Fisnik Asllani është ndarë i kënaqur me paraqitjen e Kosovës në përballjen ndaj Austrisë, edhe pse “Dardanët” nuk arritën të merrnin fitoren. Kosova barazoi 1-1 me Austrinë të dielën në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në një ndeshje ku skuadra vendëse tregoi karakter dhe konkurrencë përballë austriakëve.
Asllani, i cili shënoi golin e Kosovës, theksoi se skuadra bëri një paraqitje të mirë, por i mbeti peng fitorja. “Fatkeqësisht nuk arritëm ta fitojmë lojën. Do të kishte qenë një ndjenjë ndryshe nëse do ta kishim fituar ndeshjen. Kemi bërë një lojë të mirë. Shpresoj që në muajin nëntor të zhvillojmë dy ndeshje të mira”, u shpreh Asllani.
Sulmuesi kosovar vlerësoi edhe energjinë e ekipit, ndërsa pranoi se kushtet e fushës nuk ishin optimale. “Energjia ka qenë e lartë, fusha nuk ka qenë më e mira. Jam munduar t’i jap energji ekipit. Jam shumë mirë fizikisht. Muajin e ardhshëm ndeshjen e parë e kemi me Izraelin dhe synojmë ta fitojmë këtë ndeshje. Do të japim maksimumin në dy ndeshjet e ardhshme”, deklaroi Asllani.
Ndërkohë, mesfushori i Kosovës, Leon Avdullahu, e konsideroi barazimin një rezultat që i la “Dardanët” me keqardhje. “Besoj se i humbëm dy pikë në këtë ndeshje. Por sonte treguam se çfarë mund të bëjmë”, deklaroi Avdullahu pas ndeshjes në “Fadil Vokrri”. Futbollisti i Hofenhajmit vlerësoi paraqitjen e Kosovës dhe beson se skuadra tregoi se mund të përballet denjësisht edhe me kundërshtarë të nivelit të Austrisë. Për Kosovën, fokusi tashmë zhvendoset te dy ndeshjet e nëntorit, ku objektivi mbetet maksimumi i pikëve.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
Grupi Balkanweb








