Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, ka dhënë lajmin se Dea e Butrintit, e cila është koka e një skulpture të gjetur në sitin arkeologjik të Butrintit më 1928, është rikthyer në parkun arkeologjik.
Pasi u zbulua gati 100 vite më parë, Dea e Butrintit u dërgua drejt Romës dhe më pas rrugëtimi i saj përfundoi në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, ndërsa tashmë do të jetë aty ku u gjet.
“Rikthimi i Deas pasuron rrëfimin e Butrintit dhe u mundëson vizitorëve të shohin nga afër një dëshmi të jashtëzakonshme të historisë, artit dhe trashëgimisë sonë të përbashkët europiane”, thekson ministri.
Ndërsa, po ashtu, Gonxhja tha se Butrinti po forcon rolin e tij si një prej destinacioneve kryesore të turizmit kulturor në Shqipëri, ku vetëm në 8-mujorin e parë është vizituar nga mbi 200 mijë vizitorë.
Postimi i plotë:
LAJM I BUKUR!Dea e Butrintit kthehet në shtëpi!
Pas një rrugëtimi nga qyteti antik drejt Romës dhe më pas në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, një prej veprave më të çmuara të trashëgimisë sonë arkeologjike rikthehet në vendin ku u zbulua.
Rikthimi i Deas pasuron rrëfimin e Butrintit dhe u mundëson vizitorëve të shohin nga afër një dëshmi të jashtëzakonshme të historisë, artit dhe trashëgimisë sonë të përbashkët europiane.
Me mbi 200 mijë vizitorë këtë 8-mujor, Butrinti po forcon rolin e tij si një prej destinacioneve kryesore të turizmit kulturor në Shqipëri, një vend ku trashëgimia nuk mbetet vetëm dëshmi e së shkuarës, por krijon dije, mundësi dhe zhvillim për të ardhmen.
Falenderoj gjithë ekipin që punoi për këtë rimuzeim të Deas në Butrint, pa harruar të shpreh mirënjohjen tonë të thellë për AADF, duke garantuar mbështetjen tonë për modele suksesi si ky që kemi tashmë të prekshëm përmes Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit!









