Nga DASHNOR KALOÇI
Memorie.al / Plot 41 vite më parë, ditën e enjte më 11 prill të vitit 1985, nëpërmjet Radio-Televizionit Shqiptar u transmetua njoftimi zyrtar i Komitetit Qendror të PPSH-së, Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, për vdekjen e udhëheqësit kryesor të Shqipërisë, Enver Hoxhës, njoftim i cili u botua po atë ditë edhe gazetën “Zëri i Popullit”, ku në faqen e parë nën titullin e madh e me gërma kapitale shkruhej: “Dhimbje e thellë për partinë dhe gjithë popullin shqiptar – vdiq udhëheqësi ynë i dashur Enver Hoxha”. Po në fund të faqes së parë, jepej edhe njoftimi: “Vendimi mbi krijimin e komisionit për organizimin e varrimit të shokut Enver Hoxha”, si dhe Komunikata Mjekësore e nënshkruar nga ekipi i mjekëve të tij personal apo dhe të Klinikës Speciale të udhëheqjes (Prof. Petrit Gaçe, Prof. Fejzi Hoxha, Kandidati i Shkencave Mjekësore Isuf Kalo, Docent Ylli Popa, Prof. Bajram Preza, Doktor Ahmet Kamberi, Kandidati i Shkencave Mjekësore, Zabit Brokaj, Doktor Arben Fino), ku jepej një historik i shkurtër i sëmundjeve që ai kishte që nga viti 1948, ku si rezultat i të cilave edhe vdiq, në ora 02.15 të datës 11 prill 1985.
enver hoxha
Sa më sipër, por edhe figura e Enver Hoxhës, njeriut që qeverisi me dorë të hekurt vendin e tij që nga nëntori i vitit 1944 kur ai erdhi në pushtet me mbarimin e Luftës e, deri sa vdiq në 11 prillin e vitit 1985, është shumë e njohur, pasi pasi menjëherë pas shembjes së regjimit komunist në fillimin e viteve ’90-të, ai është bërë objekt shkrimesh, librash, emisionesh, dokumentarësh, analizash, debatesh, etj., etj., ku me dëshmi apo dokumente arkivore, janë zbardhur dhe bërë publike botërisht pothuaj pjesa më e madhe veprimtarisë dhe krimeve të tij. Si ato të kryera ndaj kundërshtarëve të tij politik që nga periudha e Luftës, (Ballit dhe Legalitetit), ashtu edhe ato ndaj bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, komandantë dhe komisarë të brigadave partizane, ish-kuadro të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, anëtarë të Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, deputetë të Kuvendit Popullor, sekretarë të parë të Komiteteve të Partisë së rretheve, Komiteteve e Ekzekutive, Degëve të Punëve të Brendshme, etj. etj.
Nisur nga kjo, në këtë shkrim po publikojmë disa disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Brendshme me siglën “Tepër Sekret”, (tashmë të de-klasifikuara), ku nëpërmjet komunikatave operative të Degës së Përgjithshme të Ministrisë së Brendshme, njoftohet mbi situatën në të gjithë kufirin shqiptar me Jugosllavinë dhe Greqinë, si dhe atë të kufirit detar me Italinë dhe Greqinë, ku do të shikojmë dy pamje diametralisht të kundërta: ndërsa në kufirin me Jugosllavinë ka lëvizje të mëdha trupash ushtarake dhe stërvitje deri në afërsi të piramidave tona të kufirit, në të gjitha postat kufitare të Greqisë, është ulur flamuri grek në gjysëm shtizë, në shenjë nderimi për vdekjen e udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxhës.
Ndërsa në ujërat tonë detare Gjirin e Kepit të Rodonit në Detin Adriatik, mëngjesin e 11 prillit 1985, kur sapo ishte dhënë lajmi zyrtar mbi vdekjen e Enver Hoxhës, ndodhej e ankoruar një anije sovjetike, si dhe dy ditë më vonë, më 13 prill, fare pranë Ksamilit, një anije tjetër sovjetike ishte afruar aty?! Lidhur me këto dhe të tjera, na njohin dokumentet arkivore në fjalë të cilat publikohen për herë të parë dhe me faksimilet përkatëse nga Memorie.al
KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 11 PRILL 1985, KU NJOFTOHET PËR LËVIZJE AVIONËSH LUFTARAK JUGOSLLAVË NË ZONËN E PIKËS KUFITARE TË HANIT TË HOTIT
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË “Tepër sekret”
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 11.4.1985
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 85
SHKODRA
Më datën 10.4.1985, komandanti i Pikës Kufitare Hot ka informuar se në orën 22.05, në hapësirën ajrore të Jugosllavisë, në kuadratin 593, ka lëvizje avionësh. Numri., lartësia dhe dritat nuk duken. Në këtë kuadrat thonë se ka fushë avionësh.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
BAUDIN KAZANI
KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 12 PRILL 1985, KU NJOFTOHET PËR LËVIZJE TRUPASH USHTARAKE DHE STËRVITJE TË TYRE NË KUFIRIN ME JUGOSLLAVINË E GREQINË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË “Tepër sekret”
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 12.4.1985
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 86
PESHKOPIA
Më datën 11.4.1985, rreth orës 11.30, kuadrati 0359 D, posta kufitare Kërçisht, 15 ushtarë kanë filluar stërvitje rreth 500 metra larg vijës së kufirit. Ata janë afruar duke vazhduar stërvitjen 200- 300 metra larg vijës së kufirit. Ata u larguan rreth orës 15.50.
Më datën 11.4.1985 ora 13.10, një kamion ushtarak i mbuluar erdhi në drejtim të Dibrës së Madhe (Jugosllavi), në postën kufitare Spas, ku zbritën disa ushtarë. Kamioni shoqërohej nga një “Gaz” veturë.
Më datën 11.4.1985, ora 15.40, në rajonin e piramidës sonë kufitare Lladomenicë u futën dy lopë nga toka jugosllave 150 m. në thellësi të tokës sonë. U porositën shokët e pikës kufitare që t’i kthejnë në tokën jugosllave.
Më datën 11.4.1985, ora 18.50, u konstatua se nga kamioni i ardhur në pikën kufitare të Spasit, u shkarkuan disa arka. Është vendosur edhe një mjet optik në drejtim të postës sonë kufitare Blladë.
TROPOJË
Më datën 11.4.1985, ora 10.30 deri në ora 1040, nga posta e Morinës në drejtim të postës së Gjashtës, kanë lëvizur anës së kufirit 15 ushtarë jugosllavë me tre qen shërbimi. Pas kësaj, ata janë larguar në drejtim të tokës së tyre.
Më datën 11.4.1985, ora 10.00, piramida 10, kuadrati 8739, 30 ushtarë jugosllavë kanë zhvilluar stërvitje 200 m. larg vijës së kufirit. Ata u kthyen përsëri në postën e tyre. Gjatë kësaj kohe janë larguar nga posta për në thellësi të tokës së tyre dy makina “Zuk” dhe kanë ardhur dy makina të tjera.
SARANDA
Më datën 11.4.1985, ora 12.00, në rajonin e piramidës 54, në kuadratin 3796, u fut në tokën tonë rreth 100 m. një tufë dhish të grekut pa bari. Në orën 13.00., ata u kthyen. Më datën 11.4.1985, ora 15.10, në rajonin e piramidës 74, kuadrati 9520, dolën dy ushtarakë grekë të armatosur dhe një civil i veshur si çoban. Me vete kishin edhe qenin e kërkimit.
Ata vrojtuan rreth 15 minuta në drejtim të tokës sonë dhe pastaj u drejtuan vijës së kufirit për në piramidën 75, tek pika e vrojtimit grek. Ata u kthyen përsëri për në thellësi të tokës greke. Po në këtë vend dhe në të njëjtën orë, dolën tek vrojtimi i tyre dy ushtarë pa kapele të armatosur, të cilët vrojtuan në drejtim të tokës tonë.
Më datën 11.4.1985, ora 20.00, nga Korfuzi erdhi një motoskaf grek, i cili u fut në kuadratin 1103 C, rajoni i postës kufitare Ksamil, rreth 300 m. në ujërat tona. Në ora 11.00, ai u kthye në ujërat greke, pasi u paralajmërua nga motoskafi ynë.
SHKODËR
Më datën 11.4.1985, ora 12.50, në postën kufitare Sukobinë, përballë postës sonë kufitare Muriqan, erdhi një makinë me 15 ushtarë.
KUKËSI
Më datën 11.4.1985, ora 16.00, deri në ora 16.20, dolën e vrojtuan dy ushtarë dhe një oficer jugosllav në rajonin e piramidës 17/9. Pas kësaj ata u larguan në thellësi të tokës së tyre.
Më datën 11.4.1985, ora 18.40, operativi i Divizionit të Kukësit ka njoftuar se në tokën jugosllave, në afërsi të vijës së kufirit, në vendin e quajtur “Guri i Mëngjesit” (rajoni i pikës kufitare Turaj), janë parë tre ushtarë duke vrojtuar në drejtim të tokës sonë për 7 – 8 minuta dhe mandej janë larguar për në thellësi të tokës së tyre.
Më datën 11.4.1985, ora 20.35, posta kufitare Turaj njofton se në rajonin e piramidës 20/5, deri 20/8, në orën 17.00, kanë dalë tre ushtarë jugosllavë të armatosur, të cilët qëndruan në vijën e kufirit duke bërë lëvizje me dy flamurë të vegjël të zi në drejtim të njësitit tonë. Njësiti ynë që ishte 100 m. larg vijës së kufirit, mbajti qëndrim korrekt. Mbas gjysëm ore, ata u larguan në thellësi të tokës së tyre.
Më datën 11.4.1985, ora 18.30, në rajonin e piramidës 17/4, tre ushtarë jugosllavë të pozicionuar, i kanë drejtuar armët në drejtim të njësitit tonë që kontrollonte brezin e butë. Ushtarët tanë mbajtën qëndrim korrekt dhe u larguan.
Më datën 11.4.1985, ora 21.00, posta kufitare Pogaj njofton se në pikën kufitare Gorozhup të Jugosllavisë kanë vendosur një prozhektor të fortë që me shkëputje ndriçon postën tonë në malin e Pashtrikut.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
BAUDIN KAZANI
KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 12 PRILL 1985, KU NJOFTOHET PËR LËVIZJE AVIONËSH DHE TRUPASH USHTARAKE JUGOSLLAVE NË KUFIRIN ME SHKODRËN DHE DIBRËN
11.4.1985
Ora 19.55
KOMUNIKATË NR.85/5
PESHKOPIA
Në vijim të informacionit të datës 11.4.1985, të dhënë nga Dega e Brendshme Peshkopi, në orën 13.10, për një kamion me ushtarë të ardhur në postën kufitare të Spasit, në orën 18.50 nga kjo makinë u shkarkuan disa arka dhe kanë vendosur edhe një mjet optik në drejtim të postës kufitare Blladë.
11.4.1985
Ora 19.55
KOMUNIKATË NR.85/5
SHKODRA
Posta kufitare e Hanit të Hotit njofton se në zonën e Tuz – Titogradit, kryen fluturime avionësh.
DEGA E PËRGJITHSHME
KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 13 PRILL 1985, KU NJOFTOHET PËR LËVIZJE TRUPASH USHTARAKE NË TË GJITHË KUFIRIN ME JUGOSLLAVINË, NJË ANIJE RUSE NË UJËRAT TONA NË GJIRIN E KEPIT TË RODONIT, SI DHE POSTAT E KUFIRIT GREKE QË KANË NGRITUR FLAMURIN NË GJYSËM SHTIZË
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË “Tepër sekret”
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1
DEGA E PËRGJITHSHME Tiranë, më 13.4.1985
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 87
POGRADECI
Më datën 12.4.1985, ora 19.10, në rajonin e piramidës 3, tek ndërmjetësja 7, kuadrati 2961, B. në vijën e kufirit dolën 25 ushtarë dhe vrojtuan në drejtim të postës tonë. Ata më vonë lëvizën në drejtim të piramidës 7, ndërmjetësja 2, dhe në orën 19.50, hodhën katër raketa.
Më datën 12.4.1985, Sulejman Korati dhe Vasfi Loloçi, shoferë të Parkut të Durrësit, në kohën që janë kthyer nga Jugosllavia, kanë njoftuar se në datën 11.4.1985, nga Prokopula deri në Gostivar, gjithë rrugës kishte kontroll të fortë policia, e cila i ka shoqëruar deri në Strugë. Në Gostivar ishin rreshtuar rreth 70 makina ushtarake të zbuluara e, të ngarkuara me ushtarë.
Në Strugë në hotel, shpjegojnë ata, i kanë futur në një dhomë me televizor, të cilin e hapën në stacionin e Tiranës. Në doganë kishin sjellë një milic që dinte shqip, i cili u ka thënë: “Enver Hoxha vdiq, po ju, a e doni”? U bënë kontroll të imët. Shoferët tanë mbajtën qëndrim korrekt.
Më datën 12.4.1985, ora 10.00, në postën kufitare të Qaf-Thanës dolën 13 ushtarë të armatosur dhe lëvizën në drejtim të piramidës 45, kuadrati 6751 A. Në thellësi të tokës së tyre dëgjohen të shtëna. Mendohet se zhvillohet stërvitje. Janë marrë masa vrojtimi.
DIBRA
Më datën 12.4.1985, ora 17.40, në territorin e pikës kufitare Kërçisht, kanë dalë tre ushtarë jugosllavë dhe vrojtuan në drejtim të tokës sonë.
Më datën 12.4.1985, ora 16.25, në në rajonin e pikës kufitare Kërçisht, (Jugosllavi), janë larguar dy makina ushtarake në drejtim të Dibrës së Madhe.
Më datën 12.4.1985, rajoni i piramidës 19/4, në sektorin e postës Lladomericë, tre ushtarë jugosllavë që në mëngjes kanë vrojtuar në drejtim të tokës sonë, herë të maskuar dhe herë hapët.
Më datën 12.4.1985, ora 14.00, rajoni i piramidës 42/2, sektori i postës kufitare Vërnicë, dolën dy ushtarë jugosllavë të cilët vrojtuan në drejtim të tokës tonë. Po në këtë rajon, në orën 13.30, dolën dy ushtarë me uniformë zbuluesi dhe vrojtuan në drejtim të fshatit Trebisht.
Në ora 17.00, dolën tre ushtarë të tjerë me qen shërbimi, kryen vrojtim për rreth 30 minuta dhe u larguan në drejtim të vijës së kufirit (përroi i Reçes). Në orën 18.15, dolën dy ushtarë të cilët vrojtonin në drejtim të postës kufitare Vërnicë. I njëjti veprim është kryer edhe në orën 7.00, të datës 12.4.1985.
Më datën 12.4.1985, ora 8.00, në territorin jugosllav, në afërsi të postës Ploshtan, janë parë nga njësiti ynë dy avionë jugosllavë që kanë fluturuar në territorin e tyre në afërsi të vijës së kufirit.
Më datën 12.4.1985, ora 11.20, në pikën kufitare Kërçisht, në rajonin e piramidës 13/3, dolën dy ushtarë jugosllavë dhe vrojtuan në drejtim të tokës tonë.
TROPOJA
Më datën 12.4.1985, në Postën e Qafë-Prushit, piramida 14/7 kuadrati 8450 D, në thellësi 10-15 metra nga vija e kufirit, janë ndërtuar 9 pozicione zjarri, 4 në vijën e parë dhe 5 në vijën e dytë, në përmasa rreth sa për dy veta. Gjatë javës kanë zhvilluar stërvitje në shkallë toge.
Më datën 12.4.1985, ora 12.00, në postën kufitare Qafë-Prush, rajoni i piramidës 14/7, janë përgatitur 7 pozicione me plisa barkas, në drejtim të tokës tonë. Mendohet të jenë bërë mbrëmë natën.
KUKËSI
Më datën 12.4.1985, në postën Borjes, ora 12.00, 50 m. larg vijës së kufirit, në rajonin e piramidës 17/3, një oficer me tre ushtarë jugosllavë, i bënë me dorë njësitit tonë dhe qeshën. Njësiti ynë mbajti qëndrim korrekt.
Më datën 12.4.1985, ora 8.00 në postën e kufirit Ortush, rajoni i piramidës D 15/4, kuadrati 5666 D, kanë dalë 8 ushtarë të armatosur të pajisur me radio dhe të veshur me uniformë maskimi. Ata po zhvillojnë stërvitje.
SHKODRA
Më datën 12.4.1985, ora 11.00 në postën kufitare Shëngjergj të Jugosllavisë, ka ardhur një motoskaf i policisë në të cilin ishin 4 civilë dhe u pritën nga 14 ushtarë të postës. Civilët u dhanë atyre një pako. Mbas dhjetë minutash motoskafi me civilët u larguan në drejtim të kufirit.
Më datën 12.4.1985, në postën kufitare Shënkoll Jugosllavi, kanë ardhur dy makina dhe një mikrobus ushtarak, ku zbritën 1 oficer dhe disa ushtarë.
Më datën 12.4.1985, ora 22.00, tek posta jugosllave e Shëngjergjit, kanë ardhur 5 vetura dhe dy makina ushtarake. U pritën me duartrokitje nga ushtarët e postës. Pas 20 minutash janë larguar në drejtim të Ulqinit. Në orën 22.00, kanë ardhur përsëri në këtë postë 4 vetura dhe dy makina ushtarake. Nga makinat shkarkohet diçka, por nuk dallohet.
LEZHA
Më datën 12.4.1985, ora 22.00, Flota Luftarake Detare Shëngjin, ka njoftuar se një anije tregtare e huaja që vinte nga Veriu, është futur në Gjiun e Kepit të Rodonit, për arsye të kohës së keqe. Pas verifikimit rezulton se anija është transporti ruse “Balltik”, e ngarkuar me drith me 18 veta, e cila vinte nga Bari e lundronte për në Odesë. Vazhdon të qëndrojë e ankoruar për shkak të kohës së keqe.
ERSEKA
Më datën 12.4.1985, u kontrollua brezi i butë në postën kufitare Starje, ku u konstatuan gjurmë. Nga verifikimi që u bë rezulton se gjurmët janë lënë nga ariu.
Më datën 12.4.1985, në postën kufitare greke Kosaçkë, mal ii Dervenit Dhipolicë, kanë ngritur flamurin gjysëm shtizë.
PËRMETI
Më datën 12.4.1985, ora 10.00, në pikën e Manastirit, përballë pikës kufitare Mesare, një prift ka folur në një altoparlant dhe pas 30 minutash është larguar. Disa herë është dëgjuar një sirenë. Mbas largimit të priftit, është ngritur flamuri gjysëm shtizë.
KORÇA
Më datën 12.4.1985, ora 8.30, në postën kufitare Theollogos në Greqi, 4 ushtarë grekë kanë vendosur flamurin grek në gjysëm shtizë dhe kanë bërë roje nderi. Më pas janë larguar, ndërsa disa civilë dhe ushtarakë kanë vrojtuar në drejtim të tokës tonë. Janë porositur postat e kufirit që të shikojnë nëse ky veprim bëhet edhe në postat e tjera.
SARANDA
Më datën 12.4.1985, posta kufitare e Ksamilit njofton se në orën 22.00 është parë në Korfuz një autokolonë prej 18 makinash ushtarake, duke lëvizur në pjesën veriore të tij.
KRYETARI I DEGËS SË PËRGJITHSHME
BAUDIN KAZANI
KOMUNIKATA OPERATIVE E MINISTRISË SË BRENDSHME E DATËS 14 PRILL 1985, KU NJOFTOHET PËR NJË ANIJE CISTERNË SOVJETIKE E CILA ËSHTË FUTUR NË UJËRAT TONA PËRBALLË KSAMILIT
Dt. 14.4.1985
Ora 8.15
KOMUNIKATË OPERATIVE NR. 87
SARANDA
Më datën 14.4.1985, ora 7.45, nga Marina njoftohemi se në Pelingun 190, distance 3, (përballë Ksamilit), është futur në ujërat tonë një anije cisternë sovjetike. Nga ana jonë doli Katëri me motoskafin e, me shumë kujdes për ta shoqëruar që ajo të dalë nga ujërat tona. Anija sovjetike lëviz me drejtim Veri-Perëndim. / Memorie.al









