Për llogari të hetimeve për vrasjen e turistit portugez në Ksamil, në pranga janë vënë edhe 4 persona nga Gjirokastra, dy prej të cilëve punonjës policie. Shtetasi Miosid Matushaj është punonjës i Kufirit dhe Migracionit në Drejtorinë Rajonale të Gjirokastrës, ndërsa Romeo Shehu punonjës e Policisë Bashkiake Gjirokastër.
Policia njoftoi se në vijim të veprimeve për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor, kapjen dhe arrestimin e autorit, si dhe të personave të tjerë të përfshirë në vrasjen e 20-vjeçarit portugez, Luis Miguel Varela Mendes, mëngjesin e sotëm në Ksamil, Sarandë, ju informojmë se:
Si rezultat i veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, si dhe koordinimit të punës mes Komisariatit të Policisë Sarandë, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, paraditen e sotme, në Levan, Fier, u kap në bagazhin e një automjeti autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi Sokrat Lipan alias Sokrat Vata, 29 vjeç.
Ky shtetas udhëtonte në bagazhin e një automjeti që drejtohej nga shtetasja Ezgi Perlak, 31 vjeçe, dhe pasagjer shtetasi Nuh Mahmutoglu 38 vjeç, të dy me shtetësi turke, të cilët kishin njohje me autorin dhe e kishin fshehur në makinë, me qëllim që ta transportonin drejt Tiranës.
Po në kuadër të veprimeve për dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 20-vjeçarit, në Komisariatin e Policisë Sarandë u shoqëruan 41 shtetas.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, u arrestuan në flagrancë shtetasit:
Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, 29 vjeç, banues në fshatin Helshan, Has;
Ezgi Perlak, 31 vjeçe, dhe Nuh Mahmutoglu, të dy me shtetësi turke;
Serxhi Selimi, 24 vjeç, banues në Ersekë;
Ervis Bunci, 24 vjeç, banues në Peshkopi;
Ildi Cekani, 21 vjeç, banues në Librazhd;
Murat Zhabina, 27 vjeç, banues në Elbasan;
Miosid Matushaj, 24 vjeç, banues në Gjirokastër;
Luciano Seferi, 44 vjeç, banues në Gjirokastër;
Romeo Shehu, 35 vjeç, banues në Gjirokastër;
Kristi Koshi, 29 vjeç, banues në Gjirokastër.
Si dhe u shpallën në kërkim shtetasit David Heurteven, 29 vjeç, banues në Tiranë, dhe Bekim Bulica, 36 vjeç, banues në Tiranë.
Si ndodhi ngjarja
Në orën 05:15, të datës 18.08.2026, në ambientet e lokalit “Principote” dhe më pas në plazhin e lokalit “Paradise”, në Ksamil, gjatë një konflikti midis disa personave, shtetasi Sokrat Lipan, alias Sokrat Vata, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) disa herë në trup shtetasin e huaj portugez Luis Varela, 20 vjeç.
Po në të njëjtën kohë, edhe shtetasi David Heurteven, tashmë i shpallur në kërkim, e ka goditur me grushte 20-vjeçarin. Të dy këta shtetas akuzohen për vrasje me dashje, kryer në bashkëpunim.
Ndërsa shtetasit Serxhi Selimi, Ervis Bunci, Murat Zhabina. dhe Ildi Cekani, të cilët janë kamerierë në lokalin “Principote”, janë përfshirë në konfliktin e mësipërm, duke goditur me grushte 20-vjeçarin, para se ta godiste me mjet prerës shtetasi Sokrat Vata dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Në momentin e kësaj ngjarjeje, në lokalin “Principote” kanë qenë në rolin e bodyguard-ëve shtetasit Moisid Matushaj (punonjës policie në Gjirokastër), Luçiano Seferi (punonjës i IEVP Fier), Romeo Shehu (punonjës i Policisë Bashkiake Gjirokastër) dhe Kristi Koshi, të cilët kanë pasur rolin e sigurisë dhe nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e kësaj ngjarjeje, që fillimisht ka nisur në ambientet e lokalit “Principote”, si dhe, pas ngjarjes, nuk kanë njoftuar autoritetet e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, në momentin e ndodhjes së kësaj ngjarjeje, në ambientet e lokalit “Principote” ka qenë edhe pronari i tij, shtetasi Bekim Bulica, i cili, pas ngjarjes, është larguar duke mos kallëzuar në autoritetet përkatëse.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për shtetasit Sokrat Vata dhe David Heurteven, për veprën penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Për shtetasit Ezgi Perlak dhe Nuh Mahmutoglu, për veprën penale “Përkrahje e autorit të krimit”; për shtetasit S. S., E. B., M. Zh., I. C., L. S., K. K., B. B. dhe R. Sh., për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; si dhe për shtetasin Moisid Matushaj, për veprat penale “Moskallëzim i krimit” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshmërisë”.








