Alarmi i dhënë sot për rrezikun e shembjes së një pallati në lagjen ‘Punëtori’ në Gjirokastër, për shkak të një ndërtimi tjetër pranë tij, rikthen në vëmendje ngjarjen e ndodhur rreth 10 vjet më parë. Ishte nëntori i vitit 2008 kur në tentativën për të hapur sheshin e ndërtimit për një qendër tregtare pranë lagjes ’11 Janari’, u rrëzua një pallat 5 katësh aty pranë.
Ngjarja u mori jetën tre personave dhe la pa strehë 14 familjee. Për këtë ngjarje të rëndë, Prokuroria e Gjirokastrës kërkoi 38 vite burg dhe gjoba të ndryshme për të pandehurit. Por gjykata shpalli fajtorë katër nga shtatë të pandehurit, ndërsa tre të tjerë i liroi nga akuzat. Kështu, për të akuzuarin kryesor, Sotiraq Janorën, administratorin e firmës “Arti” sh.p.k., u vendos dënimi me 6 vjet burg. Gjykata dënoi me 2,6 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë Afërdita Papamihalin, ish-sekretare të KRRT-së së Bashkisë Gjirokastër, me dy vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë Admir Shehajn, ish-inspektor në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashki, sikundër u vendos edhe për Gjergji Meçin, inxhinierin e firmës që shkaktoi shembjen e pallatit pesëkatësh.
Togat e zeza kanë dhënë në total 12.6 vjet burg, si dhe gjoba në vlerën e përgjithshme 1.5 milionë lekë. Ndërkohë, Alfred Mamani, ish-përgjegjës i Zyrës së Urbanistikës, si dhe dy ish-punonjës të policisë bashkiake, Petrit Maksuti dhe Leonard Mustafaraj, janë shpallur të pafajshëm.
©ArgjiroLajm.net









