• Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti
Nuk ka rezultate
View All Result
Nuk ka rezultate
View All Result

Nga Kryepiskopi Joan/ Lutja e Kreshmës së Madhe

24/02/2026
Fortlumturi Joani: Lufta, konfliktet etnike që prekën Ballkanin, janë një mëkat dhe e keqe që Kisha duhet t’i luftojë

Periudha e Kreshmës së Madhe, përveç se është një periudhë udhëtimi është dhe një periudhë restaurimi. E përmenda këtë fjalën ‘restaurim’, sepse kur një theolog i famshëm donte të shpjegonte dhe të vinte në dukje që na ka humbur kuptimi i fjalëve, e krahason pikërisht me restaurimin.

Para rreth 80-vjetësh, kur nuk ishin zbuluar teknikat e pastrimit të ikonave në shumë pjesë të literaturës botërore, arti i ikonave quhej arti i errët, sepse të gjitha ikonat ishin nxjerrë nga tymi i kohës dhe të jepnin imazhin e një pamjeje të errët. Kur dolën teknikat e reja, panë që ikonat ishin krejtësisht ndryshe. Madje baza e ikonës ishte ndriçimi dhe shkëlqimi. E njëjta gjë ndodh edhe me fjalët e lutjeve tona. Pasi kalon shumë kohë, pasi kalojnë nga pluhuri i neglizhimit, këto fjalë nuk thonë më gjë. Fjala ‘Zot’ është fjala më pa kuptim në botë, sepse të gjithë e përmendin, por asnjë nuk e di se çfarë do të thotë. Fjalët e lutjeve tona i themi vetëm me buzë, pa e ditur kuptimin e tyre të thellë. Periudha e Kreshmës së Madhe është periudha e restaurimit të këtyre fjalëve. Lutja që përmendet më shumë dhe më gjatë në Kreshmën e Madhe është Lutja e Shën Efrem Sirianit. Ajo është një lutje e shkurtër dhe do të na shoqërojë gjatë Kreshmës, të paktën 2 herë në ditë, gjatë shërbesave të Kishës Orthodhokse.

Lutja thotë: Zot dhe Mjeshtër i jetës sime,

mos më jep frymë përtese, kureshtjeje, lavdidashjeje, dhe kotësie (fjalë kotësie).
Por falmë frymë urtësie, përulësie, durimi dhe dashurie.
Vlerësomë, o Zot dhe Mbret, të shikoj fajet e mia dhe të mos e gjykoj tim vëlla,
Se i bekuar je në jetë të jetëve. Amin.

Në pamje të parë fjalët e lutjes duken të thjeshta, nuk përmendin as vrasje, as vjedhje, as shumë gjëra të tjera dhe shumë njerëzve, po t’i shohin këto, nuk u duken si frymë e mëkatshme. Le të ndalemi dhe le të heqim pak nga pluhuri që ka mbuluar këtë fjalë me aq sa mundemi, nëse jemi sadopak restaurues të mirë.

Përse shenjtori dhe e gjithë kisha i lutet Zotit që të mos i japë frymë përtese? Përtesa është ajo që ne nuk e shohim shumë, por në mënyrë të ngadalshme pushton shpirtin e njeriut dhe e ndryshon atë. Përtesë nuk do të thotë vetëm përtesë e jashtme, ashtu siç mund ta shohim, ajo është reflektim i përtesës së brendshme. Përtesa është mungesa e një energjie shpirtërore.

Njerëzit kanë pak energji shpirtërore, për të jetuar një jetë të shpirtërore. Nëse nuk ekziston përtesa, do të ndryshojë i gjithë vizioni ynë. Përtesa është një lloj helmi, i cili helmon shpirtin dhe mendjen e njeriut dhe krijon një vizion të gabuar për botën dhe për njerëzit. Nga përtesa vjen edhe çdo gjë tjetër. Depresioni dhe shqetësimet që ka njeriu vijnë nga fryma e përtesës. Kjo frymë luftohej kaq shumë nëpër manastire, sepse e dinin sa dëm i sjell njeriut fryma e përtesës. Fryma e përtesës pothuajse e ka zaptuar botën, sepse çdo njeri që takon vetëm ankohet. Ankimi vjen pikërisht nga fryma e përtesës.

Çdo njeri që ka frymë përtese, e ka ankimin akoma edhe më thellë. Dhe nëse dikush nuk ankohet, ai do të shihet me dyshim sikur nuk është në rregull nga mendtë. Aq thellë ka hyrë kjo frymë, saqë është bërë si një lloj mënyre jetese, madje si mënyrë inteligjence jetese. Përtesa, në kuptimin asketik të fjalës përtesë, është mungesa e energjisë shpirtërore dhe asketi i kërkon Zotit të mos i japë frymë përtese, sepse e di dëmin e madh që vjen prej saj. Le ta analizojë secili prej nesh veten e tij dhe le të shohë sesa thellë është përtesa në shpirtin e tij. Njerëzit që kanë analizuar veten dhe kanë arritur një pjekje të madhe shpirtërore, kanë qenë njerëz që kanë pasur energji të madhe shpirtërore. Të mos na duket si një fjalë e thjeshtë, sepse përtesa qëndron në themel të shpirtit të njeriut, shkatërron të gjithë shpirtin dhe i jep atij vizion tjetër. Përtesa, thoshte një theolog i madh, vjen nga djalli, sepse aty ku sugjeron përtesa, aty janë gënjeshtrat e djallit, në kuptimin që i jep një vizion të gabuar mbi botën. Djalli është gjithmonë gënjeshtar dhe ati i gënjeshtrës, thotë Shkrimi i Shenjtë (Jn. 8:44).

Sa herë që na vijnë sugjerime për botën, për njerëzit, që gjithçka është e keqe, këto nuk vijnë nga Zoti. Thellë – thellë gjithçka është e mirë (Zan.1). Dhe nëse ne do të kemi sy dhe fuqi për të parë të mirën, do ta dallojmë atë; por nuk e dallojmë dot të mirën, sepse nuk kemi sy, ngaqë ka hyrë thellë përtesa dhe ka ndryshuar të gjithë vizionin tonë. Ndërsa krijimi dhe njeriu është krijuar nga Zoti, gjë që do të thotë që thellë ekziston e mira. Dhe përderisa ekziston e mira, do të thotë që ekziston shpresa, dhe përderisa ekziston shpresa, ekziston edhe energjia shpirtërore për të realizuar mësimin e Zotit. Sot jetojmë në një botë cinike dhe ankimi është tipar dallues i botës së sotme, sepse në bazë të shpirtit qëndron vizioni i gabuar mbi botën, mbi njeriun e mbi vëllain. Askush nuk sheh diçka të mirë tek tjetri, sepse pamja e diçkaje të mirë do të thotë zbulim i thellë i vetes sate dhe i asaj diçkaje të mirë. Shën Siluan Athoniti thotë: “Kushdo që është vizituar nga Shpirti i Shenjtë, ka fuqi të shohë Shpirtin e Shenjtë tek të gjithë të tjerët”.

Ne nuk e njohim Shpirtin e Shenjtë, sepse përtesa sjell imazh të rremë, jo vetëm mbi veten e botën, por edhe mbi shpirtin dhe mbi gjendjen e njeriut. Ajo i jep njeriut një gjendje që nuk është e tij dhe kjo krijon atë që nuk ka më përpjekje të famshme për asketizëm. Asketizëm nuk do të thotë të rrish pa bukë e pa ujë, por asketizëm do të thotë përpjekje për t’u ngjitur atje ku njeriu ka qenë, pra, përpjekje për të filluar udhëtimin.

Ajo që e pengon njeriun të fillojë udhëtimin është pikërisht përtesa. Përtesa thellë – thellë nuk ka logjikë, por është një iluzion i gabuar, i cili vjen në një frymë që e mundon aq shumë njeriun. Jo më kot murgjërit ishin aq të ndjeshëm kundër kësaj fryme. Jo më kot asketi Efrem kërkon të mos ketë frymë përtese. Ankimet e mëdha nuk kanë bazë logjikën, por janë vizione të gabuara që krijojnë një frymë tjetër mbi botën. Pikërisht periudha e kreshmës dhe lutja e Kishës janë ato që do të ndryshojnë këtë gjë. Të ndryshojmë frymën që na ka zaptuar dhe na zapton vazhdimisht. Është tragjedi të shohësh të rinj dembel.

Lutjuni Zotit me gjithë shpirt sa herë që thoni lutjen e Shën Efremit, që t’ju heqë frymën e përtesës, dhe pastaj do të kuptoni sa forcë e madhe do t’ju vijë. Gjithë këto gjëra që janë bërë në botë, janë bërë nga energji të mëdha. Dhe njerëzit që përhapën Ungjillin në të gjithë botën patën një energji të pashtershme shpirtërore, sepse u mungonte fryma e përtesës. Ata kishin jo vetëm energji, por kishin edhe falenderim në shpirt. Shumë njerëz nuk e kuptonin pse ata e kishin falënderimin, kur ata vuanin dhe lavdëronin Zotin. Sepse duke u hequr fryma e përtesës vjen një vizion i vërtetë mbi botën. Ai që ka vizionin e vërtetë mbi botën, gjithmonë do të ketë në shpirt një frymë falenderimi.

Tjetër që kërkojmë në lutje është kureshtja. Kjo në dukje është një mëkat i vogël, madje nuk është aspak mëkat. Ndoshta njerëzit thonë se nuk ka ndonjë gjë që interesohemi për diçka. Mjeshtërit e jetës shpirtërore dinin të dallonin. Ashtu si një mjek i mirë e di sesa e rëndësishme është higjena personale dhe ajo e ambientit, edhe nëpërmjet kësaj lutjeje Shën Efremi do që të japë një ambient higjenik shpirtëror. Sepse fryma e kureshtjes vjen nga fryma e përtesës. Të gjithë dembelët janë thashethemexhinj.

Sa më tepër të mos merret njeriu me punë reale, aq më tepër do të merret me të tjerët. Është e pamundur që njeriu të mbetet në një gjendje statike, bosh. Sa qejf kanë njerëzit për thashetheme. Thuaju njerëzve do t’ju flasim nesër për disa persona, do të vijnë të gjithë. Thuaju do t’ju flasim nesër për Zotin, asnjë nuk vjen. Sepse mungesa e një energjie të thellë shpirtërore e mbush njeriun me një pseudoinformacion. Informacioni i madh që marrin nga njerëzit, nga televizioni është bosh. Asnjë nuk mban mend çfarë informacioni ka marrë para tre ditësh.

Gazetat dhe lajmet kalojnë të gjitha. Kjo është një frymë kureshtjeje, se ikën një vit e vjen një tjetër pas tij, vetëm 2, 3 emra ndryshojnë, thelbi mbetet po ai që është. Fryma e kureshtjes është një frymë që nuk e ndihmon dot njeriun. Kurioziteti i madh që ka njeriu për të ditur se çfarë bëjnë të tjerët, do të thotë që ai nuk po kupton dot jo vetëm jetën e tij pse jeton, por nuk e kupton as përse e ka këtë kureshtje. Dhe ne jemi të ndërgjegjshëm sesa e madhe është kureshtja. Madje njerëzit nuk mund të rrinë dot pa kureshtje. Shumë gjëra që na duken të rëndësishme janë pa vlerë. Çfarë vlere ka se çfarë bëri tjetri dje? Fryma e kureshtjes i humbet njeriut qëllimin e jetës. Prandaj kërkohet edhe heshtja, sepse të folurit tonë është gjithmonë rreth kureshtjes. Askush nuk e ndalon të folurit. Profeti Isaia pa engjëjt që po këndonin: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij” (Is.6:3). Nëse do të arrini në këtë lloj të foluri, flisni vazhdimisht ditë e natë. Arsyeja që themi të kufizohet pak është që atë pak dituri që fitoni në lutje apo mësime, të mos e humbisni dhe të mos e tresni me kureshtjen.

Tjetër gjë që kërkojmë në lutje është: O Zot, mos më jep frymë lavdidashjeje. Ajo është diçka nga e cila nuk shpëton asnjeri, sado që shumë njerëz nuk e pranojnë, sepse ne realisht nuk i pranojmë gjërat. Thuaji një hajduti që je hajdut, ai të hidhet në fyt. Njeriu nuk e pranon lehtë atë që ka. Lavdidashja nuk është thjesht një dëshirë për pushtet të jashtëm, se ne kujtojmë që lavdi duan vetëm disa njerëz që jetojnë në krye. Lavdidashje do të thotë një vizion i ndryshëm i të parit të botës. Përderisa i shohim të tjerët si një mjet për qëllimet tona, kjo është lavdidashje. Nuk i duam thjesht si persona, si qenie të gjalla, por i duam, ngaqë plotësojnë dëshirat tona dhe vizionin tonë. Pothuajse i gjithë njerëzimi këtë mendësi ka përqafuar. Ka pak njerëz që i shohin njerëzit si persona, ka pak njerëz që shohin te çdo njeri imazhin e Trinisë së Shenjtë.

Dhe lavdidashja është pikërisht shenjë që nuk i duam njerëzit ashtu siç janë, por i duam se ata plotësojnë dëshirat tona. Kjo do të thotë që i shohim njerëzit si objekte. Në asnjë shpirt ku ndodhen këto gjëra, madje këto të voglat si: përtesa, kureshtja, lavdidashja, është shumë e vështirë të vijë hiri i Perëndisë, jo se nuk do Zoti, por e pengojmë ne. Raporti me Zotin është kështu: Zoti jep pa masë. Problemi është se ne nuk kemi enë për ta marrë atë që jep Zoti. Ne shkojmë me duar bosh dhe themi nuk më dha Zoti. Nuk të dha Zoti, se nuk more dot ti, sepse hiri i Zotit është aty në çdo Mister, në çdo shërbesë, në çdo libër, në çdo gjë, madje gjithë universi është i mbushur me hirin e Zotit. Arsyeja që nuk kemi hir është se nuk kemi mjet për ta kapur. Të gjitha ato që përmend asketi në lutje janë pengesa.

Tjetra që përmendet lutja është kotësia. Ndoshta jemi të gjithë të prapë. Kjo është një nga tragjeditë e mëdha të njerëzimit. Njeriu i cili u krijua qenie e arsyeshme dhe e lirë, njeriu i cili u krijua të ishte në lidhje të vazhdueshme me Zotin, është bërë një nga qeniet më të kota. Gjithë jeta e tij është kthyer në një kotësi. Kotësi do të thotë mungesa e një qëllimi për jetën. Qëllimi në jetë nuk vendoset dot pa pasur një sistem fetar. Kotësia për të cilën flet Shën Efremi është kur mendojmë se kemi një qëllim në jetë, por në realitet nuk e kemi. Ne mendojmë se po jetojmë me Zotin, e megjithatë Ai nuk ka asnjë rol në jetën tonë të përditshme. Le të mendojë secili në sekretin e zemrës së tij, sa vend zë realisht Zoti në jetën e tij të përditshme. Le të provojë një ditë të jetojë pa Zotin, çfarë ndryshimi do të ketë. Kjo është kotësia, kur njeriu endet në jetë pa asnjë lloj qëllimi.

Asketi kërkon shmangien e këtyre katër gjërave, të cilat në dukje duken të lehta, por që të gjitha të tjerat arrihen mbi këto. Po të jetë njeriu përtac, kureshtar, lavdidashës etj, nuk do të ketë më energji shpirtërore. Mëkati nuk është thjesht thyerje, por është një gjendje e brendshme, gjendje që jetohet larg Perëndisë. Kjo periudhë është periudhë analizimi dhe restaurimi, për t’i hequr pluhurin të gjitha lutjeve. Kërkohet energji për të hequr përtacinë, lavdidashjen, kureshtjen dhe kotësinë. Kjo që ka vendosur asketi është një listë kontrolli, por në kuptimin negativ.

Tani le të dalim në kuptimin pozitiv, ku asketi kërkon nga Perëndia që t’i japë frymë urtësie. Frymë urtësie ka kuptimin e një uniteti, kur zemra dhe mendja e njeriut të jetë një, kur gjithçka që ai dëshiron të bëhet një, kur shpirti dhe mendja të jetë një. Ato që dëshiron mendja të realizohen. Dhe nuk është vetëm çështje për mëkatarët. Apostulli i madh, Shën Pavli thoshte: “Atë që dua nuk e bëj” (Rom.7:15). Fjala ‘i urtë’ sot është një sharje. Ka humbur vizioni i vërtetë i njeriut mbi gjithçka. Asketi kërkon frymën e urtësisë, frymën që nuk mburret, që nuk kërkon lavdidashje të kotë, që nuk jeton në kotësi. Ungjilli nuk kuptohet dot nga mendja që nuk ka frymë urtësie, sepse çdo frazë e Ungjillit ka një tjetër lloj diturie. Mundohuni që ta keni këtë urtësi.

Tjetër gjë që kërkon shenjtori dhe Kisha është përulësia. Të gjithë e dinë standardin e përulësisë, të gjithë ankohen se të tjerët nuk janë të përulur. Kjo fjalë përdoret më shumë në rrethana fetare, por praktikohet më pak. Çdo të thotë përulësi? Përulësia nuk është një pozë, përulësi nuk do të thotë të shash veten. Ka njerëz që shajnë veten dhe janë shumë krenarë. Përulësi nuk do të thotë të thuash që unë jam i keq. Përulësi do të thotë të arrish të kuptosh gjendjen tënde të vërtetë. Ajo që e prish njeriun është iluzioni për veten. Ne jetojmë me iluzione. Pak njerëz jetojnë me frymë urtësie dhe përulësie. Ne gjithmonë ndërtojmë mbi veten diçka që nuk është.

Çdo njeri mendon për veten diçka që realisht nuk është. Nëse ai do të ketë sy të mprehtë shpirtëror për të parë veten, është e pamundur të mos jetë i përulur. Njeriu që e njeh thellë veten është i përulur. Ai që e vështron thellë veten e tij, pa ato syzet e iluzionit, do ta njohë veten e tij dhe dobësitë e tij. Dhe këto nuk do ta ulin atë, por do ta ngrenë. Ajo që e ul njeriun është ajo që ai ndërton një sistem për botën, e sidomos për veten e tij, kur kjo gjendje nuk ekziston. Kjo do të thotë të jesh me iluzione. Kjo do të thotë të jetosh me ëndrra. Njeri i përulur do të thotë njeri që ka mendje të kthjellët. Le të shohë çdo njeri pak veten e tij: sa lart e mendon veten nga të tjerët. Çdo njeri e mendon veten më të mirë se të tjerët. Pra, përulësia është njohje dhe ai që ka njohje është i përulur. Ai që është i përulur, ka falënderim në shpirt.

Të gjitha këto jetojnë në një sistem. Ai që është përtac, ankohet; ai që është krenar, ankohet; ai që është i përulur, falënderon Zotin, sepse ai e di sa pak ka dhënë në këtë gjë dhe e di se ka marrë shumë. Ajo që kërkon asketi dhe Kisha nëpërmjet lutjes së Shën Efremit është që gjithsecili të shohë veten me sytë realë, me mendje të kthjellët, ashtu siç është, jo ashtu siç mendon se duhet të ishte, apo siç mendon ai se është. Mënyra sesi e shohim veten është e gabuar. Përulësia nuk e ul njeriun, por e lartëson atë, sepse përulësi do të thotë të respektosh njeriun ashtu siç është dhe veten tënde ta pranosh ashtu siç je dhe ta shohësh veten tënde realisht ai që je. Dhe kështu fillon udhëtimi i vërtetë.

Askush nuk mund të fillojë udhëtimin e vërtetë, nëse nuk e sheh veten ashtu siç është. Siç thuhet edhe te Paravolia e Djalit plangprishës që djali erdhi në vete (Llk.15:17). Çfarë tha ai, pasi erdhi në vete? – “O Atë, mëkatova kundër teje” (Lk.15:21). Ai e pa veten siç ishte realisht dhe jo sesi do të ishte. Kjo është fryma e përulësisë, jo thjesht të marrim poza. Fryma e përulësisë është frymë reale e vërtetë. Ne nuk e jetojmë të vërtetën, ndoshta kemi librat e vërtetë, kemi besimin e vërtetë, prandaj shpeshherë mburremi me doktrinën, dhe kjo është lavdia e saj, por jo lavdia jonë personale. Fryma e përulësisë jep dritë të madhe. Ajo do të na japë dritë të shohim gjendjen tonë reale, dhe po të shohim gjendjen tonë reale ashtu siç është, do ta kërkonim shërimin ashtu siç djali plangprishës, që, pasi e kuptoi gjendjen e tij reale, filloi të kërkonte shërimin. Çdo njeri që arrin të dallojë që është i sëmurë, kërkon mjekim. Ai që mendon që nuk është i sëmurë, nuk kërkon mjekim.

Kërkesa e tretë është fryma e durimit. Ai njeri që është i përulur, që ka urtësi, ka edhe durimin. Durimi nuk është thjesht të durosh disa padrejtësira ose të durosh vuajtje të ndryshme. Durimi ka një kuptim akoma më të thellë. Durimi, ashtu si edhe virtytet e tjera, është gjendje shpirtërore, është vizion shpirtëror. Njeriu që ka besim është dhe i duruar. Njeriu që nuk ka durim është njeriu që nuk ka besim shumë të fortë. Zoti thotë: “Me durimin tuaj do të shpëtoni shpirtrat tuaj” (Llk.21:19). Durim do të thotë që njeriu e mat të sotmen me parametrat e së ardhmes, me parametrat e së përjetshmes.

E ardhmja i jep kuptim jetës së krishterë, sepse po të mos ishte Zoti dhe po të mos ishte Ngjallja, thotë Shën Pavli, atëherë besimi ynë do të ishte i kotë (shih 1 Kor.15:16-17). Ne jetojmë sikur nuk është Zoti, sikur nuk është Ngjallja. Kemi padurim të madh, çdo gjë e duam sot, nuk presim dot deri nesër. Nuk ekziston aspak durim. Një fatkeqësi e vogël sjell një shqetësim të madh, prandaj themi që ka humbur vizioni fetar i botës. Dikur çdo fatkeqësi dhe çdo gjë tjetër nuk shihej si një incident, por shihej në një plan më të thellë shpirtëror dhe nga çdo fatkeqësi mundoheshin të nxirrnin të mirën. Çdo gjë që na ndodh, nëse kemi durim të madh, do të arrijmë të shohim dhe frytet e saj. Asgjë nuk bëhet pa mundim. Sa më i madh mundimi, aq më i madh fitimi. Ne sot e duam çdo gjë pa mundim.

Gjithçka që ka ndërtuar qytetërimi i sotëm është që mundimi të jetë sa më i vogël, dhe sa më tepër mundohemi që të lehtësohemi, aq më shumë rëndohemi. Çfarë nuk është bërë për të lehtësuar dhe shkurtuar kohën: avionë, lavatriçe etj, e përsëri kohë nuk kemi. Më përpara nuk i kishin këto lehtësime dhe kishin akoma më shumë kohë. Koha është një vizion shpirtëror. Nëse jeton me Zotin, ke shumë kohë, ke shumë durim dhe gjithçka tjetër. Nëse nuk jeton me Zotin, nuk do të kesh kurrë asgjë. Prandaj, asketi kërkon durim në lutjen e tij. Durimi është shenjë e vizionit të thellë shpirtëror.

Dhe e fundit dhe më e madhja është fryma e dashurisë. E dimë nga Ungjilli që emri i Zotit është dashuri (1Jn.4:8b). Pra, ajo që e karakterizon Zotin më shumë se gjithçka tjetër është pikërisht dashuria për çdo gjë (Jn.3:16). Këtu qëndron dhe ngjashmëria më e madhe që mund të arrijë njeriu më Zotin, kur ai ka në shpirt dashurinë për gjithçka (Jn.15:12). Dhe ajo që e vret shumë dhe e deformon shpirtin njerëzor është mungesa e dashurisë. Sa të mundeni, shtojeni sa më shumë dashurinë. Madje Zoti thotë “duajini edhe armiqtë tuaj” (Mt.5:44).

E thotë këtë, se na do ne. Sepse nëse do të kemi urrejtje në shpirt, jemi ne që do të dëmtohemi, jo armiqtë tanë. Madje një shenjtor i madh thoshte që nëse unë urrej qoftë edhe një gjethe, nuk jam më njeri i plotë. Dashuria i jep njeriut dhe shpirtit njerëzor plotësinë e tij, dhe nëse do t’i japë plotësinë e tij, do të jetë gati jo vetëm të durojë, jo vetëm të nisë udhëtimin, por do të jetë gati të mbajë një dialog të vazhdueshëm me Perëndinë, sepse e dimë që njeriu është krijuar për të jetuar në kungim të përjetshëm me Perëndinë.

Të gjitha këto që thamë, janë sa për të na nxitur, që secili nga ne të mendojë dhe të përpiqet të fshijë pak pluhurin e atyre që thotë, sepse nuk ka gjë më të kotë, sesa të thuash fjalë pa kuptim. Themi lutje, dhe përsëri fjalët tona janë pa kuptim; bëjmë shërbesa, dhe po njësoj. Kalon një Pashkë dhe vjen tjetra, dhe jemi po ata, madje dhe më të këqij. Çfarë kuptim ka kreshma dhe lutja, nëse ato nuk funksionojnë në rritjen tonë shpirtërore? Të gjitha këto që bëjmë janë mjete për qëllimin final: Takimi me Zotin e Ngjallur.

Kreshma është një periudhë meditimi, restaurimi. Le ta shfrytëzojmë këtë periudhë, le të mendojmë se kemi qëllim në këtë jetë. Jemi krijuar me një qëllim të madh, jemi krijuar të jemi me Zotin. Kjo rrugë është shumë e gjatë dhe duhen shumë pajisje, ashtu si çdo njeri që udhëton merr bukë dhe gjëra të tjera që i nevojiten, ashtu edhe në udhëtimin shpirtëror një pajisje e madhe vjen nga Lutja e Shën Efremit.

Kreshmë të mbarë.
Udhëtim të mbarë drejt Zotit, për ta takuar Atë në Pashkë.

Related Posts

Bllokimi i rrugëve, tregtia 1.2 miliardë euro sipas produkteve me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut
Kryesore

Bllokimi i rrugëve, tregtia 1.2 miliardë euro sipas produkteve me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut

24/02/2026
Itali, sekuestrohet vila 500 mijë euro e shqiptarit
Kryesore

Itali, sekuestrohet vila 500 mijë euro e shqiptarit

24/02/2026
Juglindja e izoluar, drejtori i ARRSH: Reshjet dhe erozioni shkaktuan destabilizim
Kryesore

Juglindja e izoluar, drejtori i ARRSH: Reshjet dhe erozioni shkaktuan destabilizim

24/02/2026
Digjet lokali në Vlorë
Kryesore

Digjet lokali në Vlorë

24/02/2026
S’ka konsensus për Ballukun në Kuvend, vendimi final në dorë të deputetëve më 5 mars
Kryesore

S’ka konsensus për Ballukun në Kuvend, vendimi final në dorë të deputetëve më 5 mars

24/02/2026
Juglindja e izoluar, ARRSH në pritje të studimit gjeologjik
Kryesore

Juglindja e izoluar, ARRSH në pritje të studimit gjeologjik

24/02/2026

Argjiroja.net është një media online e pavarur, që informon me profesionalizëm dhe shpejtësi lexuesit. Në vëmendjen tonë të veçantë janë kryesisht ngjarjet në jug të Shqipërisë, por edhe zhvillime të tjera të rëndësishme brenda e jashtë vendit.
Argjiroja.net është pjesë e NaN Studio Sh.P.K me NIPT M02012001P

Për marketing dhe çdo informacion tjetër na shkruani në adresën [email protected]

Të fundit

Bllokimi i rrugëve, tregtia 1.2 miliardë euro sipas produkteve me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut

Bllokimi i rrugëve, tregtia 1.2 miliardë euro sipas produkteve me Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut

24/02/2026
Itali, sekuestrohet vila 500 mijë euro e shqiptarit

Itali, sekuestrohet vila 500 mijë euro e shqiptarit

24/02/2026
  • Kryesore

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al

Nuk ka rezultate
View All Result
  • Lajme
  • Kryesore
  • Lifestyle
  • Show Bizz
  • Sport
  • Pikante
  • Planet
  • Argjiro +
  • Para dhe Pushtet
  • Portal pune
  • Faqe Interneti

© 2023 Argjiroja.net Design by NanStudio.al