FJALA, ajo me të cilën fillojnë Librat e Shenjtë, të të kthejë në viktimë të një persekutimi publik, të organizuar nga profile me maska të zeza, që i japin vetes një mandat të pamandatuar nga askush, aq më pak nga ndonjë organizim demokratik?!”, tha Kumbaro.
Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Kumbaro dënon gjuhën e përdorur ndaj të rinjve, duke theksuar se kritikat kanë shkuar deri te përfshirja e familjarëve të tyre.
“Kush je ti, që i fshehur si cub pas anonimatit të rrjetit, guxon të masakrosh me thikën virtuale individë me emër e mbiemër, të cilët duhet të ndihen të lirë në një shoqëri që Lirinë e Fjalës e ka paguar më shtrenjtë se shumë shoqëri të tjera në Europë?! Po ti tjetri, që nga anë e anës së ekranit, anatemon e paragjykon një të ri e i faturon takimin si akt tradhtie?! Tradhti ndaj kujt more!! Madje shkon aq larg sa edhe prindin ia quan “bashkëpunëtor në krim”! Çfarë po bëjmë kështu duke vrarë në qelizë ambiciet e të rinjve për të marrë pjesë në një debat publik!!”, tha Kumbaro.
Ministrja sqaroi se takimi zgjati rreth tre orë dhe se gjatë tij të rinjtë patën mundësi të shprehen lirisht, pa presion apo detyrim.
“Askush nuk cenoi askënd. Askush nuk detyroi askënd. Të rinjtë folën lirisht. Diskutuam. U dëgjuam. Dhe pikërisht kjo është rruga më demokratike e komunikimit në një shoqëri të lirë: të flasim pa frikë dhe të dëgjojmë pa paragjykim”,shtoi ajo.
Takimi u zhvillua të premten në mbrëmje në sallën kryesore të Pallatit të Brigadave, ku morën pjesë një grup të rinjsh. Megjithëse diskutimi zgjati disa orë, përmbajtja e tij nuk është bërë ende publike.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë vetëm disa pamje nga takimi, duke sqaruar se, në bazë të dakordësisë me studentët, fillimisht do të publikoheshin pamjet filmike, ndërsa në një moment të dytë mund të bëhen të ditura edhe pikat kryesore të diskutimit.









