Pas rënies nga Superiorja, te Flamurtari pritet një revolucion i vërtetë në merkato. Drejtuesit kuqezi kanë nisur largimet e para nga grupi aktual.
Ndryshimet kanë nisur pikërisht nga porta, aty ku një nga lojtarët më të spikatur të sezonit të kaluar është pranë divorcit me klubin vlonjat. “Panorama Sport” mëson se Igor Aleksovski është thuajse i larguar nga Flamurtari. Portieri maqedonas ka mbyllur aventurën e tij në Vlorë dhe pritet të rikthehet në Maqedoninë e Veriut, pas vetëm një sezoni me fanellën kuqezi.
31-vjeçari ishte një nga elementët më të rëndësishëm të Flamurtarit gjatë këtij edicioni, duke qenë shpeshherë vendimtar me pritjet e tij në shumë ndeshje. Aleksovski iu bashkua Flamurtarit verën e kaluar nga Rabotniçki, në eksperiencën e tij të parë në futbollin shqiptar. Më herët ai ka mbrojtur portën e disa prej skuadrave më të njohura në Maqedoninë e Veriut, si Makedonija GP, Vardar, Shkupi, Renova dhe Rabotniçki. Përvoja e tij ka qenë e konsiderueshme edhe në arenën ndërkombëtare, pasi në vitin 2014 u grumbullua edhe me Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut. Largimi i Aleksovskit detyron tashmë drejtuesit e Flamurtarit të hidhen në treg për të gjetur një portier të ri, megjithëse nuk përjashtohet mundësia që besimi t’i jepet Ariol Kaloshit për sezonin e ardhshëm. Gjithsesi, pozicioni i portierit konsiderohet një nga repartet ku klubi pritet të ndërhyjë me prioritet.
Zyrtare edhe ndarja me Herald Markun
Ndërkohë, zyrtarisht ka ardhur edhe largimi i parë nga skuadra. Herald Marku nuk do të jetë më pjesë e Flamurtarit. Mesfushori mund të konsiderohet lojtar i lirë, duke mbyllur bashkëpunimin me klubin pas vetëm një sezoni. Marku iu bashkua kuqezinjve në sezonin 2024-2025.
Në karrierën e tij ai ka veshur fanellat e Kastriotit, Partizanit dhe Vllaznisë, ndërsa ka pasur edhe eksperienca në futbollin gjerman. Me Flamurtarin ai zhvilloi 31 ndeshje në kampionat dhe Kupë, duke realizuar 3 gola dhe dhënë 1 asist. Megjithatë, mesfushori do të kujtohet jo vetëm për kontributin në fushë, por edhe për disa momente delikate gjatë sezonit.
Penalltitë e humbura në ndeshje të rëndësishme rezultuan vendimtare në rrugëtimin e skuadrës dhe u komentuan gjatë nga tifozët kuqezi. Te Flamurtari pritet që në ditët në vijim të ketë edhe largime të tjera, ndërsa drejtuesit po projektojnë skuadrën që do të synojë rikthimin sa më të shpejtë në elitën e futbollit shqiptar.







