Saranda është tronditur nga lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të Krenar Bedajt, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak Sarandë dhe një zë i njohur i jetës qytetare në qytet.
Përmes një mesazhi ngushëllimi, Bashkia Sarandë dhe Këshilli Bashkiak shprehën dhimbjen për humbjen e tij, duke i përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes Bedaj, të afërmve, miqve dhe bashkëpunëtorëve që ndanë me të rrugëtimin profesional dhe qytetar.
Sipas reagimit zyrtar, Krenar Bedaj do të kujtohet për kontributin e tij të vyer në komunitet, përkushtimin në detyrë dhe angazhimin në proceset vendimmarrëse për zhvillimin e qytetit të Sarandës.
“Do të kujtohet gjithmonë për kontributin e tij të vyer në komunitet, përkushtimin në detyrë dhe zërin e tij qytetar në vendimmarrjet për qytetin tonë”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit.
Ndarja e tij nga jeta ka sjellë pikëllim te familjarët, miqtë dhe te shumë qytetarë që e njohën dhe bashkëpunuan me të ndër vite.
“U prehsh në paqe, Krenar”, përfundon mesazhi i Bashkisë Sarandë.









