Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë (GJKKO) dosjen penale për tenderin e ujësjellësit rajonal të Memaliajt, duke vënë nën akuzë ish-kryetarin socialist të Bashkisë Memaliaj, Gjolek Guci, si dhe tre persona të tjerë.
Përveç Gucit, SPAK ka dërguar për gjykim edhe Edmonda Harizin, ish-nënkryetare e Bashkisë Memaliaj, Feta Hoxhën, ish-drejtor i Shërbimeve Publike, si dhe Bersant Yllin, administrator i subjektit “Bersant Ylli”.
Të katërt akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Bëhet fjalë për një tender të vitit 2021, me fond limit 4.1 milionë euro dhe me kohëzgjatje kontratë 24 mujore. Tenderi është fituar nga kompanite “KEG” sh.p.k dhe “ED KONSTRUKSION” shpk.
Hetimi ka nisur pas një kallëzimi penal të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të depozituar më 28 tetor 2024, ndërsa procedimi penal është regjistruar më 4 nëntor 2024. Objekti i hetimit ka qenë procedura e prokurimit për “Ndërtimin e Ujësjellësit Rajonal për fshatrat Vasjar, Iliras, Qesarat, Anë-Vjosë, Toç, Lulëzim, Zhulaj, Krahës dhe qytetin Memaliaj”, e zhvilluar në vitin 2021, me autoritet kontraktor Bashkinë Memaliaj.
Sipas SPAK, fondi për këtë objekt ishte mbi 493 milionë lekë dhe ishte ndarë në disa zëra.
“Fondi për objektin, në vlerën mbi 493 milionë lekë (493.183.572), ishte ndarë në zëra për ndërtim, montim, drejtimin dhe kolaudimin e punimeve. Vlera e miratuar ishte e njëjtë me vlerën e kostove në projektin e dhuruar nga shoqëria ‘Artreum Generation’”.
Nga hetimet ka rezultuar se ish-kryebashkiaku Gjolek Guci kishte nënshkruar më 21 shtator 2020 kontratën e dhurimit të projektit me shoqërinë “Artreum Generation” sh.p.k., e cila më pas rezulton të ketë qenë nënkontraktore e njërës prej kompanive fituese të tenderit. Projekti për zbatimin e punimeve është miratuar nga vetë kryetari i bashkisë.
SPAK konstaton se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në bashkëpunim me titullarin e autoritetit kontraktor, “kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorë të tretë, duke kualifikuar dhe shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë ‘KEG’ sh.p.k. & ‘ED Konstruksion’ sh.p.k., të cilët kishin mangësi në dokumentacionin e paraqitur, veçanërisht në kriteret për kapacitetin teknik”.
“Pas analizës së dokumentacionit të procedurës së prokurimit, është konstatuar se anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtetasit Edmonda Harizi, Feta Hoxha, Bersant Ylli dhe titullari i autoritetit kontraktor (Bashkia e Memaliajt), shtetasi Gjolek Guci, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për operatorë të tretë, duke kualifikuar dhe shpallur fitues bashkimin e operatorëve ekonomikë “KEG” sh.p.k. & “ED Konstruksion” sh.p.k., të cilët kishin mangësi në dokumentacionin e paraqitur, veçanërisht në kriteret për kapacitetin teknik” – thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë së Posaçme, është pranuar në mënyrë të paligjshme nënkontraktimi me shoqërinë “Artreum Generation”, e cila ndodhej në kushtet e konfliktit të interesit, pasi kishte hartuar projektin dhe specifikimet teknike, pa përmbushur kriteret ligjore për të qenë nënkontraktore.
Ndërkohë, më 28 janar 2026, SPAK ka vendosur ndarjen e procedimit penal për vijimin e hetimeve lidhur me zbatimin e kontratës së ujësjellësit, për të cilën priten veprime të tjera hetimore.
Gjolek Gucaj ka drejtuar Bashkinë e Memaliajt për vite me radhë dëri kur kandidati i ‘Bashkë Fitojmë’, Albert Malaj fitoi me një diferencë prej 312 vota. Për Gjolek Gucin ka pasur edhe denoncime të tjera jo vetëm nga qytetarë, por edhe nga Partia Demokratike.









