Në ditën e njëmbëdhjetë të protestave studentore, dhjetëra drejtues të administratës shtetërore janë përballur me një zhvillim që deri dje nuk e kishin parashikuar: kërkesën për të dorëzuar karrigen.
Kryeministri Edi Rama, të cilit studentët po i kërkojnë dorëheqjen prej dhjetë ditësh, ka vendosur t’ua kërkojë atë drejtuesve të institucioneve në varësi të ministrive.
Urdhri u është komunikuar ministrave më 22 tetor, ndërsa procesi i dorëheqjeve pritet të nisë sot, më 23 tetor. Drejtuesit duhet të dorëzojnë dorëheqjet deri të hënën, më 26 tetor, së bashku me një raport mbi punën e tyre.
Nga kjo lëvizje përjashtohen institucionet e arsimit, shëndetësisë dhe Policia e Shtetit.
Megjithatë, dorëheqja nuk nënkupton domosdoshmërisht largim përfundimtar. Drejtuesit do t’i nënshtrohen një procesi vlerësimi, pas të cilit një pjesë mund të rikthehen në të njëjtat poste. Në këtë proces pritet të ketë rol edhe ministrja e Administratës Publike, Adea Pirdeni.
Por cilët janë drejtuesit që preken nga urdhri i kryeministrit?
Nga Tatimet dhe Doganat te kompanitë e energjisë, rrugët dhe Burgjet
Në Ministrinë e Financave, ndër drejtuesit e përfshirë në kërkesën për dorëheqje janë:
* Ilir Binaj, drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve.
* Besmir Beja, drejtor i Përgjithshëm i Doganave.
* Etugert Llazi, drejtor i Qendrës Kombëtare të Biznesit.
* Jonaid Myzyri, drejtues i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara.
Në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, lista përfshin drejtuesit e disa prej kompanive dhe institucioneve më të rëndësishme publike:
* Ami Kozeli, drejtues i Autoritetit Rrugor Shqiptar.
* Viola Haxhiademi, drejtuese e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH).
* Elisian Bici, drejtues i Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST).
* Eltar Deda, drejtues i Albpetrolit.
* Ergys Verdho, drejtues i Hekurudhës Shqiptare.
* Dritan Isaku, drejtues i Albcontrol.
Në institucionet e drejtësisë dhe administrimit të vendimeve gjyqësore, kërkesa për dorëheqje përfshin:
* Sadleva Bodo, drejtuese e Përgjithshme e Burgjeve.
* Ergys Qirici, drejtues i Përgjithshëm i Përmbarimit.
* Besmir Kola, drejtues i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës.
* Valdrin Pjetri, drejtues i Agjencisë së Trajtimit të Pronave.
* Eduard Merkaj, drejtues i Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale.
Në agjencitë e tjera shtetërore, ndër emrat e përfshirë janë:
* Silda Anagnosti Çepe, drejtuese e IdentiTek.
* Ervin Koçi, drejtues i Agjencisë së Inteligjencës Financiare.
* Laura Plaku Saro, drejtuese e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA).
* Ardita Kuçi, drejtuese e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR).
* Marjeta Përlala, drejtuese e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
Edhe drejtoresha e Burgjeve, e emëruar vetëm nëntë ditë më parë
Një nga rastet më të veçanta është ai i Sadleva Bodos, e cila mori drejtimin e Burgjeve më 14 tetor, vetëm nëntë ditë përpara nisjes së këtij procesi.
Edhe ajo rezulton mes drejtuesve të cilëve u është kërkuar dorëheqja, megjithëse sapo ishte emëruar në detyrë.
Urdhri shtrihet edhe te drejtoritë rajonale
Operacioni nuk kufizohet vetëm te drejtuesit e institucioneve qendrore. Kërkesa e Ramës përfshin edhe strukturat rajonale në varësi të ministrive, çka e zgjeron ndjeshëm numrin e funksionarëve që mund të preken.









